1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendimi i GJND-s duhet shfrytëzuar për intensifikimin e negociatave

12 Dhjetor 2011

Kontesti për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë kërkon më shumë zgjidhje politike se juridike. Vendimi i GJND-s nuk është i obligueshëm për zbatim nga asnje pale, thonë analistët.

https://p.dw.com/p/13R6Z
Parlamenti në Shkup
Parlamenti në ShkupFotografi: Petar Stojanovski

Autoritetet politike në Maqedoni duhet të shfrytëzojnë vendimin e GJND-së për të intensifikuar negociatat dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë për emrin, se pa zgjidhjen e kontestit të emrit dyert për eurointegrime, Maqedonia do t'i ketë të mbyllura, thonë analistë dhe ekspertë vendas.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Maqedonisë është një kapital i rëndësishëm juridik dhe diplomatik për vendin. Sipas ekspertëve nga Maqedonia vendimi i GJND-s do të mund të përforcojë pozicionin e Maqedonisë në procesin e bisedimeve rreth emrit dhe të ndihmojë autoritetet e Shkupit të ndërmarin një ofensivë diplomatike për të sensibilizuar bllokimin e padrejtë të Maqedonisë në strukturat euroatlantike për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrin me Greqinë.

Pozicioni i Maqedonisë në bisedime i forcuar

Protestat e mëhershme në Shkup për mbajtjen e emrit "Maqedoni"
Protestat e mëhershme në Shkup për mbajtjen e emrit "Maqedoni"Fotografi: picture-alliance/ dpa

”Vendimi i GJND-së paraqet një kapitull të ri në aktivitetin politik të zyrtarëve të Maqedonisë. Ky vendim, që është kapital juridik për vendin, duhet të shfrytëzohet në mënyrë pragmatike dhe racionale për zgjidhjen e kontestit të emrit”, vlerëson Antonio Milloshovski, kryetar i Komisionit për politikë të jashtme në parlamentin e Maqedonisë.

Ekspertët vendas nuk presin intensifikim të negociatave për zgjidhjen e çështjes së emrit pas vendimit të GJND-së. Vendimi juridik në favor të Maqedonisë nuk duhet të ngatërrohet me dimensionin politik të procesit për zgjidhjen e emrit, thotë Denko Malevski profesor i së drejtës ndërkombëtare: ”Është me rëndësi që kreu politik i Maqedonisë të mos mbështetet shumë në vendimin e GJND-së, sepse ky vendim ka domethënie juridike, ndërsa çështja e emrit duhet të ketë zgjidhje politike, që nënkupton dialog, diplomaci dhe kompromis”, shprehet Malevski.

Kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski
Kryeministrit maqedonas Nikola GruevskiFotografi: Petr Stojanovski

Sistemi ndërkombëtar funksionon sipas interesave të shteteve të fuqishme, andaj Maqedonia nuk duhet të presë që juridikisht të fitojë kontestin për emrin me Greqinë, thotë Zvonimir Jankullovski, ekspert juridik.Vendimi i GJND-së mund të ketë vetëm efektin e nxitjes së procesit të bisedimeve, por jo edhe zgjidhjen përfundimtare të tij.

Pa zgjidhjen e kontestitit të emrit nuk hapen dyert për eurointegrime

”Nuk pres efekte të mëdha nga vendimi i GJND-së. Ky vendim më tepër mund të ketë efekte juridike, por asesi politike”, shprehet Jankullovski.

Parlament në Shkup
Parlament në ShkupFotografi: Petar Stojanovski

Maqedonia duhet të përgatisë një strategji efikase pas vendimit të GJND-së, mirëpo në asnjë moment nuk duhet harruar fakti se për zgjidhjen e kontestit të emrit duhet para së gjithash të merren vendime politike nga Shkupi dhe Athina, thotë Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit euroatlantik në Maqedoni: “Pa zgjidhjen e problemit të emrit, pa arritje të një kompromisi, definitivisht Maqedonisë nuk i hapen rrugët euroatlantike dhe nuk ka shanse për antarësim në NATO dhe fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian', vlerëson Ramadani.

Marrë në përgjithësi ekspertët vendas vlerësojnë se vendimi i GJND-së është një shanc i mirë për përforcimin e përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë të kontestit të emrit, nga e cila kryekëput varet procesi i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica