Polemikë për vrasjet e qëllimshme të CIA-s | Bota | DW | 21.12.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Polemikë për vrasjet e qëllimshme të CIA-s

Një raport i cili ka depërtuar në publik dokumenton se me çfarë metodash i ndjek CIA terroristët në gjithë botën. Tani diskutohet sërish për çështje etike dhe politike të "war on terror".

Javët e fundit nuk kanë qenë të mira për CIA-n. Fillimisht bota mësoi për praktikat e torturave të shërbimit sekret amerikan. Dhe tani po mëson se si ai ndjek "personat në shënjestër". Kështu quhen në gjuhën e CIA-s të gjithë ata që shpallen armiq të SHBA. Dokumenti i depërtuar tani në publik me titullin "Best Practices in Counterinsurgency" (Rekomandime për luftimin e kryengritjes) e sheh veten si një udhëzim për "High Value Targeting" pra merret me teknikën "e vënies në shënjestër të objektivave me vlerë të lartë". Termi "targeting" shkruan gazeta Süddeutsche Zeitung në numrin e saj të datës 19.12.2014, "nuk është gjë tjetër veçse vrasja e planifikuar e kryengritesve drejtues, nga revolucionare e deri të shefa të terrorizmit".

Në të vërtetë gjuha e dokumentit është tejet e përmbajtur. Autorët nuk flasin as për "njerëz" dhe as për "kundërshtarë" por për "objektiva" apo "persona në shënjestër". Gjuha neutrale e përdorur është zgjedhur me qëllim, thotë politologu Hendrik Hegeman nga Instituti për Studime të Paqes dhe Politikë të Sigurisë në Universitetin e Hamburgut. Retorika e vendosur dhe me vetëbesim pas atentateve të 11 shtatorit 2011 nuk përdoret më në dokument. Përballë kostove të larta politike, ekonomike dhe njerëzore që ka shkaktuar "war on terror" e shpallur atëherë nga Presidenti George W. Bush, dokumenti përqendrohet tani në çështjen e efiçencës sa më të lartë. "Megjithatë kjo bëhet me një gjuhë ekspertësh që sugjeron se përgjegjësit dinë se çfarë bëjnë. Raporti synon të shprehë profesionalitet. Pra ai ka kështu natyrisht një funksion legjitimues."

Efektet anësore të "war on terror"

George W. Bush

Ideatori i "war on terror", ish Presidenti George W. Bush

Shërbimet e fshehta perëndimore janë para vështirësisë që edhe lufta kundër organizatave terroriste si "shteti islamik" mund të ketë efekte anësore të padëshëruara. Pasi çdo sulm, thotë Hendrik Hegemann, është një kartë në propagandën e tyre. "Xhihadistës mund të mbështeten në argumentin se Perëndimi vret ilegalisht myslimanë. Strategjitë si ajo e CIA-s nga ky këndvështrim më shumë mund të dëmtojnë se sa të jenë të dobishme."

Veç kësaj shumë përpjekje për të asgjesuar grupet terroriste i arrijnë vetëm pjesërisht objektivat e tyre. Pikërisht në sulmet me drone, shpesh humbasin jetën njerëz të papërfshirë. Dhe në vend të "high-value-target" vriten luftëtarë me detyra të thjeshta, të cilët nga pikëpamja strategjiko-organizatore mund të zëvendësohen me lehtësi. Në sulmet kundër kampeve të stërvitjes në pjesën më të madhe të rasteve vdesin rekrutë të thjeshtë dhe nuk ka asnjë siguri se goditen edhe koka drejtuese. Sulmet me drone janë gjithnjë edhe punë fati. "Shteti islamik" aktualisht nuk e ka shumë problem të rekrutojë luftëtarë të rinj. Nëse ata humbasin jetën dëmet për organizatën nuk dobësojnë ndjeshëm organizatën.

Por para së gjithash operacionet e shërbimit sekret shënojnë vetëm suksese shumë të shkurtra. Ato vërtet mund të dëbësojnë aftësinë goditëse të organizatave xhihadiste dhe terroriste. Por problemet politike nga të cilat kanë lindur mbeten të paprekura. Kështu lufta kundër talibanëve në Pakistan dhe Afganistan i ka zmbrapsur ata vetëm për një farë kohe. Problemet themelore si korrupsioni, abuzimi me pushtetin apo sundimi jolegjitim vazhdojnë edhe më tej. Në periudhë afatgjatë pra metoda duhet të jetë me natyrë politike.

Vetëkuptueshmëria perëndimore në pikëpyetje

Veprimet e shërbimeve të tyre sekrete vënë në pikëpyetje edhe vetëkuptueshmërinë politike të shteteve perëndimore. Shërbimet sekrete duhet të ruajnë fshehtësinë. Pyetja është se deri ku duhet të shkojë kjo. A lejohen shërbimet sekrete të vendosin pa vendim gjyqësor për kryerjen e operacioneve vdekjeprurëse? A mund të përdorin torturën? Pas zbulimeve të fundit për punën e CIA-s ajo është në trysni për t'u justifikuar.

CIA, thotë Hendrik Hegemann, është në prag të kthimit në një ushtri hije. "Për këtë duhet të ngrihet pyetja nëse duhet pajisur me një liçencë për të vrarë." Pyetja nuk ka vetëm rëndësi etike por edhe politike. Shtetet, shërbimet sekrete të të cilëve vendosin pa asnjë kontroll gjyqësor për jetën dhe vdekjen, e kanë të vështirë të fitojnë zemrat e njerëzve në vendet e të cilëve operojnë. Pa mbështetjen e tyre çdo angazhim ushtarak është i dënuar të dështojë në periudhë afatgjatë.

Reklamë