Rusi: Daçat në vend të Dubait, turizmi orientohet brenda vendit | Bota | DW | 15.06.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Rusi: Daçat në vend të Dubait, turizmi orientohet brenda vendit

Për shkak të sanksioneve të vendosura në sfondin e luftës në Ukrainë, shumë rusë po detyrohen t’i kalojnë pushimet në vend. Nga jashtë pak turistë të huaj shkojnë në Rusi. A mund t’ i mbulojë humbjet turizmi vendas?

Russland, Ivanovo| Famlie an einer Datsche

Familje ruse në një Daça

Rus është ai që ka një daça. Nga Kaliningradi në Vladivostok njerëzit gjithnjë janë ndihmuar të përballojnë krizat e ushqimeve dhe kohët e tjera të vështira nga daçat, që janë një kopësht i vogël me perime dhe fruta që ndodhet larg zhurmës së qyteteve. Gjatë kohës së izolimit për shkak të Coronës daçat ishin shumë të kërkuara, kur kërkohej një vend i sigurt ku mund të shkohej. Tani për miliona rusë daçat janë kthyer në pikat e vetme ku kalohen pushime. Sepse që prej fillimit të luftës ruse kundër Ukrainës, shumë turistë rusë nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit. Qielli europian është mbyllur për avionët rusë dhe qielli rus është mbyllur për avionët europianë. Mënyrat e tërthorta për të shkuar diku janë të shtrenjta dhe nuk mund të përballohen prej kujtdo. Që kur Rusia është përjashtuar nga sistemi ndërkombëtar i pagesave, SWIFT, dhe që kur institutet perëndimore të kredive si Visa dhe Mastercard, kanë pezulluar bashkëpunimin me Rusinë, turistët rusë jashtë vendit mund t' i paguajnë faturat vetëm me para në dorë. 

Lundrimet në lumenj janë shtuar shumë 

Por ai që mendon se daça është shumë e vogël, shkon për pushime brenda vendit. Në shtetin me sipërfaqen më të madhe në botë, ka mundësi të shumta për ata që duan të ndryshojnë vendin. Këto kohë shitjet më të mëdha kanë qenë për udhëtimet në lumenj, thotë për Deutsche Wellen, Anastasia Kisiljova nga agjencia e udhëtimeve Infoflot me qendër në Shën Peterburg. "Në prenotimet për muajin e ardhshëm ne kemi vënë re rritje nga 40 në 50 përqind krahasuar me një vit më parë.” Që tani janë thyer të gjitha rekordet e 15 viteve të fundit, përmbledh shkurt Kisiljova. 30 përqind e gjithë blerësve kanë prenotuar për herë të parë një udhëtim në lumë.  

Weißrussland Mogilev Sommerhäuser

Veçanërisht të preferuara janë lundrimet rreth së ashtuquajturës Unaza e Artë. Këto guida turistike të çojnë në qytetet e vjetra ruse në veri të Moskës. Të krijuara nga shekulli 11-të deri në shekullin e 17-të, vendbanimet kanë qenë vende ku janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme të historisë së Rusisë dhe ofrojnë edhe sot shumë pika interesante turisitike si kisha dhe manastire. 

Udhërrëfyesja e turistëve që punon për qytetin, Anastasia Androsova nga qyteti Samara buzë Volgës është e gëzuar për këtë. Në bisedë me Deutsche Welle-n ajo thotë, se rusët janë duke u interesuar gjithnjë e më shumë për vendin e tyre: "Edhe banorët e Samaras kërkojnë papritur që të zbulojnë nga e para qytetin e tyre.” E njëjta gjë vlen edhe për bregdetin e Detit të Zi në rajonin e Krasnodarit, i cili ka qenë tradicionalisht një vend i preferuar për pushime, megjithëse për shkaqe sigurie portet më të rëndësishme atje janë mbyllur që nga fillimi i luftës.   

Russland | Dreifaltigkeitskloster von Sergijew Possad

Shumë rusë duan të rizbulojnë qytetet e tyre në kohën e sanksioneve

Krejt e ndryshme është situata për udhëtimet në Krime. Një e treta e hoteleve dhe bujtinave nuk do të kenë mundësinë që të hapen fare gjatë verës, vlerëson gazeta ruse "Kommersant". Shumë turistë kanë hequr dorë nga udhëtimet në gadishullin e marrë nga Rusia, sepse aeroporti i Simferopolit është mbyllur pas shpërthimit të luftës, biletat e trenit janë të pamjaftueshme, e po ashtu është edhe frika nga lufta në Ukrainën fqinjë. 

Pak rusë shkojnë për pushime jashtë vendit 

Keq duket puna edhe për turizmin rus jashtë vendit. Kufizimi i fluturimeve dhe rritja e madhe e çmimeve bënë për shembull që në muajin mars katër herë më pak turistë të shkonin nga Rusia në Turqi, konstaton kompania ruse e udhëtimeve, Union. Kjo vlen madje edhe për rusët e kamur. Tri herë më pak fluturime me klasën e biznesit dhe prenotime në hotelet me pesë yje ka pasur në muajt mars dhe prill. Duhet thënë se i ashtuquajturi turizëm VIP-ash shihet si i qëndrueshëm. Maja Lomidze nga kompania ruse e udhëtimeve, Union, e shpjegon këtë për Forbes me "tendencat politike” të muajve të fundit. Numri i rusëve shumë të pasur që duan të shkojnë në vende të huaja për një kohë të gjatë është rritur. 

NO FLASH Sheremetyevo Flughafen Moskau

Aeroporti Sheremetyevo, Moskë

Rritja e turizmit të brendshëm dhe rënia e turizmit jashtë vendit të kujton zhvillimet e vitit 2014, kur Perëndimi e dënoi me sanksione Rusinë për shkak të marrjes së Krimesë dhe si reagim Moska vendosi gjithashru sanksione ndaj Perëndimit. Këtu bën pjesë ndalimi i importit të produkteve të huaja ushqimore si djathë ose mollë. Industria ushqimore vendase u ndihmua me subvencione financiare nga shteti. Në tregun rus mungoi fillimisht djathi francez Camembert, por konsumatori rus u gëzua nga llojet e reja të djathit vendas. Koha do ta tregojë, nëse orientimi brenda vendit do të ndihmojë edhe turizmin rus që të dalë nga kriza. Orientimi drejt botës jasht vendit nuk do t'i ndihmojë rusët, sepse bota perëndomore të paktën vazhdon të qëndrojë e mbyllur për shumicën e tyre.  

Në Rusi nuk shkon pothuajse asnjë i huaj 

Turizmi brenda vendit është në lulëzim, por nga jashtë vendit pak turistë vijnë në Rusi. Dhe shumë kompani të huaja turistike e ndiejnë mirë këtë rënie. Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, ka pasur anulime të shumta udhëtimesh, thotë për portalin rus të udhëtimeve TourDom.ru, Marina Levtçenko nga agjencia e udhëtimeve Tari Tur: "Ne na duhet të shohim se si sezoni i verës është në prag të kolapsit. Manaxherët e hoteleve në sektorin e prenotimeve kanë mbetur pa punë dhe janë të pezmatuar. Unë mendoj se pas nesh do fillojnë ta ndjejnë shqetësimin edhe hotelet, që kanë pritur që të vijnë turistë nga jashtë vendit.” 

Pas Panairit Ndërkombëtar të udhëtimeve në Madrid, të zhvilluar në fund të muajit janar kishte shpresa, thotë Levtçenko: "Ne pamë se Europa filloi të zgjohej. Ne pamë edhe interesim ndaj Rusisë. Por për fat të keq, politika i ra gozhdës së fundit të mbylljes së arkivolit. Vera do të jetë e vështirë. Kjo është e trishtueshme.”