1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA: Mësime nga dueli televiziv midis Vance dhe Walz

2 Tetor 2024

JD Vance i habiti shikuesit, Tim Walz ishte nervoz në fillim: dy kandidatët për zëvendëspresident të SHBA patën momente të forta dhe të dobëta. Kush shënoi pikë në cilat tema?

https://p.dw.com/p/4lLAN
US-Präsidentschaftswahl - Debatte Vance vs Walz
Fotografi: Matt Rourke/AP/picture alliance

Fitore në pikë për JD Vance

Në një kohë që Kamala Harris la përshtypje më të mirë gjatë duelit televiziv me Donald Trump, debati i kandidatëve për zëvendëspresidentë u fitua nga JD Vance. Senatori i Ohajos dukej më i sigurt, më i zoti në retorikën e tij dhe më i përgatitur në thelb. Në të kundërt, Tim Walz filloi dukshëm nervoz, shpesh duke parë poshtë për të mbajtur shënime dhe fitoi besim në vete vetëm me përparimin e debatit.

JD Vance ndoqi një strategji të qartë: asnjë sulm verbal ndaj Walz-it; ai lavdëroi pafundësisht arritjet e Donald Trump-it, ndërsa fajësoi Harrisin për të gjitha problemet e katër viteve të fundit. Nga ana tjetër, Walz humbi shumë mundësi për të korrigjuar ose kundërshtuar sulmet e JD Vance ndaj Harris-it. Në vend të kësaj, guvernatori i Minesotës vazhdoi të tregonte se sa shembullore ishte situata në shtetin e tij.

Megjithatë, detyra më e rëndësishme e kandidatit për zëvendëspresident nuk është të lavdërojë punën e tij, por të nxjerrë në pah arritjet e kandidatit të tij për president. Walz ka arritur vetëm rrallë në këtë.

Debat objektiv dhe jo shkëmbim goditjesh

Javët e fundit, Vance dhe Walz kanë sulmuar njëri-tjetrin me kritika polemike. Walz e quajti Vance-n "budalla" dhe një "tip ekstremist". Anasjelltas, Vance e kritikoi guvernatorin e Minesotës si "majtist radikal" me lidhje me Kinën komuniste.

Asgjë nga këto nuk u ndje gjatë duelit televiziv. Debati ishte kryesisht objektiv dhe i drejtë. JD Vance, në veçanti, u përpoq të mos sulmonte personalisht kundërshtarin e tij, por të ishte miqësor dhe empatik. Vance, megjithatë, kaloi në sulm sapo erdhi tema e Harrisit. Ai e fajësoi atë për inflacionin, rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe rritjen e ndjeshme të numrit të refugjatëve që hyjnë ilegalisht në vend.

Debatte Vance vs Walz
Fotografi: Matt Rourke/AP/picture alliance

Presidenti Joe Biden thuajse nuk u përmend nga Vance. "Trajneri Walz”, me një natyre miqësore, lejoi të binte mjaft në gjumë nga qëndrimi miqësor i papritur i kundërshtarit të tij. Pikërisht te temat e abortit dhe legjislacionit për armët, ai duhet t'i kishte mbërthyer më fort Trump-in dhe Vance.

Cilat ishin temat e debatit?

Që në hapje, u bë fjalë për politikën në Lindjen e Mesme. Të pyetur nëse ata do të mbështesin një sulm parandalues të Izraelit kundër Iranit dhe objekteve të tij bërthamore, të dy kandidatët u përgjigjën në mënyrë evazive. Walz-i e kritikoi Trumpin si "të paqëndrueshëm". Walz tha se si President, ai afrohej me ata që i bënin më shumë lajka. Në të kundërt, Vance theksoi se gjatë katër viteve të presidencës së Trump-it, Amerika kishte përjetuar stabilitet. Ai tha se dobësia e qeverisë aktuale amerikane është bashkëpërgjegjëse për shumë nga luftërat dhe krizat e sotme.

JD Vance
Fotografi: CHIP SOMODEVILLA /AFP/Getty Images

Temat e rëndësishme për qytetarët amerikanë, si ekonomia, inflacioni dhe emigracioni, zunë një hapësirë të madhe. Në këtë fushë, Vance shënoi pikë me pohime të përgjithshme, ndonjëherë edhe të rreme. Nga ana tjetër, Walz ishte më bindës në temat e abortit, në mbrojtjen e klimës dhe ligjet e armëve.

Pikat e forta dhe dështimet

Walz la përshtypjen më të mirë kur diskutoi sjelljen e Trump-it pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2020 dhe sulmit në Kapitol më 6 janar. Ndërsa Vance iu përgjigj në mënyrë evazive pyetjes nëse ai dhe Trump do të kundërshtonin sërish rezultatin e zgjedhjeve pas një disfate, Walz-i kërkoi prerazi: "Fituesi duhet të jetë fituesi". Dhe shtoi, duke iu referuar fjalimit të Trump-it para sulmit në Kapitol: "Fjalët e një Presidenti kanë peshë".

Megjithatë, Walz-i bëri edhe disa gabime. Në fillim ai ngatërroi Izraelin dhe Iranin. Dhe kur u përball me faktin se ai nuk e kishte ndjekur masakrën kineze në sheshin Tiananmen në 1989 nga Hong Kongu, siç kishte pretenduar, por nga Nebraska, Walz-i u përgjigj në mënyrë jo bindëse: "Jam shprehur gabimisht".

Tim Walz
Fotografi: Matt Rourke/AP/picture alliance

Sa të rëndësishme janë debatet televizive për rezultatin e zgjedhjeve?

Normalisht, debatet televizive të kandidatëve për zëvendëspresidentë nuk luajnë ndonjë rol. Janë kandidatët presidencialë ata që janë vendimtarë për rezultatin e zgjedhjeve. Por këtë vit, shumë gjëra janë ndryshe. Në shtatë shtete të kontestuara ashpër, Trump dhe Harris konkurrojnë kokë më kokë. Dhe ka shumë gjasa që të mos ketë duel televiziv tjetër. Në këtë kuptim, ky duel televiziv i zëvendëspresidentëve ndoshta ndikon votuesit e pavendosur. Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve të 5 nëntorit, JD Vance u kualifikua për trashëgiminë politike të Trump-it me performancën e tij bindëse.

(M.Ganslmeier/ARD)