Talibanët në pallatin presidencial në Kabul | Bota | DW | 15.08.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Talibanët në pallatin presidencial në Kabul

Islamistët në prag të marrjes së pushtetit në Kabul. Ata kanë marrë pallatin presidencial. Kreu i shtetit Ghani është arratisur prej vendit. SHBA dhe vende të tjera po evakuojnë personelin e ambasadave.

Në fushatën e tyre të shpejtë dhe të suksesshme të pushtimit islamistët radikal taliban kanë depërtuar në kryeqytetin Kabul dhe pas 20 vjetësh ndodhen në prag të kthimit në pushtet. Vetëm tre muaj pas fillimit të tërheqjes së trupave ndërkombëtare ata depërtuan në kryeqytet. Ata erdhën nga „të gjitha anët", tha një përfaqësues i nivelit të lartë të Ministrisë afgane të Brendshme për agjencinë Reuters. Në kryeqytet u zbrazën rrufeshëm godinat qeveritare përpara depërtimit të talianëve.

Presidenti Ghani ndodhet jashtë vendit

Talibanët sipas të dhënave të tyre kanë marrë nën kontroll disa distrikte të kryeqytetit. Edhe pallati presidencial ndodhet nën kontrollin e tyre. Qeveria afgane nuk e konfirmoi këtë fillimisht. Televizioni arab Al Jazeera publikoi në Twitter imazhe nga godina, që tregojnë luftëtarët talibanë në mjediset e pallatit.

Më parë presidenti Aschraf Ghani ishte larguar me nxitim nga vendi. Mediat lokale njoftuan, se ai ishte arratisur për në Taxhikistan. Në mbrëmje ai e argumentoi këtë hap me shprehjen: „për të shmangur gjakderdhjen". Nëse ai do të kishte qendruar, bashkëatdhetarët do të vuanin vdekjen e martirizimit dhe qyteti i Kabulit do të ishte shkatërruar, shkruan Ghani në Facebook. Njëkohësisht ai pranoi dështimin ushtarak kundrejt talibanëve.

Islamistët, sipas të dhënave të veta, ishin duke negociuar me qeverinë afgane për një dorëzim paqësisht të qytetit. Ndonëse ka pasur njoftime edhe për luftime në periferitë e qytetit. Nuk do të ushtrohet hakmarrje, thotë një zëdhënës taliban. Të gjithë, që kanë shërbyer në qeveri apo në ushtri, do të falen. Civilët s'duhet të kenë frikë dhe të largohen nga vendi. Aeroporti i Kabulit mbetet në funksion. Të huajt munden të largohen nga kryeqyteti afgan, nëse e dëshirojnë këtë.

Talibanët inistojnë për marrjen e plotë të pushtetit

Ministri i Brendshëm Abdul Sattar Mirsakval deklaroi një „dorëzim paqësor të pushttit". Nuk do të ketë sulm ndaj Kabulit, komunikoi ai për televizionin Tolo. Ai u shpreh për një qeveri tranzicioni, pa përmendur detaje. Nga qarqet diplomatike thuhet, se qeveria afgane do të propozojë për president të ri të vendit ish-ambasadorin në Gjermani, Ali Ahmad Jalali. Ai konsideorhet si kandidat kompromisi, që ndoshta mund të pranohet nga pala tjetër.

Në Katar diskutohet prej muajsh

Bisedimet e paqes kanë ngecur, në takimin mes përfaqësuesve të qeverisë afgane dhe të talianëve, i tha një anëtar i delegacionit qeveritar agjencisë Reuters. Në këto bisedime janë përfshirë edhe SHBA. Përfaqësues të talibanëve konfirmuan, se ka bisedime për një dorëzim paqësor të pushtetit, por ata i përgënjeshtruan të dhënat se do të ketë qeveri tranzicioni. Kjo nuk do të ndodhë, i thanë ata agjencisë Reuters. Talibanët insistojnë për një marrje të plotë të pushtetit.

Gjermania dhe shtete të tjera evakuojnë personelin e ambasadave

Në sfondin e depërtimit të milicëve taliban drejt Kabulit presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka rritur numrin e ushtarëve të SHBA-së, të cilët do të ndihmojnë tani në evakuimin e personelit të ambasadës në kryeqytetin afgan. Nga 3000 ushtarë të parashikuar fillimisht tani do të angazhohen „rreth 5000 ushtarë", për të garantuar udhëtimin e personelit të ambasadës dhe të një sërë forcave civile lokale, deklaroi Biden. Ambasada ka nisur evakuimin. Punonjësit e parë janë larguar nga ambasada, pjesa më e madhe e personelit është e gatshme për t'u larguar, deklaruan përfaqësuesit e SHBA-së.

Ushtria gjermane, Bundeswehr, ka nisur ndërkohë angazhimin me intensitet të lartë për evakuimin e punonjësve të ambasadës si dhe të shtetasve të tjerë gjermane. Ambasada gjermane në Kabul është mbyllur tashmë. Të hënën (16.08) disa avionë transportues të ushtrisë gjermane të tipit A400M do të ulen në Kabul, për të sjellë në siguri punonjësit e ambsadës gjermane. Këtë e njoftoi gazeta "Bild am Sonntag".

Kancelarja Angela Merkel të shtunën (14.08) u konsultua me disa ministra për gjendjen, vuri në dukje një zëdhënës qeveritar. Pjesëmarrja e Bundestagut për miratimin e një vendimi të tillë do të pasojë.

Ministri i Jashtëm Heiko Maas e cilësoi si prioritetin më të lartë sigurinë e personelit të ambsadës. "Ne nuk do të rrezikojmë, që njerëzit tanë të bien në duart e talibanëve. Ne jemi të përgatitur për të gjitha opsionet", i tha gazetës „Bild am Sonntag", kreu i diplomacisë gjermane, socialdmeokrati Heiko Maas. Sipas kësaj gazete në Tashkent të Uzbekistanit do të krijohet një qendër për evakuimin.

ml/wa/qu/sti (rtr, dpa, afp)