Nish:Arrestohet drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicë
29 Shtator 2016"Në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë në Nish, për përcaktimin e paraburgimit nga viti 2010, Nehat Thaçi është ndaluar dhe mbahet në njësinë e paraburgimit”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Në njoftim e kësaj Ministrie bëhet e ditur se "Thaçi është arrestuar mbrëmë (të mërkurën në mbrëmje), rreth orës 2,0 në vendkalimin administrativ mes Kosovës dhe Serbisë, në Konçul, gjatë lëshimit të vërtetimit për hyrje në territorin e Serbisë Qendrore”. Pritet që Nehat Thaçi të paraqitet gjatë ditës së enjte përpara gjykatës në Nish.
Arrestimin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se Nehat Thaçi është drejtor rajonal i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut. Hoxha tha, se Thaçi është arrestuar pak pas mesnatës së 28 shtatorit, në vendkalimin kufitar "Dheu i Bardhë” në magjistralen Gjilan-Bujanoc.
"Policia e Kosovës nuk ka deri tani asnjë sqarim nga autoritet serbe për arsyet e arrestimit të drejtorit rajonal të Policisë. Përmes autoriteteve kompetente të EULEX-it është kërkuar sqarim zyrtar për arsyet e arrestimit nga pala serbe”, bëri të ditur Hoxha.