1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra shtypit gjerman

27 Tetor 2004
https://p.dw.com/p/Ary2

Gazeta Lübecker Nachrichten komenton vendimin e sotëm të Parlamentit Evropian mbi pranimin ose refuzimin e Komisionit të ri Evropian:

Parlamenti Evropian qëndron sot përpara një çasti historik. Nëse ai kapërcen vetveten dhe e refuzon ekipin e diskutueshëm të presidentit të përcaktuar të Komisionit Evropian José Manuel Barroso ky do të ishte një fitim i madh për demokracinë evropiane, sepse vetëm Parlamenti Evropian është legjitimuar drejtpërdrejt për të vendosur edhe ai politikisht mbi fatin e shtetasve të Evropës. Këtu përveç të drejtës për ta hedhur poshtë buxhetin bën pjesë edhe ajo e kontrollimit të "qeverisë" së Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian. Por këtë parlamenti mund ta bëjë vetëm duke i bërë qëndresë kokëshkëmbit Barroso dhe duke i refuzuar miratimin ekipit të tij qeveritar. Natyrisht që është e vështirë t'i refuzosh të gjithë komisionerët njëheri, edhe të diskutueshmit, ndoshta edhe ata nga vendi yt dhe të të njëjtit ngjyrim politik. Por ja që kështu është përcaktuar kjo në kushtetutën e Bashkimit Evropian. Nga ky vargua përfaqësuesit e popullit mund të lirohen vetëm duke shfrytëzuar megjithatë të drejtën e tyre. Në rast se sot thyhet shumica, atëherë parlamenti do ta ketë humbur për kohë të gjatë luftën për pushtet.

Ndërsa gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung trajton temën e respektimit të njërit prej kritereve makroekonomike të Marrëveshjes së Maastrichtit:

Jo më larg sesa këtë pranverë Komisioni Evropian kishte parashikuar një rritje të borxheve të Gjermanisë për vitin 2005 prej 2,8 për qind të prodhimit të brendshëm bruto - kjo kontrastonte me parashikimet edhe më pesimiste të instituteve kërkuese. Tani zyra e Brukelit e pranon që kufiri maksimal i Maastrichtit, rregulli i 3 përqindëshit të prodhimit të brendshëm, do të shkelet për të katërtën herë me radhë. Por Komisioni e zbukuron me gjithfarë relativizimesh; në vitin 2006 kjo vlerë do të arrihet edhe pa pastrimin konjunkturor, pra kufiri i Maastrichtit do të respektohej me mundim. Po kaq me milimetër llogarit komisioneri evropian Joaquín Almunia edhe për disa vende të tjera. Në prognoza shfaqen veçanërisht shpesh shifrat 3,0 për qind e prodhimit të brendshëm: Franca parashikohet që ta arrijë këtë vlerë në 2005-ën; në këtë mënyrë vlera e referencës nuk do të kalohej për të parën herë që prej tre vjetësh. Për Italinë Komisioni mbërrin dy herë me radhë tek vlera 3,0 për qind (në 2004-ën dhe 2005-ën), edhe vetë tani shumë të qortuarit grekë do ta arrikan në 2006-ën këtë ulje me precizion. Po të shprehemi me kujdes edhe parashikimet për mëkatarët përsëritës janë optimiste. Me sa duket komisioneri Almunia kërkon të shmangë me çdo kusht zënka të tjera me shtetet anëtare. Për të ardhmen e paktit të stabilitetit monetar ky nuk është ogur i mirë.

Ndërrojmë temë. Gazeta Financial Times Deutschland merret me votimin e parlamentit izraelit mbi tërheqjen e planifikuar nga Rripi i Gazës:

Në këtë votim opozita qëndron përkrah Sharonit, partia e tij Likud qëndron në anën e kundërshtarëve dhe në qendër të uraganit vlon lëvizja e egërsuar e kolonëve. Vetëm Sharoni qëndron si i gozhduar dhe përsërit të njëjtën gjë: Mund të hidheni përpjetë por Rripin e Gazës do ta zbrazim megjithatë. Si është e mundur që u krijua kjo botë me kokë poshtë? Dhe a është vërtet e mundur që pikërisht një njeri i vijës së ashpër si Sharoni të arrijë si i pari kryeministër largimin e ngulimeve nga territoret palestineze? Shumë palestinezë, por edhe evropianët dhe kampi izraelit për paqen druhen se Rripi i Gazës mund të jetë gjithçka që është i gatshëm të dorëzojë Sharoni. Me kaq një shtet palestinez i aftë për të mbijetuar nuk mund të përfytyrohej. Sharoni po përqipet që në partinë e tij në rebelim, Likud, të krijojë përshtypjen se zbrazja e rripit të ngushtë të tokës në bregdetin e Mesdheut është çmimi për ekzistencën e ngulimeve në Bregun Perëndimor të lumit Jordan, të cilat janë shumë më të rëndësishme për hebrenjtë besimtarë. Judea dhe Samaria, siç e quajnë ata atë, janë tokë biblike. Çdo gjë këtu, çdo shkëmb e çdo fije bari, i bën që të ziejnë zemrat e kolonëve. Por edhe sikur Sharoni të ketë me të vërtetë në plan që të braktisë vetëm Rripin e Gazës dhe katër ngulime në Bregun Perëndimor, puna nuk do të përfundojë me kaq. Me anë të tërheqjes ai po vë në lëvizje një dinamikë, e cila nuk do të jetë e mundur të ndalet më.