Rusia shpall ″mobilizimin e pjesshëm″ | Bota | DW | 21.09.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Rusia shpall "mobilizimin e pjesshëm"

Presidenti i Rusisë,Vladimir Putin ka kërkuar mobilizimin e pjesshëm dhe ka paralajmëruar okupimin e disa pjesëve të Ukrainës. Presidenti Zelenskyj nuk është shqetësuar.

Ende pa u mbushur shtatë muaj prej fillimit të luftës kundër Ukrainës, Rusia ka shpallur një "mobilizim të pjesshëm" të rusëve të moshës ushtarake - që është mobilizimi i parë i tillë që nga Lufta e Dytë Botërore. Presidenti Vladirmir Putin tha në një fjalim televiziv se ai e mbështet propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të mobilizuar rezervistët që kanë shërbyer në ushtri dhe kanë "përvojat përkatëse". Dekreti përkatës është nënshkruar dhe mobilizimi do të fillojë të mërkurën. Sipas ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, 300.000 rezervistë do të mobilizohen kundër Ukrainës.

Vendimi i Rusisë bëhet mbi akuza të pabazuara kundër Perëndimit. Putin, për shembull, pretendon se Perëndimi nuk donte paqen midis Ukrainës dhe Rusisë, por donte të "dobësonte, përçante dhe shkatërronte" Rusinë. "Është në traditën tonë historike, në fatin e popullit tonë, të ndalojmë ata që përpiqen të dominojnë botën, që kërcënojnë atdheun tonë, mëmëdheun tonë, me copëtim dhe shtypje. Rusia do të përdorë të gjitha "mjetet në dispozicion” për të mbrojtur territorin e saj. "Nuk është bllof”. Putin kërcënoi edhe me përdorimin e armëve bërthamore. Ministri i Mbrojtjes Shoigu pranoi se vendi i tij po luftonte "jo aq shumë kundër Ukrainës, sa kundër Perëndimit".

Në të njëjtën kohë, shefi i Kremlinit njoftoi edhe aneksimin e mundshëm të territoreve të Ukrainës me ndihmën e "referendumeve" në territoret e pushtuara. "Ne mbështesim vendimin e marrë nga shumica e qytetarëve në Republikat Popullore të Luhansk dhe Donetsk, në rajonet Kherson dhe Zaporizhia," tha Putin. Të ashtuquajturat referendume për pranimin në Rusi të këtyre pjesëve të Ukrainës do të zhvillohen të premten.

Ukraina nuk është shqetësuar

Paralajmërimi i mobilizimit të pjesshëm, sipas këshilltarit të presidentit ukrainas, Mykhailo Podoliak, tregon se lufta nuk po shkon sipas planit për Rusinë. Hapi ishte i pritshëm. Deklaratat e tjera të Putinit janë vetëm retorike. Qëllimi është të shpallë Perëndimin përgjegjës për luftën që e ka nisur vet dhe për përkeqësimin e situatës ekonomike në Rusi.

Ukraine Mychajlo Podoljak, Berater des Ukrainischen Präsidenten

Mykhailo Podoljak,

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj reagoi me qetësi demonstrative ndaj shpalljes së "referendumeve" për aneksimin e zonave të pushtuara të vendit të tij nga Rusia. "Qëndrimi ynë nuk ndryshon për shkak të zhurmës apo ndonjë njoftimi”, tha ai në fjalimin e tij në një video të martën në mbrëmje. "Ne po mbrojmë Ukrainën, po çlirojmë vendin tonë dhe më e rëndësishmja nuk po tregojmë asnjë dobësi”.

Të ashtuquajturat referendume pa asnjë kontroll kanë për qëllim bashkimin e këtyre zonave të Ukrainës me Rusinë dhe shihen si reagim i Kremlinit ndaj kundërofensivës dhe sukseseve të forcave ukrainase në lindje të Ukrainës. Në vitin 2014, Rusia aneksoi në mënyrë të ngjashme gadishullin ukrainas të Krimesë.

Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock i ka dënuar këto votime dhe i ka quajtur si një "tallje" me Ukrainën dhe Kombet e Bashkuara. Ajo tha se "dërgimi i armëve në Ukrainë do të vazhdojë sepse shpëton jetë". Sipas ekspertëve ushtarakë britanikë, Kremlini dëshiron të parandalojë një kundërsulm nga Kievi me simulimin e referendumeve. E sipas Kremlinit, bashkimi i këtyre territoreve me Rusinë e hap mundësinë e "mbrojtjes" së tyre me të gjitha forcat.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka kërcënuar udhëheqjen ruse me sanksione të mëtejshme. Këto votime të paligjshme nuk mund të shihen si shprehje e vullnetit të lirë të njerëzve që jetojnë në këto rajone nën kërcënimin e vazhdueshëm ushtarak dhe frikësimin nga Rusia, shkroi Borrell në një deklaratë. Rusia dhe të gjithë ata që janë përfshirë në këtë shkelje të ligjit ndërkombëtar duhet të mbajnë përgjegjësi. Rezultatet e referendumit nuk do të njihen nga BE-ja, shpjegoi ai.

bc/cwo/sti/se/gri (dpa, rtr, afp, ap)