Tiranë: Opozita zhvillon protestën e saj të gjashtë antiqeveritare | Ballkani | DW | 21.03.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tiranë: Opozita zhvillon protestën e saj të gjashtë antiqeveritare

Opozita rifillon të enjten (21.03.) serinë e protestave antiqeveritare. Ndërkohë Presidenti Meta ka deklaruar, se është gati të ndërmarrë veprime ekstreme që vendi të dalë nga kriza politike deri në dorëzimin e mandatit.

Protesta e sotme,(21.03) e gjashta që nga mesi i shkurtit të kaluar kërkon të rrëzojë qeverinë e kryeministrit Rama dhe realizojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, me një qeveri kalimtare. Ajo zhvillohet në mjediset pranë Parlamentit, kur të mbahet seanca plenare të enjten dhe betohen 3 kandidatë të tjerë për deputetë nga lista e Lëvizjes Socialiste për Integrim, (LSI). Protesta e sotme do të tentojë të rrethojë të gjitha drejtimet që të ҫojnë në Parlament.

14 deputetë nga PD e LSI marrin mandatin

Numri i kandidatëve për deputetë nga lista e PD dhe LSI, në zgjedhjet parlamentare 2017, që kanë marrë mandatin e deputetit ka arrritur në 14, ku përfshihen edhe 2 deputetë të PD dhe 1 i LSI, që nuk  iu bindën urdhërave të partisë për të djegur mandatet e tyre parlamentare. Burime zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ) bëjnë me dije se ky  komision u ka dhënë formularët e vetëdeklarimit edhe 18 emrave të rinj nga listat e dy partive opozitare.

Dorëzimi i formularëve të plotësuar në KQZ është hapi vendimtar i pranimit të mandatit të deputetit. Nëse kjo ndodh, numri i deputetëve opozitarë  ka gjasa që në fund të këtij muaji të arrijë  35, duke e ҫuar numrin total në 117 deputetë në Parlamentin prej 140 vendesh. Partitë opozitare, PD dhe LSI,  i kanë shpallur "tradhtarë” kandidatët që po pranojnë të marrin mandatin e deputetit.

Presidenti Meta - dorëzoj mandatin për kapërcimin e krizës

Vijimi i protestave, akte dhune ndaj policisë dhe institucioneve gjatë zhvillimit të tyre tregon se kriza politike në Shqipëri po thellohet. Nuk ka asnjë sinjal nga qeveria dhe opozita për dialog mes tyre. As faktori ndërkombëtar nuk ka dhënë shenja për të ndërmjetësuar, si është siҫ ka ndodhur në më shumë se 20 vjet në zgjidhjen e krizave politike qeveri-opozitë në Shqipëri. Situata rëndohet edhe më shumë nga afrimi i zgjedhjeve lokale të qershorit pasi pjesëmarrja e opozitës në këto zgjedhje është një pikëpyetje.

Në këto kushte Presidenti Meta deklaroi të mërkurën (20.03) se është gati të ndërmarrë veprime ekstreme që vendi të dalë nga kriza politike. "Jam i përgatitur të lë mandatin, madje edhe të sakrifikohem si Salvador Aliende për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake që mund ta kthejë vendin në 30 vjet mbrapa” tha Presidenti Meta, duke sjellë në vëmendje rastin e Presidentit kilian, që në 1973 vrau vehten, kur trupat e ushtrisë rrethuan Presidencën, pas një grushti ushtarak.

Presidenti Meta pranoi që për normalizimin e situatës lypset "një zgjidhje politike parimore, kushtetuese dhe e qëndrueshme. ”Kriza nuk zgjidhet as me retorikë as me metoda policore, por me dialog dhe përpjekje serioze. Pasojat e krizës mund të jenë të rënda për Shqipërinë”, theksoi Presidenti Meta, duke kritikuar dy palët: opozitën për retorikë, qeverinë për metoda policore.

Vetëm 82 deputetë të ligjshëm, të tjerët antikushtetues

Procesin e dhënies së mandateve kandidatëve për deputetë në listat e PD dher LSI, që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare 2017,  Presidenti Meta e quan citoj " të paligjshëm.”

"Në vlerësimin tim, Kuvendi ka 82 deputetë të ligjshëm , ku përfshihen edhe 3 deputetë të opozitës që nuk pranuan të djegin mandatin. Çdo numër tjetër ka probleme serioze, thellon krizën e përfaqësimit, dhe është i kontestueshëm në plan ligjor, moral dhe kushtetues” theksoi Presidenti Meta.

Të shpallurit antikushtetues të deputetëve që po futen në Parlament nga listat e kandidatëve të PD dhe LSI është një qëndrim që heq mundësinë e maxhorancës për të miratuar, me shumicë të cilësuar votash, me 3/5 e 140 deputetëve, pra me 84 vota, Strukturën e Posaҫme Anti Korrupsion , (SPAK), Byronë Kombëtare të Hetimit, ( BKH), institucionet e kryesore që refprma në drejtësi të fillojë funksionimin e saj dhe të japë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prioritet i rëndësishëm i BE për mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit, në qershor. Opozita, që po bën luftën politike jashtë Parlamentit, ka deklaruar se nuk do të njohë asnjë ligj të miratuar me votat e deputetëve nga listat e saj në zgjedhjet parlamentare 2017.

 

Reklamë