1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa i fortë është Obama?

Gero Schließ/Eliana Xhani5 Mars 2014

Pushtimi i Krimesë nga rusët e vendos Presidentin e SHBA para një sfide deri tani të panjohur. Në politikën e brendshme ai gjendet nën një trysni në rritje. Cilat janë opsionet e Obamës?

https://p.dw.com/p/1BKWZ
Fotografi: picture-alliance/dpa

Nuk ka asnjë dyshim: pushtimi i Krimesë nga njësitë ruse është deri tani sfida më e madhe në politikën e jashtme për Presidentin Obama. Pas qendrimit të tij me ngurrime në konfliktet me Iranin dhe Sirinë, besimi tek aftësitë e tij si menaxher krizash nuk është i madh në SHBA: "A është z. Obama i fortë sa duhet për t'u matur me ish shefin e KGB-së në Kremlin?", pyet për shembull me nëntekst provokues New York Times.

McCain: Politika e jashtme e Obamës "e padobishme"

Kritikat e ashpra nuk mungojnë që tani. Politika e jashtme e Obamës është "e padobishme" dhe bashkëpërgjegjëse për krizën aktuale, kritikon senatori republikan John McCain. Pak ditë më parë duke folur për Deutsche Welle ai shkoi më larg duke konstatuar se administrata Obama nuk ka asnjë strategji për politikën e sigurisë, ajo "nuk ekziston". Shumë vetë e kanë ende mirë në kujtesë se Presidenti donte të drejtonte fatet e botës "nga rreshti i dytë". Irani dhe Siria ia prishën planet. Dhe Vladimir Putin gati e vuri në lojë gjatë skandalit rreth informatorit Edward Snowden.

Si duhet të jetë fuqia drejtuese?

Ish ambasadori i SHBA në Poloni, Lee Andrew Feinstein, e merr në mbrojtje Obamën: "Duhet të tregohemi të drejtë: Presidenti dhe ministri i Jashtëm Kerry kanë reaguar mjaft fort ndaj provokimit rus. Kerry e ka quajtur atë një agresion ndërkombëtar, Obama foli për një cënim të qartë të së drejtës ndërkombëtare." Evropianët u shprehën me këto tone vetëm disa ditë më vonë. Feinstein e sheh këtë si dëshmi të "fuqisë së lidershipit amerikan". Por tani Putinit i duhet lënë edhe një rrugëdalje, në mënyrë që të mund të ndryshojë kursin e tij pa humbur fytyrën.

Ukraine USA Außenminister John Kerry in Kiew Arseni Jazenjuk und Turchinov
John Kerry me Jazenjuk dhe Turçinov në KievFotografi: Reuters

"Laku rreth Rusisë së Putinit"

Por të paktë janë ata që e pranojnë këtë në radhën e kritikëve të Obamës: "Vendosni një lak demokratik rreth Rusisë së Putinit", këshillon senatori republikan Lindsey Graham. Politikani republikan nga Florida, ndoshta kandidat i mundshëm për president, senatori Marco Rubio kërkon të "rikthehet edhe një herë tek sistemi i mbrojtjes antiraketore", pa përmendur që ky sistem është instaluar ndërkohë në një hap të parë. Të tjerë duan thjesht ta flakin Putinin jashtë G8-s.

Kornblum: hapësira e veprimit të Obamës e kufizuar

Që pas lajmeve të para për marshimin e njësive ruse në Krime, ish ambasadori i SHBA-së në Gjermani, John Kornblum, vuri në dukje për Deutsche Welle hapësirën e kufizuar të veprimit të Obamës:Thelbësore është mbrojtja e integritetit territorial. "Por çfarë do të thotë kjo? E qartë është se nuk nënkuptohet ndërhyjre ushtarake. Megjithatë mund të nënkuptojë veprime të forta politike dhe ekonomike."

