Shtypi gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 11.11.2003
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman

Vendimi për përfundimin përpara kohe të karrierës partiake dhe parlamentare të deputetit kristiandemokrat gjerman Martin Hohmann erdhi thuajse njëkohësisht nga parlamenti dhe nga krerët kristiandemokratë në rang federate dhe landi. Sulmet e tij antisemitike ishin për ditë me radhë temë në opinionin publik, kështu edhe sot.

Gazeta Rheinpfalz në Ludwigshafen shkruan:

"Pra tani po. Pas ditësh përpjekjesh për të qetësuar kreu i fraksionit parlamentar të bashkimit kristiandemokrat-kristiansocial vendosi që të ndahet nga deputeti i diskutueshëm Martin Hohmann. Edhe dega e Partisë Kristiandemokrate e landit të Hesenit do të fillojë një procedurë përjashtimi. Në këtë mënyrë kryetarja e partisë Angela Merkel po nxjerr konsekuencat e duhura. Me fjalimin e tij të trashë dhe të paturp mbi popullin fajtor hebre Hohmann përdori klishetë e zakonshme antisemitike dhe kapërceu kështu kufijtë që mund të quhen të lejueshëm për një deputet kristiandemokrat në parlamentin federal."

Gazeta Berliner Kurier mendon:

"Tani CDU-ja dashka ta heqë qafe Hohmann-in. Fraksioni parlamentar i bashkimit kristiandemokrat-kristiansocial nuk mund të presë të marrë duartrokitje për këtë hap që duhej ndërmarrë me kohë. Na është dashur të dëgjojmë më tepër përpjekje kristiandemokrate për sqarim se ç'duhet. Ndoshta largimi i bashkëqytetarëve hebrenj nga sinagoga u hapi sytë atyre njerëzve që me gjithë qejf do të kishin kthyer kokën mënjanë. Nuk ishin sharjet e Hohmann-it ato që e detyruan udhëheqjen e CDU-së që të vepronte. Ishte trysnia nga jashtë, ndaj së cilës ajo u përkul. Ruhuni nga fillimi i së keqes - edhe kur puna zgjat."

Gazeta Handelsblatt iu kushtohet dëshirave financiare të landeve lindore, gjermane:

"Fakti që tani landet e reja kërkojnë "pagesa të veçanta" nga federata nuk mund të justifikohet objektivisht. Ndërkohë njerëzit në Gjermaninë lindore nuk jetojnë edhe aq keq. Shpesh qytetet e tyre janë të rinovuara më mirë, pensionet janë shpesh shumë herë më të larta dhe në të njëjtën kohë shpenzimet e tyrë të domosdoshme të jetesës janë ndjeshëm më të ulta sesa në shumë rajone gjermanoperëndimore. Pak më shumë realizëm do t'u bënte mirë gjermanolindorëve. Është edhe në interesin e tyre: Vende të reja pune do të krijohen vetëm atëherë kur të arrihet ristrukturimi i shtetit social. Ka ardhur koha që politikanët gjermanolindorë të gejnë rrugën për të dalë nga roli tashmë i dashur i gjoja viktimës së Bashkimit të Gjermanisë."

Së fundi gazeta Süddeutsche Zeitung mbi terrorin në Arabinë Saudite:

"Shtëpia mbretërore mund të bëhet tani aleate e vërtetë në luftën kundër terrorizmit. Thjesht për faktin që bëhet fjalë për mbijetesën e vet. Nga e gjithë kjo në Arabinë Saudite dhe gjetiu në botën islame mund të nxirret mësimi se durimi ose nxitja e ekstremistëve nuk ia vlen. Dikur regjime të tilla e pësojnë, pasi krijesat e tyre dalin jashtë kontrolli. Duhet shpresuar që atentati i fundit në Riad të kontribuojë në demaskimin e terroristëve. Pasi viktimat ishin nga Arabia Saudite, Egjipti, Libani dhe nga Sudani, ishin myslimanë."
  • Data 11.11.2003
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As4T
  • Data 11.11.2003
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As4T