1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plane për sulme terroriste në Gjermani

Esat Ahmeti25 Qershor 2013

Njësi speciale të policisë kanë bastisur në jug e në lindje të Gjermanisë, shtëpitë e islamistëve të dyshuar për mundësinë e sulmeve të planifikuara terroriste me bomba të vendosura në avionë testues të telekomanduar.

https://p.dw.com/p/18vXu
Policia gjatë kontrolleve kundër islamistëve
Policia gjatë kontrolleve kundër islamistëveFotografi: Getty Images

Sipas informatave të kanalit të parë televiziv gjermane ARD, policia ka ndërmarrë një bastisje në shkallë të gjerë kundër islamistëve të dyshuar në landet e Bavarisë, Baden-Vyrtembergut dhe Saksonisë. Sipas këtyre të dhënave ka pasur indikacione për përgatitje të sulmeve terroriste prandaj janë bastisur lokale në rrethinat e Shtutgart-it, në Mynih dhe një ofrues i shërbimeve të internetit në Dahau të Saksonisë. 

Radio SWR raportoi për arrestimin e dy burrave për të cilët dyshohet se kishin planifikuar sulme duke përdorur bomba të vendosura në avionë testues të dirigjuar nga distanca. Policia ka konfiskuar pajisjet teknike dhe dokumentet. Në ato banesa që policia dyshonte se ka edhe armë është ndërhyrë nga forcat speciale. Megjithatë fillimisht nuk janë bërë arrestime.

Karlsruhe konfirmon pjesërisht informacionet

Prokuroria federale në Karlsruhe fillimisht konfirmoi vetëm lajmin se po hetohet kundër disa burrave me origjinë tuniziane oër shkak të dyshimeve të përgatitjeve të një akti serioz të dhunës. Disa prej tyre kanë studiuar në Universitetin e Stuttgartit - në degën e Komunikacionit ajror dhe Astronautikës. Gjatë studimeve të tyre ata kanë zhvilluar praktika dhe ushtrime me përmbajtjen e të cilave mund të abuzohet lehtë. Kështu janë zhvilluar metoda që përmes sistemit GPS të kryhen fluturime provuese me avionë model në itinerare të caktuara. Prokuroria e Përgjithshme paralajmëroi se do të ofrojë edhe më shumë informata.

Përveç kësaj, prokuroria e Stuttgartit sipas radios SWR është duke hetuar edhe për pastrim të parave në mbështetje të të ashtuquajturës "luftë e shenjtë". Edhe pse bëhet fjalë për dy procedura të ndara thuhet se megjithatë të akuzuarit e njohin njëri-tjetrin.

(dpa, afp, SWR) / Esat Ahmeti