Tiranë: Gazetarët në protestë për të drejtën e fjalës së lirë | Ballkani | DW | 05.07.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Tiranë: Gazetarët në protestë për të drejtën e fjalës së lirë

Protesta e gazetarëve në Shqipëri erdhi si reagim ndaj penalizimit nga kryeministri Rama, të një reporteri me mospjesëmarrje në konferenca shtypi për 3 muaj. Reporteri drejtoi një pyetje lidhur me konfliktin e interesit.

Disa dhjetëra gazetarë të brezit të ri të mediave të Tiranës protestuan në mbrëmjen e të hënës, (04.07)  para kryeministrisë kundër cënimit të lirisë së medias, të fjalës së lirë dhe kërkuan që pyetjet e tyre të mos diktohen nga politikanët.

Protesta e gazetarëve të rinj në Shqipëri erdhi si reagim ndaj penalizimit nga kryeministri Rama, të reporterit të kanalit televiziv A2 CNN, Klevin Muka, me mospjesëmarrje në konferenca shtypi për 3 muaj dhe "riedukimit të tij ” për shkak të një pyetjeje në një konferencën shtypi, fundjavën e kaluar. Gazetari Klevin Muka i drejtoi pyetjen Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaꞔka lidhur me konfliktin e interesit, si anëtare e kabinetit qeverisës me bashkëshortin e saj, ngaqë ai është investitor strategjik i qeverisë Rama në sektorin e turizmit. Kryeministri Rama e quajti pyetjen "jo etike”, nuk e la ministren Xhaꞔka të përgjigjej dhe i bëri me dije gazetarit Muka se "nuk do të lejohej për 3 muj të merrte pjesë në konferenca shtypi në kryeministri dhe do të riedukohej.”

Protestuesit kërkuan mbrëmë heqjen e menjëhershme të masës penalizuese ndaj kolegut dhe mosdiktimin e pyetjeve të gazetarëve nga politikanët. Oratorët që morën fjalën e cilësuan penalizimin e kolegut të tyre si " cënim të lirisë së medias, të lirisë së fjalës dhe demokracisë”.

Protesta-inkurajim i gazetarisë së pavarur, cilësore dhe kritike

"Kjo protestë është shprehje e solidaritetit ndaj gazetarëve që bëjnë pyetje të guximshme. Ajo është inkurajim për gazetarinë e pavarur, cilësore dhe kritike. Refuzimi për t'iu përgjigjur pyetjes së kolegut Klevin Muka dhe masa ndëshkimore e kryeministrir Rama ndaj tij,  mendoj se përbëjnë një rast flagrant dhe lajm të keq për lirinë e medias në Shqipëri. Kryeministri nuk respektoi të drejtën e gazetarit për të bërë pyetje, pra për të kryer detyrën e tij. Ai  i mohoi gazetarit të drejtën për të marrë një përgjigje për një pyetje me interes publik. Ndërkohë, nuk është as kryeministri, as anëtarët e qeverisë ata që përcaktojnë pyetjet e gazetarëve apo linjën editoriale të gazetave dhe kanaleve televizive. I takon publikut të gjykojë nëse gazetari respekton ose jo etikën në pyetjet që bën”, thotë për DW, Osman Stafa, gazetar për ꞔështjet politike në televizionin "News 24, Albania”, pjesëmarrës në protestë.

Jo masa penalizuese për gazetarët për shkak të pyetjeve të tyre

Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, thotë për DW se masa penalizuese e kryeministrit Rama ndaj gazetarëve për shkak të pyetjeve të tyre bie ndesh me legjislacionin vendas "për të drejtën e informimit".

"Unioni ynë i kërkon kryeministrit Rama të ndërpresë masa të tilla penalizuese për gazetarët për shkak të pyetjeve që ata bëjnë. Të tilla masa janë të pazakonta dhe të panjohura në praktikat e komunikimit të udhëheqësve të shteteve me gazetarët. Ato pengojnë gazetarët jo vetëm të kryejnë detyrën e tyre, por janë në kundërshtim me parimet e komunikimit publik të një kryeministri, që duhet të përballet me gazetarët dhe të japë përgjigje për çështje që shqetësojnë opinionin publik. Masa të tilla janë tregues për rënien e lirisë së medias në Shqipëri,” thotë për DW, Aleksandër Çipa.

