1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parisi mbështet Asamblenë Parlamentare franko-gjermane

12 Mars 2019

Një asamble e kombinuar parlamentare gjermano-franceze, që do të propozojë rezoluta të përbashkëta, por jo të detyrueshme mori dritën e gjelbër nga Asambleja Nacionale Franceze. Mbledhja e parë do të jetë në 25 mars.

https://p.dw.com/p/3EqKJ
Frankreich l Französische Nationalversammlung, Assemblee Nationale, Paris - Richard Ferrand
Fotografi: picture alliance/abaca/R. Lafargue

Presidenti i Asamblesë Nacionale Franceze, Richard Ferrand tha të hënën se dhoma e parlamentit ka aprovuar organizmin e përbashkët franko-gjerman, për të cilin u ra dakord në janar në Ahen. Kjo megjithë kundërshtimet e radikalëve të majtë dhe të djathtë të Francës.

"Krijimi i një institucioni të tillë unikal parlamentar është shenjë e intensitetit të marrëdhënieve tona", tha Ferrand. Me këtë ai iu referua përtëritjes së Marrëveshjes së Elizesë, në Ahen në janar nga Parisi dhe Berlini. Marrëveshja e Elizesë është traktati i pajtimit të pasluftës midis Francës dhe Gjermanisë, e nënshkruar në vitin 1963.

Ende organizmi i ri nuk është miratuar nga Bundestagu Gjerman, dhe kjo pritet të bëhet kur Berlini të ketë ratifikuar me votim Marrëveshjen e re të Ahenit.

Asambleja do të mblidhet dy herë në vit, do të ketë 100 anëtarë - 50 parlamentarë nga secili parlament - dhe do të jetë në gjendje të propozojë, por jo të diktojë rezoluta të përbashkëta për Asamblenë Nacionale dhe për Bundestagun.

Pak gjëra të përbashkëta?

Në qarqet parlamentare franceze, lideri radikal majtist Jean-Luc Melenchon argumentoi se Franca ka më shumë gjëra të përbashkëta me Evropën jugore se sa me Gjermaninë.

"Ideja se gjithçka drejtohet nga dy vende" [Gjermania dhe Franca] është kundër interesave të vendeve të tjera evropiane, tha Melenchoni. Me këtë ai u referohet përplasjeve të së kaluarës për krizën e eurozonën, imigrimin dhe Brexitin.

Marrëveshja prej 16 faqesh e Ahenit, megjithëse përmban pak detaje, e angazhon më tej Berlinin dhe Parisin që të ndjekin një politikë të jashtme dhe të mbrojtjes më të koordinuar, nxitjen e projekteve të binjakëzimit të qyteteve franko-gjermane, tituj akademikë që të njihen në të dyja anët e kufirit dhe përvetësimin e gjuhës. AUD

Assemblee Nationale, Paris
Fotografi: Getty Images/AFP/P. Lopez