Transnistri: Shteti satelit i Rusisё - plagё e hapur nё Europё | Bota | DW | 02.06.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Transnistri: Shteti satelit i Rusisё - plagё e hapur nё Europё

Më pak se 200 kilometër e ndajnë Transnistrinë nga kufiri lindor me Bashkimin Europian, në pikën rumune. Ende, kjo copëz e vogël e territorit aq të diskutueshëm duket sikur është në një planet tjetër.

"Doni të ankoheni kundër nesh? Kujt do t'i drejtoheni? Jeni budalla apo silleni si i tillë?”, thotë duke qeshur polici kufitar në Transnistri, i cili bashkë me kolegët e tij ruajnë një shtet që nuk ekziston ligjërisht.
Transnistria, një rrip toke i shtrirë në shtratin lindor të lumit Dnjebër, u la jashtë Republikës së Moldavisë në vitin 1992, pas një konflikti të shkurtër ushtarak - në të cilin separatistët ishin ndihmuar nga Rusia. Sot nuk është vetëm Rusia, që ka ushtarë të stacionuar në rajon dhe rregullisht drejton manovra ushtarake atje, e cila nuk e njeh Transnistrinë si një shtet sovran.
 

Arrestime "ditën për diell”

Alexei Mocreac e njeh shumë mirë tiraninë e sistemit politik të Transnistrisë. Ai ka kaluar 30 ditë pas hekurave pa asnjë shkak. Ai thotë se e kanë arrestuar katër herë, "Duke ecur rrugës, ditën për diell.” I ishte thënë se kishte treguar mungesë respekti kundër "rregullit shtetëror” të Transnistrisë, rregull që nuk ekziston ligjërisht. Mocreac thotë se "lirohej pas çdo arresti, pa i thënë përse. "Madje më kërkonin edhe të paguaja gjatë ditëve në burg - a thua se kisha qëndruar në hotel.”



Mocreac është nga qyteti i vogël i Transnistrisë, Grigoriopol. Kur nisi lufta në fillimin e viteve 1990, ai luftoi për Moldavinë dhe kundër separatistëve. Asokohe ishte 33 vjeç. U nda nga gruaja dhe dy fëmijët për vite me radhë, por e kishte të pamundur të rrinte larg tyre. U kthye në Grigoriopol, aty ku arrestohej vazhdimisht. Edhe sot e kësaj dite ai është politikisht shumë aktiv dhe vazhdon të nxisë riintegrimin e Transnistrisë në Moldavi.

OJQ-të: Tortura dhe vrasje të pazbardhura në ushtrinë e Transnistrsë

Ushtria është një punëdhënës popullor në këtë republikë të vetëshpallur dhe të vogël, me rreth 500 mijë banorë. "Fëmijët dikur vraponin sa më larg ushtrisë, por sot ata duan poste ushtarake - janë të ardhura të sigurta dhe të sigurojnë pensionin,” thotë Mocreac.

"Por ata që refuzojnë të rekrutohen, rrezikojnë ndëshkimin. Madje edhe burgun. Në realitet, shumë të rekrutuar trajtohen sikur janë gjithsesi të burgosur, shton ai.”
"Ata poshtërohen, rrihen dhe ndonjëherë edhe torturohen. Disa vetëvriten sepse nuk e përballojnë dot më.”
Organizata jo-qeveritare Promo-LEX, me bazë në kryeqytetin moldav, Kishinau, po tenton të gjejë përgjigjje për disa vdekje dhe zëra për torturë in ushtrinë Transnistriane. Falë Promo-LEX, disa raste të tilla kanë përfunduar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.. "Edhe sot, thotë organizata, autoritetet Transnistriane përfitojnë nga fakti se askush s'mund t'i ndëshkojë.”

Moldavia nuk ka ndikim gjyqësor mbi Transnistrinë, e cila injoron të gjitha institucionet ndërkombëtare. Rusia, gjithashtu, pretendon se nuk ka ndonjë detyrim, edhe pse Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut e ka etiketuar qeverinë Transnistriane si një kukull të Moskës.



Pasaporta rumune si biletë për Europën Perëndimore

Një numër i madh i qytetarëve në Moldavi flasin rumanisht, sepse shumica e rajonit i përkiste Rumanisë para Luftës së Dytë Botërore. Njerëzit me rrënjë rumune munden që të aplikojnë për pasaporta rumune. Që kur Rumania u bë pjesë e Bashkimit Europian në vitin 2007, këto pasaporta i bëjnë mbajtësit e tyre qytetarë të BE-së.
Thuajse 60% e qytetarëve të Transnistrisë flasin rusisht dhe nuk kanë rrënjë rumune. Mocreac thotë se shumë "fëmijë” rusë ose ukrainas kanë qenë të suksesshëm në marrjen e pasaportës rumune, një biletë për në pjesën e pasur Europën Perëndimore. Dhe nuk largohen vetëm djemtë dhe burrat. "Vajza ime është në Gjermani”, thotë Feodosia, e cila jeton në fshatin Varnita.
Teksa hedh vështrimin përreth mund të shohësh gjurmë trenash të braktisur që s'të ccojnë gjëkundi dhe fëmijë që luajnë pranë një shtëpize të rrënuar të mbushur me bimë të tejrritura. Fasadat e tejshpuara nga plumbat shërbejnë si një kujtesë për luftën që shpërtheu në 1990-ën. Fshati Varnita është në zonën pranë kufirit, i cili nuk ekziston ligjërisht. Kontrolli i zonës është i ndarë mes autoriteteve moldave dhe atyre Transnistriane - të dy palët janë nën mbikqyrjen e trupave ruse, të cilët konsiderohen nga Transnistrianët si "paqeruajtës”.
Feodosia e merr pensionin e saj nga Kishinau, por taksat dhe faturat që ajo paguan janë të ndara mes Moldavisë dhe Transnistrisë.
Vetëm pak metra më tutje fshatit të Fedosias, në një vendkalim kufitar, Ivan Pascanu ka hapur së fundmi një dyqan. I ulur në një tryezë të rrethuar nga karrige plastike, ai rrëfen për kohët e vjetra kur Moldavia ishte nën kontrollin e Sovjetëve. "Në Bashkimin Sovjetik ne ishim të gjithë njësoj,” thotë ai. Sipas Pascanu, sot udhëheq "anarkia”. Ai thotë se shkollat ishin shumë më të mira kur ata ishin nën kontrollin e Sovjetikëve.
Edhe pse Pascanu, arkitekt në profesion, e shef Rusinë me një admirim të madh, thotë që fëmijët do t'i dërgojë për studime në Rumani.
Fedosia ka gjithashtu lidhje me Bashkimin Europian, aty ku fëmijët e saj studiojnë, jetojnë dhe punojnë. Edhe sot ajo nuk mund ta imagjinojë që të zhvendoset në Gjermani, tek e bija. "Në Perëndim do të trajtohesha si një qytetare e dorës së dytë”. Rusia, thotë ajo, e bën ekzistencën e saj të përulshme në periferinë europiane më të pranueshme: duke siguruar gaz me ҁmime shumë të ulëta.
Në rajonet më të varfra të Europës, nëse dikush preferon më shumë Moskën ose Brukselin është shpesh e lidhur me një kriter shumë të thjeshtë - ҁmimin e gazit.