Podgoricë: URA dhe opozita nisin procedurën për shkarkimin e qeverisë | Ballkani | DW | 19.01.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Podgoricë: URA dhe opozita nisin procedurën për shkarkimin e qeverisë

Situatë e tensionuar politike në Mal të Zi: Kryeministri Zdravko Krivokapiq kërkon shkarkimin e zëvëndëskryeministrit Dritan Abazoviqit. Partia URA dhe opozita nisin procedurën e mocionit për shkarkimin e qeverisë.

Lëvizja  Qytetare Ura  e udhëhequr nga zëvëndëskryeministri Dritan Abazoviq, ashtu siç kishte paralajmëruar dorëzoi  në procedurë parlamentare mocionin për mosbesimin e qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq. Kjo nismë është nënshkruar nga anëtarët e koalicionit "E Zeza mbi të Bardhë”: Lëvizja Ura dhe lidhja e  Qytetarëve CEVIS që janë  pjesë e  koalicionit aktual qeverisës. Po ashtu nisma është nënshkruar edhe nga  partitë opozitare partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar si  dhe një pjesë e Partise Demokratike të Socialistëve  të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Procedura  parlamentare do të  mbahet më katër shkurt. Por nisma ka shkaktuar tensione në vend, reagime dhe protesta.

Nënshkrimi i nismës nga disa deputetë për formimin e qeverisë së pakicave në Mal të Zi ngjalli reagime të shumta pro dhe kundër

Kryeparlamentari i Malit të Zi ,Asleksa Beçiq  e cilëson si tentim për puç mocionin ndaj qeverisë. Beçiq  njëherësh lider i Demokratëve, thotë se kemi të bëjme me "tentim klasik për puç kushtetues” dhe ndaj vullnetit të qytetarëve e demokracisë. Beçiq, partia e të cilit është pjesë e koalicionit aktual qeverisës tha po ashtu se pjesëtarët e shumicës aktuale kishin deklaruar më herët se nuk do të bashkëpunonin më me partinë e Gjukanoviqit dhe tani kësaj partie po i ofrojnë mundësinë që të formojë shumicën parlamentare. "Ky quhet mashtrim politik”, tha Beçiq, duke shtuar se është duke u bërë "tradhti me përmasa epike”.

Thirrje për dorëheqjen e Abazoviqit

Ministri i  Financave, Milojko Spajiq dhe ai i Zhvillimit Ekonomik  Jakov Millatoviq kërkuan që Abazoviq të japë dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit. "Abazoviq ose duhet të japë dorëheqje ose  të tërheqë nismën (për mocion). Pro Kryeministrit Krivokapiq është renditur dhe Ministrja e Shëndetësisë Jelena Boronoviq – Bojoviq . Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme, Sergej Sekulloviq tha, se Millatoviq ka keqpërdorur pozitën e tij si ministër, duke folur në emër të të gjithë ministrave pa u konsultuar paraprakisht. "Nuk jemi konsultuar dhe nuk kam dhënë miratimin tim, as nuk ndaj mendimin që ka shprehur Milatoviq”, tha Sekuloviq. Ai shtoi se ishte "i shqetësuar për papërgjegjshmërinë e personave në poste të larta, që de fakto bëjnë thirrje për rezistencë, rrisin konfuzionin dhe dëshirojnë të shkaktohen trazira të përmasave të mëdha”.

Sekulloviq bëri thirrje për qetësim të situatës dhe tha, se duhet të pranohet që në një shoqëri demokratike, vendimet merren në përputhje me procedurat e parashikuara në Kushtetutë. Ministrit  të Brendshëm iu  bashkangjit dhe Ministri i Investimeve Kapitale Mlladen Bojaniq. Edhe ministri i Jashtëm, Gjorgje Radulloviq, u distancua nga qëndrimi i Millatoviqit dhe mbështeti Abazoviqin. Ai tha se Abazoviq gjatë vitit të kaluar ka kontribuar më së shumti në punën e qeverisë dhe "falë guximit të tij politik” ka ndodhur ndryshimi i parë paqësor i një qeverie në Mal të Zi.

Kryeministri Krivokapiq i ka dërguar Kuvendit të Malit të Zi iniciativën për shkarkimin e Dritan Abazoviqit  dhe ka propozuar Ministrin e Financave dhe Përkujdesjes Sociale Millojko Spajiq  në postin e zëvendëskryeministrit.  Mirëpo është e paqartë se a do të ketë shumicë për shkarkimin e zëvëndëskryeministrit Abazoviq.

Protesta para ndërtesës së qeverisë

Disa dhjetra  qytetarë janë u grumbulluan në orët e mbrëmjes së të mërkurës (19.01)  para ndërtesës  së qeverisë për të përkrahur kryeministrin aktual Zdravko Krivokapiq. Ata u nisën në drejtim të Parlamentit duke hedhur parrulla  për "tradhëti”. Protestuesve iu drejtuan edhe deputetë nga radhët e demokratëve. Protesta  janë mbajtur  edhe në qytetin e Beranes në veri të Malit të Zi, që cilësohet si bastion i partive pro serbe. 

Ngjarjet në Mal të Zi, kanë tërhequr vëmëndjen  e perfaqësive diplomatike dhe partive të ndryshme evropiane. Kanë reaguar Ambasadorja e SHBA-së Judy Rising Reinke dhe ajo e Mbreterisë së Bashkuar Karen Meddocks. Ato apeluan që deputetët  të marrin vendime të mençura që do të jenë në dobi të qytetarëve.  Ndërkohë paralajmërohet  që së shpejti  do të vijë  për vizitë në Mal të Zi  dhe zëvendësndihmës  Sekretari i Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në SHBA, Gabriel Escobar.