Si Turqia synon të tërheqë turistët rusë | Bota | DW | 05.05.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Si Turqia synon të tërheqë turistët rusë

Turqia po përpiqet të tërheqë më shumë turistë rusë duke zgjeruar përdorimin e “Mir”, sistemi vendas rus i pagesave, pasi ajo kërkon të anashkalojë pengesat e krijuara nga sanksionet perëndimore.

Turqia sivjet dëshiron t'i rrisë të ardhurat që vijnë nga turizmi e t'i çojë ato në nivelet e para-pandemisë, për të rigjallëruar një ekonomi të goditur rëndë nga kriza e zhvleftësimit të lirës turke. Kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, sepse Turqia mbështetet shumë tek energjia, tregtia dhe turizmi rus. Në vitin 2019, shkëmbimi tregtar midis dy vendeve arriti në 26.3 miliardë dollarë (25.07 miliardë euro), ndërsa Rusia është gjithashtu një nga furnizuesit kryesorë të energjisë për Turqinë. 

Turqia, vend anëtar i NATO-s, i kundërshton në parim sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe nuk iu është bashkuar këtyre sanksioneve. Ajo dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën, në mes të një krize ekonomike të thelluar në vend, me inflacionin që arrin në nivelin më të lartë të 20 viteve, nëpërmjet rritjes së kostove të energjisë dhe të grurit. 

Kjo është arsyeja pse të ardhurat nga turizmi shihen si jetike për reduktimin e deficitit, por kufizimet e pagesave me karta dhe operacionet e fluturimeve për shkak të sanksioneve kanë shkaktuar frikën e një rënieje të turizmit rus në Turqi. Megjithatë, Turqia mund të ketë gjetur një zgjidhje. 

Rusët mund të paguajnë me kartat "Mir” 

Gjigantët amerikanë të kartave Mastercard dhe Visa kanë pezulluar veprimet bankare për shtetasit rusë si pjesë e sanksioneve amerikane që synojnë të ndëshkojnë presidentin Vladimir Putin. Por Turqia ka një formulë për të lejuar turistët rusë të udhëtojnë në Turqi, duke anashkaluar pezullimin e Visa dhe Mastercard: rusët në Turqi janë në gjendje të aksesojnë fondet e tyre përmes sistemit rus të pagesave "Mir”.

Rusia krijoi "Mir” (rusisht do të thotë "paqe" ose "botë") në vitin 2014, nga frika se sanksionet perëndimore kundër bankave ruse dhe njerëzve të biznesit për aneksimin e Krimesë mund të bllokonin transaksionet e bëra me Mastercard dhe Visa. Më vonë "Mir” u prezantua në disa vende të huaja ku udhëtojnë dhe jetojnë rusët.

Sipas Bankës së Rusisë, kartat "Mir”, të përdorura për transferta bankare, pranohen në të gjithë Federatën Ruse dhe në 12 vende të tjera, duke përfshirë Armeninë, Kirgistanin, Kazakistanin, Bjellorusinë, Vietnamin dhe Qipron. Në fund të vitit 2021, numri i kartave të lëshuara "Mir” arriti në 113.6 milionë. 

Türkei Nureddin Nebati, Finanzminister

Nureddin Nebati, ministër Financash

Pagesat nëpërmjet kartave "Mir” në Turqi aktualisht pranohen nga Isbank, Ziraat Bankasi dhe VakifBank. Isbank filloi të pranojë kartat "Mir” në vitin 2019, duke nënvizuar marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve. Ministri turk i Thesarit dhe Financave, Nureddin Nebati, tha se shkalla e përdorimit të kartës "Mir” në Turqi është aktualisht rreth 15%. Bankat po punojnë për ta rritur përdorimin, duke injoruar thirrjen e bankës qendrore të Ukrainës muajin e kaluar drejtuar vendeve, përfshirë Turqinë, për të pezulluar të gjitha transaksionet me kartat "Mir”. 

Aktualisht, përveç kartave "Mir” dhe parave në dorë, rusët në Turqi nuk kanë mundësi të tjera pagese për shkak të sanksioneve perëndimore. Ka pasur raportime në media se bankat turke kanë qenë të kujdesshme në hapjen e llogarive bankare për rusët e sapoardhur në Turqi, nga frika e shkeljes së sanksioneve. Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, mijëra rusë kanë mbërritur në Turqi, duke e parë atë si një strehë të sigurt nga sanksionet. 

Dilema e luftës 

Ekspertët paralajmërojnë se përpjekjet e Turqisë mund të interpretohen si anashkalim i sanksioneve kundër Rusisë. "Turqia, e cila ndan Detin e Zi me Rusinë dhe Ukrainën, ka "ndërlikuar" marrëdhëniet politike dhe ekonomike me këto vende” - tha për DW ekonomistja nga Stambolli Güldem Atabay, duke shtuar se "Ashtu siç Gjermania nuk mund të vendosë një embargo energjetike, edhe qëndrimi turk për këtë çështje është i njëjtë, pra të mbrojë veten”. 

Megjithatë, ajo paralajmëron se Turqia duhet të jetë e kujdesshme me qasjen e saj. "Nëse ka përpjekje për të blerë energji nga Rusia dhe për t'ia shitur atë Perëndimit, atëherë qëndrimi i Turqisë do të shndërrohet nga i drejtë, në të gabuar. Duke pasur parasysh që ne jemi një vend ku probabiliteti i nismave të tilla është i lartë, nëse fillojmë të dëgjojmë për produktet e naftës që blihen e përpunohen këtu dhe më pas shiten në Perëndim, atëherë ky mund të jetë problem. Do të ishte problem nëse Turqia bëhet një mjet për Rusinë, në mënyrë që kjo e fundit t'i shmanget embargos perëndimore. Ndjekja penale amerikane e huadhënëses shtetërore turke Halkbank, e cila akuzohet se ka ndihmuar Iranin të shmangte sanksionet amerikane, është një rast i tillë” - tha Atabay. 

Güldem Atabay I Wirtschaftswissenschaftlerin

Güldem Atabay

Strategu i "BlueBay Asset Management" me bazë në Londër, Timothy Ash, është gjithashtu kritik ndaj qasjes së Turqisë ndaj sanksioneve kundër Rusisë, duke paralajmëruar në Twitter se Turqia po shkelte në një vijë të hollë.  

A është i arritshëm objektivi për turizmin?

Qeveria turke shpresonte të kishte një rimëkëmbje nga turizmi i këtij viti dhe t'i çonte fitimet në një njëjtat nivele para pandemisë, ku të ardhurat nga ky sektor kapnin vlerën e 35 miliardë dollarëve.

Megjithatë, Turqia nuk do të jetë në gjendje ta arrijë këtë qëllim, sipas Atabay. Ajo thotë se ekonomia e Rusisë pritet të tkurret me 10% këtë vit. "Monedha e tyre është zhvleftësuar, inflacioni është rritur. Prandaj, fuqia blerëse e turistëve rusë dhe e popullit rus është ulur. Disa qytetarë rusë gjithashtu do të heqin dorë nga pushimet" - tha ajo. Sipas shifrave të Ministrisë turke të Turizmit, rreth 4.7 milionë turistë rusë, nga 24.7 milionë turistë të huaj në total, vizituan Turqinë vitin e kaluar. Ata zunë 19% të turistëve, ndjekur nga turistët nga Gjermania me 12.5% dhe ata nga Ukraina me 8.3%.