1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Nderohet ish-kryeministri Kostandinos Mitsotakis

28 Tetor 2023

Nje shesh në Shqipëri do të ketë për herë të parë emrin e një politikani grek: atë të ish-kryeministrit të Greqisë, Kostandinos Mitsotakis (1918-2017) .

https://p.dw.com/p/4Y8sB
Busti i ish-kryeministrit grek, Kostandinos Mitsotakis
Busti i ish-kryeministrit grek, Kostandinos MitsotakisFotografi: Albania Prime Minister Press Office

Sheshi në fshatin fshatin Derviҫan, në krahinën e Dropullit, në Gjirokastër, ku jeton një minoritet grek, ka tanimë në qendër të tij edhe bustin e inaguruar të premten, (27.10) me pjesëmarrjen e autoriteteve vendase dhe atyre greke. Kostandinos Mitsotakis nderohet si i pari kryeministër grek që vizitoi Shqiperinë në vitin 1990, në prag të rënies së diktaturës komuniste.  Vizita e tij, 33 vite më parë, mbetet historike në klimën pozitive që ajo solli në marrëdhëniet e trazuara mes dy vendeve fqinjë.  Nga qeveria e Tiranës nderimi i ish kryeministrit grek Kostantin Mitsotakis shihet edhe si një dëshmi e vullnetit dhe dëshirës për të tejkaluar tensionet aktuale mes dy vendeve.

Kostandin Mitsotakis rivendosi marrëdhëniet Greqi Shqipëri

Ai luajti një rol historik në rivendosjen e marrëdhënieve mes Greqisë dhe Shqipërisë, dy vende fqinjë të ndara prej gjysëm shekulli nga "Ligji i Luftës” që Greqia shpalli me Shqipërinë, në Luftën e Dytë Botërore, pas sulmit të Musolinit për ta pushtuar atë nga territori shqiptar, i pushtuar po nga Musolini.

Për fat të keq, ky ligj absurd nga Lufta e Dytë Botërore vazhdon të jetë në fuqi edhe sot e kësaj dite mes dy vendeve anëtare të NATO-s.

Kryeministri Rama i bëri homazh në fjalën e tij kontributit të ish-kryeministrit Konstantinos Mitsotakis  në Luftën e Dytë Botërore, kur solli në vëmendje shërbimin e tij "si toger në luftën kundër pushtimit gjerman të Greqisë, anëtar në lëvizjen kombëtare të Kretës, burgosjen nga nazistët dhe përballimin me  dënimin me vdekje”.

"Konstantin Mitsotakis u burgos dhe u dënua me vdekje dy herë nga nazistët, por mbijetoi për mrekulli falë shkëmbimit të 30 të burgosurve gjermanë me dhjetë të burgosur grekë. Për kontributet dhe aktet e tij të jashtëzakonshme të rezistencës, ai u dekorua dy herë pas luftës nga qeveritë e Greqisë dhe Britanisë së Madhe,” theksoi kryeministri Rama në fjalën e tij të rastit.

A mund të tejkalojë ky nderim tensionet aktuale?

Kryeministri aktual, Kyriakos Mitsotakis, nuk mori pjesë në ceremoninë e nderimit të të atit. Ai nuk mbajti premtimin e dhënë publikisht, në dhjetor të vitit të kaluar, kur gjatë vizitës së tij në zonat e minoritetit grek deklaroi se "do të rikthehej në Shqipëri kur të vendosej busti i babait të tij dhe sheshi i fshatit Derviҫan do të merrte emrin e tij.”

"Do të kisha dashur shumë që Kyriakos Mitsotakis, djali i Konstantinos, kryeministri aktual i Greqisë dhe miku im i dashur, të ishte sot këtu. Me siguri, ai do të kthehet në sheshin që tani mban emrin e babait të tij,” tha kryeministri Rama në fjalën e tij të rastit. Greqia u përfaqësua në ceremoninë e rastit nga politikani grek, Dimitris Avramopoulos dhe ambasadorja greke në Tiranë, Kostantina Kamitsi.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis
Kryeministri grek, MitsotakisFotografi: AFP via Getty Images

Greqia: Burgosja e Belerit, shkelje e të drejtave të minoritetit grek

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë u acaruan në maj të këtij viti, kur dy ditë para Lokaleve 2023 u arrestua Fredi Beleri, kandidati i opozitës për kryetar bashkie në Himarë , ku jeton një komunitet i minoritetit grek.

Ai u akuzua për "korrupsion aktiv dhe shit-blerje votash” por fitoi zgjedhjet duke qënë i arrestuar. Prej më shumë se 5 muaj Greqia kërkon me këmbëngulje që Belerit t'i lejohet të bëjë betimin si kryebashkiak i zgjedhur edhe pse është ne burg dhe pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku ka ҫuar ҫështjen e tij gjyqësore.. Autohritetet e Shqipërisë i janë përgjigjur kërkesave të Greqisë se fjalën e ka "sistemi i pavarur i drejtësisë”.

Greqia e quan mbajtjen ne burg të Fredi Belerit ,”shkelje të të drejtave të minoritetit grek, mosrespektim të prezumimit të pafajësisët, shkelje e të drejtave civile.”

Kryeministri Rama, në fjalën e rastit në inagurimin e bustit të ish kryeministrit Kostantinos Mitsotakis theksoi, se Shqipëria  "është një vend ku minoritetet gëzojnë me ligj dhe me zakon të drejtat e barabarta me shqiptarët etnikë dhe ku asnjë hall, asnjë problem,asnjë shqetësim nuk ndryshon nga hallet, problemet, shqetësimet e të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.”

Kryeministri Rama e vlerësoi minoritetin grek në Shqipëri si "një pasuri të e çmuar, një urë të pazëvendësueshme të fqinjësisë së mirë me Greqinë, lidhje të pandashme mendjesh e zemrash mes popujve, që jo vetëm nuk këputet kurrë brenda njerëzve, por as nuk dobësohet dot, kur politika hyn në mes tyre së prapthi me tekat dhe arsye të mosarsyes së saj.”

Rama: Kam besim në tejkalimin e tensioneve mes dy vendeve.

"Fatkeqësisht hera-herës, politika elektorale me nevojat e saj jo domethënëse për fatet e vendeve dhe të popujve tanë trazon edhe rrjedhën e natyrshme të vëllazërisë së plazmuar qysh në lindjen e kohërave mes fqinjëve si Shqipëria dhe Greqia, por janë gjëra që kalojnë edhe pse do të ishte mirë të mos ndodhnin, por herë më lehtë dhe herë më vështirë kalojnë dhe sherret dhe keqkuptimet mes vëllezërish që jetojnë në shtëpi të ndryshme”,  tha kryeministri Rama.

Nga qeveria e Athinës dhe kryeministri i saj, Kyriakos Mitsotakis nuk ka ende ndonjë sinjal që kjo do të ndodhë. Greqia ka paralajmëruar se "ҫështja Beleri” do të kete pasoja në procesin e integrimit europian të Shqipërisë". Kryeministri Kyriakos Mitsotakis mori pjesë ne Samitin e Procsit të Berlinit , që u zhvillua anë Tiranë, këtë muaj, më 16 Tetor, por nuk u prononcua lidhur me rastin Beleri.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana