1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina përpara zgjedhjeve parlamentare

Britta Kleymann25 Mars 2006

A do të ketë koalicion të madh mes forcave të "vjetra" dhe atyre "portokalli"?

https://p.dw.com/p/ArBa
Flamujt blu të "forcave të vjetra" valëviten kundër atyre portokalli, simbol i kthesës politike në vend
Flamujt blu të "forcave të vjetra" valëviten kundër atyre portokalli, simbol i kthesës politike në vendFotografi: AP

Në 26 mars në Ukrainë do të zgjidhet një parlament i ri. Atmosfera e kthesës dhe ndryshimeve e kohës së "revolucionit portokalli" është paralizuar, ata mbi të cilët ishin mbështetur shpresat e ndryshimit të pushtetit janë të përçarë që prej një viti. Analistët e zgjedhjeve mendojnë se "forcat e vjetra" të ish kryeministrit Viktor Janukoviç do të marrin shumicën e votave.

Për shumë njerëz në Ulkrainë zgjedhjet janë që tani me leverdi, jo politikisht por financiarisht. Për dhjetë euro në ditë studentët, shtëpiaket dhe pensionistët valëvisin nëpër rrugët e Kievit flamujt ngjyra ngjyra të partive të ndryshme. Për ta fushata elektorale është një punë e paguar mirë. Informacione mbi programin e partive në shumicën e rasteve ata nuk janë në gjendje të japin. Por programet partiake nuk kanë luajtur rol të rëndësishëm në luftën për karriget e parlamentit, thotë Aleksandër Dergaçov, studiues i shkencave politike në Akademinë e Shkencave të Ukrainës. "Në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me slloganet e zakonshme populiste. Zgjedhësi ukrainas interesohet më shumë për personalitetet e kandidatëve kryesorë të partive dhe aleancave. Ka shumë "aleanca emrash". Bëhet fjalë më shumë për një konkurrencë mes personaliteteve kryesore të politikës se sa për konkurrencë të programeve."

45 parti konkurrojnë në këto zgjedhje për 450 vende në 'Verhovna Rada', parlamentin e Ukrainës. Një vit pas "revolucionit portokalli" figurat e dikurshme legjendare të kthesës demokratike janë të përçarë. Zgjedhjet kërcënojnë të kthehen në humbje për presidentin reformator Viktor Jushçenko. Në sondazhe kryeson qartë "Partia e Rajoneve" e Viktor Janukoviçit. Ai kërkon revansh për humbjen në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004 të cilat nuk arriti t'i fitonte megjithë manipulimet masive.

Se kush do të drejtojë në fund qeverinë do të varet nga ajo se cilat parti do të kapërcejnë kufirin prej 3% në mënyrë që të jenë kandidate për aleate në koalicion me partitë e mëdha. Sipas parashikimeve të sondazheve as presidenti Jushçenko me partinë e tij "Nasha Ukraina" (Ukraina jonë) dhe as partia e Janukoviçit nuk do të marrin shumicën e nevojshme.

Vëzhguesit nuk përjashtojnë madje as mundësinë e një koalicioni të madh mes kundërshtarëve politikë. Në këtë rast Jushçenko mishëron orientimin europian ndërsa Janukoviç mund ta afronte sërish vendin me Rusinë. Por vëzhguesit mendojnë se zgjedhjet parlamentare këtë herë nuk do të sjellin ndonjë ndryshim rrënjësor politik në Ukrainë. Politologu Dergaçov thotë:"Ka të ngjarë që 'Partia e rajoneve' të përpiqet të formojë një koalicion me 'forcat portokalli'. Gjatë fushatës elektorale palët paraqiten armiqësore me njëra-tjetrën por Partia e Rajoneve është shumë pragmatike dhe do të dijë të gjejë pika të përbashkëta. Megjithatë një 'koalicion i madh' nuk do të mund të përshpejtojë integrimin europian të Ukrainës."

Nëse Janukoviç do të jetë vërtet fituesi i këtyre zgjedhjeve, orientimi i Ukrainës drejt Europës mund të frenohet dhe kështu edhe gatishmëria për reforma të mëtejshme për të cilat Ukrainës i bëhet vazhdimisht thirrje nga politikanët europianë. Vetëm pak kohë më parë ministri gjerman i punëve të jashtme Frank Valter Shtajnmajer gjatë një vizite në Kiev ka paralajmëruar:"Shpejtësia e afrimit me Europën varet në mënyrë vendimtare nga përpjekjet e mëtejshme për reforma dhe rezultatet e reformave këtu në Ukrainë dhe këtë partnerët tanë ukrainas në bisedime e dinë mirë."

Më e rëndësishmja në këto zgjedhje është përmbushja e standarteve demokratike. Në ndryshim nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2004 fushata elektorale deri tani ka qenë e ndershme dhe e lirë mendojnë vëzhguesit. Por akoma më vendimtare për të ardhmen e Ukrainës do të jetë aftësia e politikanëvet për të ngritur në këmbë pas zgjedhjeve një koalicion qeveritar afatgjatë. Ndryshe përçarja politike e vendit kërcënon të thellohet më tej.