John Kornblum
John KornblumFotografi: picture-alliance/ZB

Presidenti Obama shumë herët e kërcënoi Putinin me një "çmim" që duhet ta paguajë. Aktualisht administrata e tij po merret me hartimin e sanksioneve ekonomike. Veç kësaj Rusia duhet të izolohet në plan ndërkombëtar. Ndërprerja e përgatitjeve për samitin e G8 në Soçi ishte sinjali i parë në këtë drejtim. Fjala është për izolimin e Rusisë në plan politik, diplomatik dhe ekonomik, tha ministri i Jashtëm i SHBA John Kerry tani në Kiev. Në të njëjtën kohë ai i dorëzoi Ukrainës një premtim për ndihmë financiare nga SHBA prej një miliard dollarë. Kështu është përcaktuar edhe rrezja e veprimit të Obamës: trysni diplomatike dhe ekonomike ndaj Rusisë dhe njëkohësisht mbështetje për Ukrainën. Ndërhyrje ushtarake aktualisht nuk kërkon askush në SHBA.

G8-Treffen
Obama -Putin nga takimi G8, 17.06 2013Fotografi: Reuters

Nëse gjendja përshkallëzohet dhe arrihet deri tek aneksimi zyrtar i Krimesë nga Rusia, SHBA sipas Feinstein do të reagojë me ngrirjen e pasurisë ruse dhe akses të kufizuar për firmat ruse në tregun financiar. "Kjo do të ishte shumë e rëndësishme pasi mendoni, nuk kemi të bëjmë me Rusinë e kohës së pushtimit të Afganistanit por me Rusinë e vitit 2014, të integruar në ekonominë botërore."

Bashkëpunimi me Evropën i rëndësishëm

Jo pa arsye Obama është i interesuar për një qendrim të ngushtë me Gjermaninë dhe BE-në. Pa Evropën sanksionet ekonomike amerikane do të ishin të paefektshme. Volumi tregtar i evropianëve me Rusinë është dhjetë herë më i madh se i amerikanëve. Për këtë arsye evropianët janë mjaft të rezervuar në këtë drejtim. Nëse Vladimit Putin nuk heq dorë nga kursi i tij dhe trupat ruse marshojnë edhe në provincat lindore të Ukrainës, "atëherë do të kemi një politikë të gjatë, sistematike dhe me përmasa të gjera të trysnisë ekonomike dhe izolimit diplomatik", parashikon Lee Feinstein. "Kjo do të vazhdojë për një kohë të gjatë derisa Rusia të bindet të ndryshojë kursin e saj."

Bush dhe Obama

Por e njëjta retorikë u përdor edhe në vitin 2008 kur trupat ruse pushtuan pjesë të Gjeorgjisë. Rusia nuk është zmbrapsur deri sot nga pozicionet e marra në luftën e Gjeorgjisë. Atëherë president ishte George W. Bush. Dhe mediet amerikane tërheqin vëmendjen se ai kishte të njëjtat mundësi të kufizuara si edhe Obama sot.

"Sot është shumë popullore të flitet për mjetet e kufizuara të amerikanëve dhe evropianëve", mendon Feinstein. "Por nëse amerikanët dhe evropianët flasin me të njëjtin zë atëherë mund të arrihet shumë." Veç kësaj ai tërheq vëmendjen se: "Rusia nuk është një ishull. Ajo ka vërtet shumë thesare natyrore dhe para, por është edhe shumë e integruar në ekonominë ndërkombëtare. Nuk do ta nënvlerësoja efektin e këtyre masave ndaj Putinit."

Georgien Russland Krieg 2008
Nga lufta Gjeorgji-Rusi 2008Fotografi: Marco Longari/AFP/Getty Images

Çfarë planifikon NATO?

Edhe pse strategët në SHBA dhe Evropë aktualisht kanë në plan të parë përpjekjet për çtensionimin e situatës, në disa deklarata dëgjohen edhe opsione të pashprehura të përdorimit të forcës, që nuk duan të heqin dorë nga roli që mund të luajë pesha ushtarake e Perëndimit. "Është ende shumë herët për të folur për bashkëpunime të tjera të mundshme", thotë Feinstein, duke lënë të nëkuptohet jo pak. "Por NATO planifikon, ajo është organizata jonë e përbashkët mbrojtëse. Le të shpesojmë që nuk do të na duhet t'i hyjmë asaj rruge."