Pas sulmit në Paris rritet frika për dhunë kundër mësuesve | Evropa | DW | 26.10.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Pas sulmit në Paris rritet frika për dhunë kundër mësuesve

Ata ofendohen, sulmohen verbalisht në internet, kërcënohen në mësim. Edhe në Gjermani kjo ndodh përditë. Pas vrasjes në Paris diskutohet për dhunën kundër mësuesve në Gjermani.

Mësuesi Günther Ferber e kishte mbaruar mësimin, kur shpërtheu një grindje mes dy nxënësve. Njëri prej tyre nxorri një thikë, që përdorej edhe në orën e vizatimit. "Ai iu vërsul me thikën nxënësit tjetër dhe i bërtite se do ta vrasë.” Refleksi e bëri Ferber të futej mes dy nxënësve. "Si pasojë ai më sulmoi edhe mua, sepse ishte kaq i mllefosur, saqë duhej të godiste dikë.”

Dhunë në çdo të tretën shkollë

Ferber plagoset lehtë. Mësuesi në mesin e të tridhjetave nuk do të bëhet i njohur me emrin e vërtetë. Pas disa minutash ai arriti ta qetësojë sulmuesin në një shkollë në zonën e Rinit në perëndim të Gjermanisë. "Dhe nuk ishte një nxënës i vogël më, ne jemi një shkollë e ciklit të lartë. Ishte një situatë e fortë.”

A është ky një rast i vetëm? Jo, thotë Udo Beckmann, kryetar i Shoqatës Arsim dhe Edukim, VBE, sindikata e dytë më e madhe e mësuesve në Gjermani. Ai ka organizuar një sondazh në më shumë se 1300 shkolla në Gjermani. "Ka dalë një pamje shumë e qartë”, thotë ai për Deutsche Wellen. "Dukshëm në më shumë shkolla mësuesit në pesë vitet e fundit janë kërcënuar, ofenduar, ka pasur bulizëm apo janë ngacmuar.” Në çdo të tretën shkollë janë sulmuar mësuesit madje edhe fizikisht.

Frankreich Marsch in Paris zum Gedenken an Samuel Paty

Jo barbarisë - Marshim proteste në mbështetje të mësuesit Samuel Paty

Shok pas sulmit në Paris

"Fenomeni i dhunës kundër trupës mësimore nuk mund të zvogëlohet”, thotë Beckmann. Ai kërkon më shumë vëmendje nga politika. "Ministritë duhet që të kryejnë statistika për rastet e dhunës dhe t'i publikojnë ato. Dhe ne presim sidomos që autoritetet të dalin në mbrojtje të mëesueve dhe t'i mbështesin si psikologjikisht edhe juridikisht në raste të tilla, dhe të mos e kthejnë këtë në problem privat të të prekurit”, kritikon Beckmann. Nga ana tjetër duhet që të ketë më shumë kurse të specializuara për bulizmin dhe dhunën. Më shumë mbështetje nga psikologë dhe punonjës socialë në shkolla.

Aktualisht atentati kundër mësuesit Samuel Paty në Francë ka ndezur debatin e dhunës kundër mësuesve edhe në Gjermani. Mësuesi u vra nga një islamist i dyshuar në rrugë. Paty kishte treguar në mësim karikaturat e Mohamedit për të diskutuar me nxënësit e tij mbi lirinë e shprehjes.

Gërshëra në kokë të mësuesit?

„Ky është një akt i pamendueshëm”, thotë psikologja dhe ish-deputetja e Bundestagut, Lale Akgün. A është i mundur një akt i tillë edhe në Gjermani? "Asnjëherë nuk mund ta përjashtosh”, thotë Akgün për Deutsche Wellen. "Por duhet të ndodhë një vrasje ndaj një mësuesi, para se të tematizohet kjo temë? Mendoj që jo.” Sipas Akgün duhet folur për rolin e shkollës. "E këtu unë shoh ofrimin e vlerave edukuese si njeri me pjekuri.” Akgün thotë se të rinj me qëndrime patriarkale, shpesh me një botëkuptim fetar e pengojnë shpesh këtë dhe duan ta shtypin lirinë e mendimit në klasë.”

"Ndodh që mësuesit pjesërisht përjetojnë gjëra skandaloze, bulizëm dhe kërcënim. Kështu krijohet një klimë e frikës.” Kjo bën që që në fillim të krijohet "një gërshërë në kokë dhe të thuhet që tema të caktuara as nuk filloj t'i trajtoj. Pse të vë veten në rrezik?”

Deutschland Udo Beckmann

Udo Beckmann

Kushtetuta në orë të mësimit

Mësuesi i shkollës së mesme të përgjithshme, Günther Ferber nuk mendon kështu. „Nuk e pasqyron realitetin e përditshëm në shkolla, që mësuesit me vetëdije lenë mënjanë përmbajtje të caktuara, sepse ndjehen të kërcënuar nga forca të caktuara." Ai vetë jep mësimin e filozofisë. „Bën pjesë në punën e përditshme timen që të bëj që të përplasen qëndrimet, me qëllim që të krijohet shkëmbimi i tyre." Ferber thotë, se ka rëndësi që mësuesit të angazhohen për lirinë e fesë dhe të mendimit. „Kjo është baza e kushtetutës sonë dhe është pjesë e programit mësimor që të flasim për këtë."

Por as ai nuk e përjashton një atentat si ndaj mësuesit në Paris. „Edhe në Gjermani kemi pasur shkëmbime zjarri në shkolla. Mendoj, se ka një zhvillim të caktuar, që akte të tilla dhune të shfaqen në një formë më të ashpër." Për Ferber ka rëndësi që në shkolla të krijohet një atmosferë, ku nuk rritet dhuna e urrejtja.

Frankreich | Paris | Macron bei der Gedenkzeremonie für den Lehrer Samuel Paty 21.10.2020

Presidenti Macron në ceremoninë e varrimit të mësuesit, Samuel Paty

Dhunë pas 35 gradë Celsius

Në përgjithësi ka shumë presion në ajër, kur je me 30 nxënës në klasë dhe ndoshta përjashta ke një temperaturë me 35 gradë celcius, aty është e qartë, që ndonjëri e kalon masën." Ferber dhe kolegët e tij angazhohen për klasa më të vogla, për më shumë mësues, e pedagogë specialë, që kujdesen për mësuesit. „Kështu mund ta heqësh presionin, ndryshe mund të ndodhë që të vijë puna tek dhuna."

Nxënësi që e sulmoi Ferberin me thikë u përjashtua nga shkolla për një kohë të caktuar dhe duhej të bënte trajnime kundër dhunës. Ferber nuk e denoncoi atë në polici. „Ne mësuesit jemi me vite me nxënësit. Nuk u duam të keqen, duam që të arrijmë diçka për ta. » Prandaj jam bërë edhë mësues, shton ai.