1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Në Shqipëri integriteti i medias rrezikohet nga krimi"

3 Maj 2022

Organizata "Reporterë pa kufij" (RSF) në ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit e paraqet gjendjen e shtypit në Shqipëri të përkeqësuar. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i quan gënjeshtra dhe fantazi gjetjet e RSF.

https://p.dw.com/p/4Am18
Reporter ohne Grenzen deutsches Logo deutsch

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, 3 maji, e gjen sivjet Shqipërisë ndër vendet problematike dhe që kanë shënuar rënie të kësaj lirie. Në raportin e organizatës ndërkombëtare „Reporterë Pa kufij" të publikuar të martën (03.05) situata e lirisë së medias paraqitet e rrezikuar nga " kërcënimi i pavarësisë editoriale nga rregullimi partizan i medias, cënimi i integritetit fizik prej krimit të organizuar dhe dështimi i shtetit për t'i mbrojtur punonjësit e shtypit."

Shqipëria në raportin e sivjetëm të Reporterëve pa kufij (RSF) zë vendin e 103-të ndër 180 vende të botës, gjë që përbën një rënie prej 20 vendesh, krahasuar me vitin 2021 kur renditej në vendin 83-të.

Gjetjet e RSF: Peisazhi mediatik në Shqipëri

Mediat private, që kanë më tepër ndikim tek publiku, zotërohen nga një numër i pakët kompanishë, të cilat kanë njëherazi biznese, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe janë të lidhura me politikanë, konstaton raporti i RSF. Si media të tilla ky raport përmend RTSH, Top Channel, Klan dhe RTV Ora.

Sipas raportit vetëm një numër i vogël, ndër qindra media online, ka një model biznesi të qëndrueshëm me financim transparent.

Konteksti politik

Raporti i RSF 2022 konstaton që gazetarët në Shqipëri përballen me presione politike, që "u shtuan vitin e kaluar nga synimi për të kontrolluar informacionin gjatë zgjedhjeve parlamentare 2021 dhe pandemisë Covid-19”.

"Klasa politike kërcënon pavarësinë e redaksive nëpërmjet institucioneve shumë të politizuara të rregullimit të medias dhe menaxhimit të medias publike. Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme të rregullta politike që kërkojnë t'i diskreditojnë. Gazetarët kanë vështirësi në marrjen e informacionit publik, gjë që rrezikon kufizime të mëtejshme nga një centralizim i fundit i komunikimit nga qeveria,” theksohet në raportin e RSF.

Kuadri Ligjor

Sipas RFS mbrojtja për konfidencialitetin e burimeve të informacionit të marrë prej gazetarëve është e pamjaftueshme. "Nga axhenda politike ende nuk është hequr qartazi e ashtuquajtura paketë anti-shpifje, që do t'i jepte shtetit pushtet disproporcional mbi përmbajtjen e mediave online dhe do të përforconte autocensurën, ndonëse versioni i saj fillestar është kritikuar nga Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e shtypit,” verën raporti i RSF.

Konteksti social dhe kulturor

Sipas raporti 2022 të RSF profesionistët e medias që hetojnë krimin dhe korrupsionin janë veçanërisht të kërcënuar në Shqipëri. Gazetaret, gra dhe vajza, që përbëjnë pjesën më të madhe në gazetari përballen me ngacmime në internet dhe në disa raste me diskriminim me bazë gjinore në redaksitë e tyre, ndonëse në këtë drejtim ka edhe progres, vëren raporti.

"Vetëcensura është e përhapur. Pavarësisht kërcënimit ndaj pavarësisë së tyre editoriale, mediat krijuan një platformë për vetërregullimin etik, e para e këtij lloji në Shqipëri,” vlerëson RSF.

Klimë dhune ndaj profesionistëve të medias

Raporti i RSF 2022 pohon praninë e rrjeteve të organizuara kriminale në Shqiëri. "Ato nuk paraqesin rrezik vetëm për sigurinë fizike të gazetarëve. Mosndëshkimi i krimeve të kryera kundër gazetarëve, i kombinuar me përpjekjet politike për t'i diskredituar ata, krijon një klimë dhune që mund të nxisë sulme të reja kundër profesionistëve të medias. Në vitin 2021, reporterët që mbulonin protestat dhe operacionet e zbatimit të ligjit pësuan disa akte të dhunës policore,” thekson raporti

Rama: Janë gënjeshtra dhe fantazi gjetjet e raportit 2022 të RSF

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përgënjeshtroi gjetjen e raporti 2022 të RSF. Në një postim në median sociale ai i quan ato "gënjeshtra dhe fantazi”

"Gazetarët viktima të dhunës policore? Çfarë gënjeshtre? Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike? Çfarë fantazie? Vetërregullim etik? Çfarë talljeje? Në Shqipëri nuk ka as media të kërcënuar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre. Flitet për gjyqe me gazetarë, kur në fakt s'ka! Flitet për ligjin antishpifje kur në fakt s'ekziston!” u shpreh kryeministri Rama në një postim në twitter.

Media e pavarur kyç për luftën kundër pandëshkueshmërisë

Në Dita Botërore të Lirisë së Shtypit, SHBA dha sivjet një mesazh për „rolin parësor që ka media e fortë dhe e pavarur që lufta lundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë të përfundojë."

„SHBA ritheksojnë mbështejen e tyre të palëkundur për gazetarët e pavarur që përpiqen të zbulojnë dhe të përcjellin të vërtetën, të luajnë rolin e tyre mbikqyrës në mënyrëtë përgjegjshme dhe të punjnë në një mjedis pa përndjekje, frikësime dhe vetëcensurë", thekson në një postim në median sociale Ambasadorja e SHBAnë Tiranë, Yuri Kim.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana