1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rumani: Eksporti i rrezikshëm ideologjik i Viktor Orbanit

4 Shkurt 2020

Kryeministri hungarez, Viktor Orban financon pakicat në vendet fqinje me shuma të mëdha. Kështu krijohen botë paralele e se ku të çon kjo, e tregojnë incidentet ksenofobike në një fshat në Transilvani.

https://p.dw.com/p/3XCzg
Rumänien ungarische Minderheit
Pakica hungareze në Rumani përgatitet për festën hungareze, 14 mars 2013Fotografi: Reuters

Shumë rumunëve fshati me emrin Ditrau nuk u thotë ndonjë gjë. Veç një kishe të madhe neogotike ka pak gjëra, që bien në sy në jugperëndim të Transilvanisë, pikërisht në zonën Szekler, e banuar nga një pakicë hungareze. Por ka disa ditë, që ky komunitet prej 5.000 banorësh është vënë në qendër të debatit publik në Rumani. Shkak për këtë është bërë një incident i trishtë i ksenofobisë.

Rast unik ksenfobie

Sipërmarrja e prodhimit të bukës, "Ditrói Pékség" së fundmi punësoi dy vetë nga Sri Lanka, dy bukëpjekës profesionistë. Arsyeja: Për shkak të largimit masiv të fuqisë punëtore dhe rrogave të ulta, firma nuk gjente në vend dhe në zonat përreth punëtorë. Por ardhja e dy punëtorëve nga Sri Lanka bëri që në fshat të shpërthejë një valë urrejtjeje e ksenofobie. Megjithëse ata ishin të punësuar legalisht, disa qindra banorë kërkuan një "Ditrau pa migrantë".

Në Rumani nuk janë të rralla rastet e ksenofobisë, por rasti i Ditraut është unik. Sepse ai tregon, se si kryeministri, hungarez, Viktor Orban sistemin e tij ideologjik iliberal e eksporton edhe në vende të tjera duke krijon botë paralele etnike tek komunitetet e pakicës hungareze. Ditrau është gati plotësisht i banuar nga hungarezë, pranë fshatit ka një lagje të banuar me disa romë, kurse rumunët i gjen më së shumti si policë. Hungarezët e njohur si Szeklerët janë shumë katolikë, tradicionalë dhe konservatorë. Shumica informohet nga televizionet e afërta me pushtetin e Viktor Orbanit, që transportojnë ideologjinë e tij etno-nacionaliste dhe shoviniste. Pra nga pikëpamje kulturore-politike ata jetojnë në Hungari, me Rumaninë kanë pak pika takimi.

Ungarn Viktor Orban Migrations Gipfel Budapest
Kritika për Viktor Orbanin që transporton me mediat e afërta ideologjinë iliberale tek pakicat hungarezeFotografi: Reuters/B. Szabo

Ndikim i fuqishëm i mediave hungareze

Ps ardhjes së dy djemve nga Sri Lanka, fillimisht në Facebook u shfaq një grup me emrin "Ditrau pa migrantë." Pas kësaj javën e kaluar u zhvillua një protestë me më shumë se dyqind vetë para zyrës së kryetarit të bashkisë kundër ardhjes së të huajve, të drejtuar nga prifti katolik i zonës, Karoly Biro. Qiradhënësja e dy burrave nga Sri Lanka u kërcënua, si pasojë ata u larguan nga fshati. "Këto janë qartësisht raste të ksenofobisë, ato lidhen pa dyshim me ndikimin e mediave hungareze në Transilvani", thotë avokati Peter Eckstein-Kovacs për Deutsche Welle. Edhe gazetari hungarez me origjinë nga Transilvania, Zoltan Sipos që punon për platformën e transparencës, Aklatszo e që prej kohësh trajton ndikimin e Orbanit dhe partisë Fidesz në Rumani shikon ndikimin e mediave hungareze në incidentet në Ditrau. "Ne kemi të bëjmë me një valë propagandistike nga mediat hungareze, që ndesh një shoqëri të mbyllur szeklere", thotë Sipos për Deutsche Welle.

Në opinionin publik në Rumani incidenti në Ditrau ka shkaktuar debate të forta. Për herë të parë është kthyer në temë eksporti ideologjik i Viktor Orbanit përtej spektrit nacionalist. "Nën ndikimin e një shume të madhe parash që Budapesti hedh në Rumani, UDMR (Shoqata Demokratike e Hungarezëve në Rumani) e ka dorëzuar tërësisht identitetin e saj", shkruan gazetari Cristian Pantazi nga portali G4Media. Ndërsa disa politikanë rumunë, si ish-presidenti, Trajan Basescu i përdorin incidentet në Ditrau edhe për sulme nacionaliste kundër pakicës hungareze. Vetë UDMR-ja u distancua së fundmi nga propaganda e dhunës dhe incidentet ksenofobe.

Jagd in Transsilvanien
Pamje nga TransilvaniaFotografi: Luke Dale-Harris

Vetë në fshatin Ditrau, situata është më komplekse. Disa banorë protestues vërtet kanë qëndrime ksenofobe. Por të tjerë nuk kanë probleme me punësimin e të huajve, siç u shprehën ata në një takim të shtunën e kaluar në fshat, por me politikën e punësimit të firmës që kërkon të bëjë dumping të rrogave. Çifti i pronarëve i hedh poshtë akuzat. "Pjesërisht njerëzit në zonë nuk i artikulojnë dot mirë problemet reale që kanë, si rrogat e ulta apo zhvillimin e pamjaftueshëm në rajon", shpjegon gazetari Zoltan Sipos situatën, "prandaj ata përdorin gjuhën propagandistike të mediave që konsumojnë."

Miliona për hungarezët në Rumani

Në përgjithësi mbështetja e Orbanit dhe mënyra e kësaj mbështetjeje për pakicat është problematike. Bëhet fjalë për shuma afërsisht një duzinë milionë euro në vit që rrjedhin përmes fondacioneve. "Kjo e gjitha nuk është transparente dhe krijon një varësi, që dëmton zhvillimin e pavarur të pakicës sonë", thotë Sipos. Edhe avokati Eckstein-Kovacs mendon kështu. "Sigurisht që është gjë e mirë që Hungaria kujdeset për pakicat e saj, por mënyra si bëhet është e dyshimtë, për shembull kur mbështetja ekonomike bëhet mbi bazë etnike", thotë Kovacs. Sipas tij, është absurde, kur një komunitet pakice mbështet politikën qeverisëse të një vendi tjetër. "Politika hungareze-transilvaniane duhet të të bëhet sërish e pavarur", kërkon ai.

Keno Verseck, flokë të shkurtra, të kuqërreme, me kaçurela, pas syzeve me skelet të hollë një shikim i buzëqeshur drejt objektivit të kamerës.
Keno Verseck Redaktor, autor dhe reporter