Shqipëria në vend të dytë për dëbimet nga Gjermania | Ballkani | DW | 10.02.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Shqipëria në vend të dytë për dëbimet nga Gjermania

Gjermania ka dëbuar vitin e kaluar në vendet e origjinës pak më shumë njerëz, se vitin e parë të pandemisë, por dukshëm më pak se vitet e kaluara. Shumica e dëbimeve janë kryer me Gjeorgjinë dhe Shqipërinë.

Ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë ka bërë të ditur se vitin e kaluar janë kryer rreth 11.982 dëbime nga Gjermania, më shumë se vitin e kaluar (10.800 vetë), kur trafiku ndërkombëtar ajror ishte më i prekur nga kufizimet e Coronës, por shumë më pak se vitet e kaluara. Për krahasim në vitin 2019, Gjermania dëboi 22.100 vetë, bën të ditur agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Sipas njoftimit të Ministrisë Federale shumica e dëbimeve janë kryer me Gjeorgjinë dhe Shqipërinë. 1.116 vetë janë dëbuar në Gjeorgji, dhe 908 vetë në Shqipëri. Edhe në Kosovë e Turqi ka pasur dëbime. Rreth 400 vetë janë dëbuar në këto dy vende vitin e kaluar. Tek vendet e destinacionit për dëbime edhe vitin e kaluar u renditën Serbia, Pakistani, Moldavia dhe Rumania.

Gjermania prej vitesh nuk dëbon më njerëz në Siri, nga vera e kaluar u ndalën dëbimet në Afganistan, por vitin e kaluar në 470 raste u dëbuan qytetarë me origjinë nga Siria e pa të drejtë qëndrimi në Gjermani, veçse jo në Siri. Qeveria gjermane ka bërë të ditur, se kthimi i tyre në vendin e origjinës kryhet vetëm vullnetarisht.

Ofensivë kthimesh

Në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë gjermane të përbërë nga socialdemokratët, Të Gjelbrit dhe liberalët, thuhet se "ne fillojmë një ofensivë të kthimeve, për të zbatuar me konsekuencë largimin nga Gjermania, veçanërisht dëbimin e kriminelëve dhe personave të rrezikshëm". Sipas vullnetit të partive të koalicionit duhet që me vendet e origjinës të nënshkruhen marrëveshje migracioni ne vende të rëndësishme origjine. Qeveria gjermane planifikon të ketë edhe një të ngarkuar për këtë, por ende nuk është vendosur se në cilën ministri do të vendoset ky post.

la/ag