1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Dënohet ish-bashkëpunëtori i një politikani të AfD

1 Tetor 2025

Jiang G, ish-bashkëpunëtor i deputetit të AfD, Maximilian Krah, u dënua në Drezden me katër vjet e nëntë muaj burg për spiunazh për shërbimin sekret kinez.

https://p.dw.com/p/51H2s
Gjermani Dresden 2025 | Jian G. futet me duar të lidhura nga policia në sallën e gjyqit
Jiang G. futet në procesFotografi: Sebastian Kahnert/dpa/picture alliance

Punonjësi i deputetit të AfD-së, Jiang G., i cili është shtetas gjerman, ka spiunuar për shërbimin sekret kinez për vite me radhë . Ai i ka siguruar shërbimit kinez qindra dokumente, disa prej të cilave ishin të ndjeshme. Jiang G. përdori rolin e tij si asistent i deputetit tëAfD Maximiliarn Krah, gjatë mandatit të tij të mëparshëm si anëtar i Parlamentit Evropian në Bruksel nga viti 2019 deri në vitin 2024 për të mbledhur informacione.

Gjykata e Drezdenit konstatoi po ashtu se Jiang G. spiunoi disidentët kinezë, por mblodhi edhe informacione mbi udhëheqjen e partisë AfD.

Gjermani Dresden 2025 | Gjykatësi Hans Schlüter-Staats dhe trupi gjykues shqiptojnë dënimin në sallën e gjyqit
Gjykata shqipton dëniminFotografi: Sebastian Kahnert/dpa/picture alliance

Po bashkëpunëtori i dyshuar?

Jiang G. i mohoi akuzat gjatë procesit gjyqësor kundër tij. "Unë nuk kam punuar për shërbimin e inteligjencës kineze dhe jam i pafajshëm", tha ai në një seancë dëgjimore javën e kaluar.

Avokati i tij kishte kërkuar lirim nga akuzat për shkak të provave të pamjaftueshme. Ndërsa prokurori i rastit kishte kërkuar një dënim me shtatë vjet e gjysmë burg.

Bashkëpunëtorja e dyshuar e Jiang G., e bashkëakuzuara Jaki S, u akuzua për dhënien e informacionit mbi ngarkesat, fluturimet dhe pasagjerët si punonjës i një kompanie logjistike në Aeroportin e Lajpcigut. Gjatë gjyqit, ajo pranoi, se kishte dhënë informacion, por mohoi çdo dijeni për aktivitetet e mëtejme. Gjykata e dënoi atë me një dënim me kusht prej një viti e nëntë muajsh.

Gjermani Drezden 2025 | Maximilian Krah duke shkuar në gjykatë si dëshmitar i ndjekur nga kameramanët e medias, që e filmojnë atë.
Maximilian KrahFotografi: Jens Schlueter/AFP

Gjyq i veçantë për politikanin e AfD-së

Zyra e prokurorit publik të Drezdenit po heton politikanin e AfD-së, Maximilian Krah, në një rast të veçantë për ryshfet dhe pastrim parash në lidhje me pagesat kineze. Si dëshmitar në këtë gjyq, ai deklaroi se nuk kishte dijeni për aktivitetet e spiunazhit të ish-kolegut të tij apo për anëtarësimin e tij në Partinë Komuniste Kineze.