Podgoricë: Propozohet qeveri e pakicave si zgjidhje për krizën politike | Ballkani | DW | 17.01.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Podgoricë: Propozohet qeveri e pakicave si zgjidhje për krizën politike

Koalicioni ,,E zeza mbi të bardhë " ofron qeverinë e pakicës pa Partinë Demokratike të Socialistave të Presidentit Millo Gjukanoviq dhe pa Frontin Demokratik, pro serb.

Lëvizja Qytetare Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që konkuruan në zgjedhjet parlamentare të mbajtura vitin e kaluar, në kuadër të listës "E zeza mbi të bardhë”, propozuan formimin e një qeverie të

pakicës, si model për tejkalimin e krizës politike në Mal të Zi. Sipas këtij modeli të propozuar, në këtë qeveri nuk do të kishte vend për partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike të Socialistëve (PDS) të presidentit Millo Gjukanoviq dhe partinë më të

fortë të koalicionit aktual, Frontit Demokratik (FD), parti kjo pro-serbe.

Qeveria aktuale e kryeministrit, Zdravko Krivokapiq, që nga fillimi i mandatit ka qenë në shënjestër të kritikave prej pengesave nga strukturat e shumicës qeveritare, në radhë të parë nga Fronti Demokratik, i cili në disa raste ka kërkuar që të zgjidhet një qeveri e re.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe kryetari i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviq tha në konferencën për media, se të gjithë deputetët e parlamentit malazez duhet të përkrahin modelin e një qeverie të pakicës.

Ai porositi që për Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Frontin Demokratik nuk ka vend në këtë qeveri, por "do të ishte fenomenale nëse ata do të na përkrahnin”.

"Ne ofrojmë një zgjidhje të mundshme, por nuk e imponojmë. Është koha që të zhbllokohet rruga për në Bashkimin Evropian. Nëse kjo situatë nuk mund të zgjidhet, zgjedhjet mbeten zgjidhje e qartë”, tha

Abazoviq. Ai shtoi se në rast se sigurohet mbështetja e shumicës në kuvend, do të iniciohet mocioni i votëbesimit ndaj qeverisë aktuale. Ideja për formimin e një qeverie të pakicës u përmend për herë të parë në vjeshtën e kaluar pasi dështuan negociatat për riorganizimin e qeverisë dhe një platformë e ofruar nga Fronti Demokratik pro serb, që parashikonte zgjedhjen e një kryeministri të ri.

Në nëntor të vitit 2021, lideri i partisë opozitare Alternativa Shqiptare, Nik Gjeloshaj kishte thënë se në Mal të Zi do të duhej të formohej një qeveri e pakicës. Sipas propozimit të Gjeloshajt, në qeveri do të

hynin partitë parlamentare nacionale dhe një pjesë e partive qytetare, të udhëhequra nga Lëvizja Qytetare Ura, e cila është në pushtet, ndërsa kryeministër do të duhej të ishte lideri i tyre, Dritan Abazoviq.

Ky propozim nga kryeministri Krivokapiq ishte vlerësuar si veprim "i rrezikshëm”. Ndërkaq, në dhjetor, partitë opozitare hoqën dorë nga ngritja e një mocioni të mosbesimit ndaj qeverisë së Krivokapiqit për arsye se Fronti Demokratik kishte paralajmëruar se do të dorëzonte iniciativën për shkurtimin e mandatit të parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Qeveria e Krivokapiqit u votua më 4 dhjetor 2020 me votat e deputetëve nga Fronti Demokratik, Lëvizjes Ura dhe Demokratëve, të cilët në gusht 2020 fituan zgjedhjet me çka Partia Demokratike e Socialistëve e

presidentit, Millo Gjukanoviqit pas tri dekadash kaloi në opozitë.

Subjektet politike shqiptare thonë, se qeveria e pakicës është ,,zgjidhja optimale,, pasi qeveria aktuale ka përkahjen e vetëm dhjetë deputetëve nga 81 sa numëron parlamenti.

Formimi i qeverisë se pakicës për Partinë Boshnjake është zgjidhja më optimale për të dalë nga kriza politike. Po ashtu edhe Partia Socialdemokrtike përkrah çdo nisëm për votëbesimin e qeverisë aktuale.

Për kryesinë e Partisë Socialiste popullore, nënshkruese e Memorandumit të Bashkëpunimit, koncepti i

qeverisë së pakicës është njëra nga mundësitë e zgjidhjes për daljen nga kriza.

Demokratët, partner të koalicionit qeverisës duke komentuar propozimin e koalicionit ,,E zeza mbi të bardhë,, thonë, se nuk duhet luajtur me verdiktin e qytetarëve të Malit të Zi dhe nuk duhet futur vendi në destabilizim.