Tiranë: Basha përjashton Berishën nga grupi parlamentar i PD | Ballkani | DW | 10.09.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Tiranë: Basha përjashton Berishën nga grupi parlamentar i PD

Pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PD, Sali Berisha reagoi duke thënë, se do të jetë në Parlament dhe se është i gatshëm të marrë ꞔdo post në PD.

Partia Demokratike, (PD) rikthehet të premten (10.09) në Parlamentin e ri, të dalë nga Zgjedhjet Parlamentare 2021, pas dy vitesh mungese, por lideri i saj historik, Sali Berishën, ëshë përjashtuar nga grupi parlamentar i PD. Vendimin e përjashtimit e mori të enjten në mbrëmje kryetari i PD, Lulzim Basha. Në një deklaratë publike ai njoftoi, se ish-kryeministri dhe ish-presidenti, Sali Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit parlamenar të PD. Në maj të këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit, shpalli Berishën "person të padëshiruar” që për shkak "të akteve korruptivë që cënojnë demokracinë në Shqipëri atij dhe familjes së tij u ndalohet hyrja në territorin e SHBA”.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, i kërkoi publikisht në fund të korrikut Lulzim Bashës, që PD të distancohej nga zoti Berisha para fillimit të Parlamentit të ri. "Kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore të Berishës për transparencë dhe zbardhje të plotë të kësaj ꞔështjeje në rrugë gjyqësore, ai nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të PD”, njoftoi të enjten, Lulzim Basha. Ai theksoi se vendimi i tij, ”do të shmangte keqpërdorimin e kësaj ꞔështjeje nga kushdo, për të dëmtuar interesat e demokratëve dhe të PD dhe do t'i hiqte cilitdo alibinë për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë, keqqeverisjen dhe korrupsionin tetë vjeꞔar të Edi Ramës.”

Sali Berisha është zgjedhur deputet i PD në të gjitha zgjedhjet palamentare në këto 30 vjet të Shqipërisë post-komuniste, gjithsej tetë legjislatura, duke përfshirë edhe legjislaturën që fillon të premten punimet.  

Berisha: Vendimi është nul. Do të jem i pranishëm

Berisha e quajti "nul”, të pavlefshëm vendimin e Bashës për përjashtimn e tij nga parlamenti. "Vendimi është jashtë çdo norme staturore dhe ligjore. Basha duhet të mblidhte Kongresin e PD-së, të ndryshonte statutin dhe të vendoste një nen, në të cilin të sanksionohej përjashtimi i personave që dezinjohen "non grata” nga SHBA apo ndonjë vend tjetër. Ky nen nuk ekziston. Ai shpalli një vendim që është nul. Sepse është i tiji dhe i asnjë forumi të PD,” tha Berisha mbrëmë në kanalin televiziv,”Syri net”.

Berisha u shpreh, se vendimi i Bashës për përjashtimin e tij nga prupi parlamentar i PD është asgjësim i kësaj partie si opozitë sovrane. "Me këtë vendim për interesat  e veta Basha i jep goditjen më të madhe PD dhe Shqipërisë. Kjo është tani një fasadë opozitë. Ai duhet të jepte dorëheqjen para se ta merrte këtë vendim. PD sot nuk është gjë tjetër vetëm një satelit i Edi Ramës” tha Berisha të enjten në mbrëmje.

Berisha rikthehet në krye të PD?!

Berisha parashikon zhvillime në PD, kur deklaroi mbrëmë se "është i hapur ndajçdo posti”. ”PD në 8 vite ka kaluar nga disfata në disfatë. Mijëra demokratë janë lënduar sonte si asnjëherë më parë. Janë lënduar edhe të gjithë ata shqiptarë që besojnë se forcat opozitare duhet të qëndrojnë sovrane. Do të bëj gjithçka për rikthimin e sovranitetit të PD, për të kthyer ato parime që shkelmoi në mënyrë të pa imagjinueshme Basha dhe pa të cilat forca politike është një fasadë-opozitë”.

Për dorëheqjen e Bashës si kryetar i PD ngaqë nuk ka respektuar forumet e kësaj partie ka folur mbrëmë edhe ish-presidenti Bujar Nishani. "Basha duhet të japë dorëheqjen, nuk është legjitim në krye të PD. Ai ka përdhosur institucionet e PD. Anëtarët e PD të nisin procedurat për shkarkimin e Bashës”, deklaroi ai mbrëmë në një intervistë në kanalin televiziv "Syri Net”.

 

.