1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA-Siri: Kthesë apo kozmetikë politike?

Gero Schließ / Vilma Filaj-Ballvora8 Maj 2014

Udhëheqësi i opozitës siriane Xharba zhvillon vizitë disaditore në Uashington. Në prag të saj SHBA zyrat e Koalicionit Kombëtar të Sirisë në Nju Jork dhe në Uashington i klasifikoi si "misione të huaja diplomatike".

https://p.dw.com/p/1BvAN
Ahmed Assi al-Dscharba Ahmad al-Jarba
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

"Kjo është një kthesë për opozitën siriane", thotë Celina Realuyo për Deutsche Welle-n. Që prej më shumë se një viti grupimi opozitar është përpjekur të arrijë në Uashington "një lloj statusi diplomatik", vë në dukje ekspertja për Lindjen e Mesme dhe çështjet e terrorizmit pranë National Defence University.

"Grupime të ndryshme pretendojnë të marrin drejtimin e opozitës siriane. Por është e vështirë të dallosh, se kush prej tyre flet nën mandatin e opozitës siriane", shpjegon përmbledhtazi sfidën e SHBA-së dhe aleatëve të saj, që që prej fillimit të luftës civile në Siri nuk janë në gjendje të veprojnë. Nëse me vlerësimin diplomatik të zyrave të Koalicionit Kombëtar të Sirisë në Uashington dhe në Nju Jork vërtetë "forcohet opozita e moderuar siriane", siç u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Marie Harf, kjo është e paqartë.

Kerry: Jo njohje diplomatike

Ministri i Jashtëm i SHBA-së, John Kerry, i pyetur nga Deutsche Welle në një konferencë shtypi (06.05.2014) lidhur me klasifikimin e ri të zyrave të opozitës siriane, i relativizon ato duke i cilësuar si "misione të huaja diplomatike": "Ne e kemi thënë edhe më parë, që ata janë për ne përfaqësuesit legjitimë, por ne nuk kemi shkuar aq larg, sa t'i njohim ato në aspektin diplomatik."

Për Anthony Cordesman, ekspert i Lindjes së Mesme në qendrën e Uashingtonit Thinktanks Center for Strategic and International Studies (CSIS), ky qëndrim është i kuptueshëm, megjithatë ai thekson, se SHBA-ja duhet të marrë në konsideratë edhe opcione të tjera. "Nëse [John Kerry, shën. i red.] do t'u japë në dorë vërtetë një mjet presioni forcave të moderuara, ai duhet të riskojë pikërisht me atë, për të cilën është rezervuar deri tani gjatë gjithë konfliktit." Cordesman nënkupton me këtë furnizmin e shumë diskutuar me armatime të rënda.

Por edhe pse i pyetur nga Deutsche Welle, ministri i Jashtëm i SHBA-së Kerry nuk u prononcua lidhur me furizime aramtimesh të tilla. Buxheti i ndihmës për Sirinë i shtuar tani edhe me 27 milionë dollarë do të përdoret vetëm për të ashtuquajtura "armë jo vrasëse". "Ne shpresojmë, që do të gjejmë një rrugë, për t'i bërë ballë kësaj duhen të jashtëzakonshme, që po e shkatërron këtë vend", thotë Kerry.

Syrien Rebellen
Luftime në AlepoFotografi: Salah Al-Ashkar/AFP/Getty Images

"Jo më shumë se kozmetikë politike"

Cordesman mendon, se kjo nuk është bindëse: "Nëse është fjala thjeshtë për një sërë aksionesh politike pa efekt ndaj situatës ushtarake, atëherë kjo s'është gjë tjetër veçse një kozmetikë politike". Sipas Cordesman gjithashtu nuk është e qartë, nëse shtete të tjera si p.sh. BE-ja do të ndjekin shembullin amerikan. Përveç kësaj është krejt e paqartë, nëse vendimet amerikane kanë efekt edhe për grupimet e tjera opozitare në luftën civile të Sirisë dhe nëse ato në të ardhmen do të vendosen nën komandën e Koalicionit Kombëtar të Sirisë.

Realiteti i luftës së përgjakshme civile në Siri është krejt ndryshe: sukseset e vazhdueshme ushtarake të Bashar al-Asadit kanë përballë një opozitë të përçarë, gjë që çon në forcimin e grupeve opozitare të islamistëve radikalë në kurriz të forcave të moderuara siç është Koalicioni Kombëtar i Sirisë. Kur udhëheqësi i këtij koalicioni Ahmed Xharba gjatë kësaj jave në Uashongton do të takohet me ministrin e Jashtëm Kerry e ndoshta edhe me presidentin Barack Obama, atëherë vështirë se do tëmudn të shmanget një verifikim i realitetit gjatë bisedimeve. "As në të ardhmen Asadi nuk do të mund të anashkalohet", thotë Celina Realuyo nga University of Defence. "Nuk ka asnjë mundësi, për ta rrëzuar atë, veçse me ndërhyrje masive ushtarake kundër tij." Por për këtë nuk është i gatshëm asnjë prej aktorëve të jashtëm.

Syrien Homs
Luftime në HomsFotografi: Joseph Eid/AFP/Getty Images

Jo një Happy End

Në sfondin e ekseseve të pabesueshme të dhunës, sipas Anthony Cordesman, nuk është e sigurtë që Asadi mund t'ia dalë edhe ndaj palëve të tjera të luftës civile. Nga ana tjetër, sipas ekspertit, qëndrimi i Asadit për SHBA-në do të ishte i mundur vetëm nëse ai përmbush disa kërkesa të caktuara themelore. "Asadi duhet të jetë i gatshëm për kompromosië në nëj sërë çështjesh, duke nisur qysh nga çështjet humanitare e deri tek modernizimi i Sirisë. Por deri tani ai ka refuzuar në mënyrë sistematike ta bëjë këtë."

Sa më shumë zgjat lufta civile, aq më shpërthyese bëhet gjendja, thotë ekspertja e terrorizmit Celina Realuyo. Ashtu si në Irak edhe në Siri gjithnjë e më shumë po krijohen zona të dala jashtë kontrollit, në të cilat mbizotëron dhuna e armatosur dhe terrori. "Ka ekspertë që thonë, se në Siri ndërkohë ka më shumë luftëtarë të huaj, se sa ka pasur në kulfmin e luftës kundër Al-Kaidës në Irak."

Gjendja pas kaq muajsh ngurrimi dhe pritjeje ka mbetur në vendnumëro, thotë Anthony Cordesman. "SHBA-ja nuk ka alternativë të vërtetë. "Ndaj vlerësimi diplomatik i opozitës së moderuar siriane është një "Low-Cost-Option", përmes të cilit mund të pritet nëse do të ketë ndonjë efekt. "Por askush, që vështron sot Sirinë, nuk mund të thotë, që kjo luftë civile do të ketë një Happy End."