Sipas sondazhit 2022 të organizatës ndërkombëtare "Gazetarë Pa Kufij,” që monitoron dhe mbron të drejtën e lirisë së informimit, Shqipëria renditet në vendin e 103-të ndër 180 vende të botës, të monitoruara lidhur me këtë të drejtë. Kjo renditje shënon një rënie prej 20 vendesh në krahasim me sondazhin e mëparshëm.

Aleksander Cipa Medien Analyst

Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa

Qëndrim  i pa pranueshëm

Për Koloreto Cukalin, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias, masa ndëshkuese e kryeministrit Rama ndaj gazetarit Klevin Muka për shkak të pyetjes së tij është e papranueshme. "Mendoj që kryeministri ka tre ide të gabuara: që ai mund të përzgjedhë pyetjet që i adresohen; që është i plotëfuqishëm dhe mund të dërgojë gazetarë  për "riedukim”; dhe së treti që i takon atij të përcaktojë çfarë është gazetari etike e çfarë jo. Përveꞔ protestës dhe plotësimit të kërkesave të gazetarëve,  Këshilli Shqiptar i Medias, do ta raportojë rastin në të gjitha instancat europiane dhe shoqatat ndërkombëtare të gazetarëve”, thotë për DW, Koloreto Cukali. 

Domosdoshmëri krijimi i sindikatave të gazetarëve

Në Shqipëri mungojnë sindikatat e gazetareve që do të luanin një rol të rëndësishëm për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve dhe punonjësve të medias. "Sindikatat do të mundësonin që gazetarët të mos kenë frikën e ndëshkimit nga pyetjet që mendojnë të adresojnë në konferenca shtypi. Krijimi i sindikatave do të forconte solidaritetin mes gazetarëve që rezulton të mos jetë i fuqishëm dhe në nivelin e duhur, si tregoi edhe protesta e mbrëmshme. Organizimi në sindikata është rruga e duhur drejt një gazetarie të pavarur, cilësore  dhe kritike,” thotë për DW, Osman Stafa.

Koloreto Cukali e vlerëson ngritjen e sindikatave së gazetarëve si ”nevojë jetike dhe historike e gazetarisë në Shqipëri”. "Sa më shumë vonon aq më shumë e pengon fuqizimin e gazetarisë si profesion. Shoqatat e gazetarëve kanë misionin dhe punën e tyre, por nuk mund të zëvendësojnë sindikatat, që janë mbrojtja më e mirë e gazetarit, si ndaj punëdhënësit, ashtu dhe ndaj abuzimeve të pushtetit,” thotë për DW, Koloreto Cukali.

Albanien Coronavirus Koloreto Cukali

Koloreto Cukali

Jo akuza ndaj gazetareve për pyetje që nuk u pëlqejnë politikanëve

Rrjeti rajonal „Gazetarë të Sigurtë” (SafeJournalist Network” që funksionon në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Kroaci, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Shqipëri dhe ka në përbërje të tij  8.200 gazetarë profesionistë nga këto vende, ka dënuar qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj gazetarit Klevin Muka. "Politikanët duhet të ndalojnë së akuzuari gazetarët për "sjellje joetike”, kur atyre nuk u pëlqejnë pyetjet. U rikujtojmë se janë të detyruar t'u përgjigjen të gjitha pyetjeve me interes publik, e jo t'i refuzojnë përgjigjet. Zyrat publike janë të detyruara t'i nënshtrohen një shkalle më të lartë mendimesh kritike që kanë të bëjnë me rezultatet e punës së tyre dhe kryerjen e funksionit që kanë. Rasti i gazetarit Klevin Muka përbën "cënim të lirisë së medias”, citohet në mediat e Tiranes të ketë deklaruar ky rrjet. Rrjeti rajonal ”Gazetarë të Sigurtë”  bën thirrje për më shumë solidaritet mes gazetarëve në Shqipëri dhe për "aleanca më të gjera për lirinë e medias.”

.