Intervistë me Werner Schulz-in
16 Qershor 2012DW: Zoti Schulz, ju dhe kolegia juaj e Parlamentit Evropian, Rebecca Harms, shpalosët një banderolë në stadiumin e Harkivit gjatë ndeshjes Gjermani - Holandë (13.06.2012), në të cilën ju kërkonit liri për të burgosurit politikë në Ukrainë. Si u reagua ndaj kësaj?
Werner Schulz: Jam në gjendje të vlerësoj vetëm reagimet në tribunën e nderit. Kishte kryesisht interesim të shprehur me gëzim, miratim me kokë dhe vetëm protestë të veçuar. Megjithatë, pas nesh ishte ulur asisteni i kryetarit të bashkisë së Harkivit. Ai reagoi i zemëruar dhe ishte i mendimit se kjo nuk kishte të bënte aspak me sportin. E sqaruam që sporti dhe politika nuk janë botë të ndara, që dhënia e Kampionatit Evropian Ukrainës ishte një vendim shumë politik.
Ju ishit politikanët e parë evropianë, që vizituat Julia Timoschenkon në spital gjatë Kampionatit Evropian të Futbollit. Për çfarë falët ju dhe Rebecca Harms me ish-kryeministren e burgosur?
Zhvilluam një bisedë shumë të hollësishme (rreth dy orë e gjysmë). Ajo shqetësohet shumë për të burgosurit e tjerë. Nuk është vetëm Julia Timoschenko në burg, ajo është vetëm maja e padrejtësisë. Është një fushatë hakmarrjeje kundër forcave të Revolucionit Portokall, të cilin presidenti Viktor Janukoviç po e zhvillon me ndihmën e prokurorisë. Ajo brengoset para së gjithash ngaqë Ukraina po largohet prej rrugës demokratike dhe po bie në despotizëm ose një lloj monarkie.
A është shprehur zonja Timoshenko në favor të sanksioneve kundër Ukrainës nga ana e Bashkimit Evropian?
Ajo tha, që të këqyrim njëherë edhe lidhjet e punës të presidentit, sepse në to nuk bëhet aq shumë fjalë për politikë, po për para, për pasurim. Dhe që duhen parë me kujdes llogaritë bankare jashtë vendit. Asaj nuk i duken me vend sanksionet kundër atdheut të saj.
Zonja Timoshenko është prej muajsh e sëmurë dhe po trajtohet nga mjekë gjermanë. Si është ajo tani?
Po të kihen parasysh rrethanat, mirë. Besoj se ajo e ka marë disi veten nga greva e urisë. Ajo është shumë e trime dhe i përmbahet terapisë që i kanë propozuar mjekët gjermanë. Por në kushte burgu nuk mund të shërohesh. Veçanërisht i rëndë është terrori psikologjik. Ajo ruhet orë e minutë (me kamera dhe me një numër punonjësish sigurie. Veç kësaj ajo ka frikë prej mjekëve ukrainas. Nuk u zë besë atyre. Nuk lejon që ata t'i marrin gjak ose që t'i bëjnë injeksione. Ajo thotë se ish-ministri i Brendshëm Jurij Luzenko u sëmur në mënyrë të mistershme me hepatit në burg. Në Ukrainë ka me sa duket metoda të paskrupull për të shmangur opozitën.