Palmer - Qeveria legjitime, opozita të riangazhohet në procesin politik | Ballkani | DW | 10.04.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Palmer - Qeveria legjitime, opozita të riangazhohet në procesin politik

Dialogu Kosovë - Serbi: Me rëndësi pronësia vendase e marrveshjes, theksoi diplomati amerikan Metthew Palmer, gjatë vizitës në Tiranë.

Dialogu Kosovë - Serbi: Me rëndësi pronësia vendase e marrveshjes, theksoi diplomati amerikan Metthew Palmer, gjatë vizitës në Tiranë.

Në kuadër të një turi diplomatik në disa vende të Ballkanit, zëvendës ndihmës sekretari i shtetit, Matthew Palmer, përfundoi të martën, (9/04/2019) vizitën e tij dy ditore në Tiranë. Krahas takimeve me autoritetet e larta të vendit dhe opozitën, Palmer, bisedoi edhe me një grup gazetarësh të mediave lokale të Tiranës, ku dha mesazhe të rëndësishme lidhur me situatën politike në vend, dialogun Kosovë - Serbi dhe përpjekjet e Rusisë për të rritur ndikimin në  Ballkanin Perëndimor.

Opozita të marrë pjesë në zgjedhjet lokale

Matthew Palmer rikonfirmoi qëndrimin kritikues/dënues të Shteteve të Bashkuara ndaj bojkotit të Parlamentit dhe heqjes dorë të opozitës prej mandateve parlamentare. Ai nxiti opozitën të riangazhohet sa më parë në procesin politik të vendit. Në bisedën me grupin e gazetarëve ai e quajti pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet lokale, ”mundësinë më të mirë për ta bërë këtë sa më parë”.

"Instrumenta si bojkoti i zgjedhjeve dhe djegia e mandateve, mendoj se janë thellësisht në kundërshtim me praktikat demokratike. Prandaj, do të nxisja partitë e opozitës të kërkojnë mënyra për t'u riangazhuar në procesin politik. Mendoj, që zgjedhjet lokale të qershorit janë mundësia më e mirë për ta bërë këtë sa më pare. Nëse ka një mundësi për dialog me qeverinë për reformat zgjedhore, mendoj që ata duhet ta ndjekin këtë mundesi. Nëse kjo nuk do të ndodhte do të ishte një fatkeqësi për opozitën,” tha Palmer.

Qeveria e Tiranës - legjitime

Mesazhi i diplomatit amerikan Matthew Palmer, drejtuar opozitës për t'u riangazhuar sa më parë në procesin politik, vjen në prag të protestës kombëtare antiqeveritare të opozitës, të shtunën, më 13 prill, e nënta në serinë e protestave të tilla, që nga 16 shkurti i kaluar. Opozita kërkon largimin e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie kalimtare për të organizuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi sipas opozitës, qeveria dhe parlamenti janë jo legjitimë. Kryeministri Rama e hedh poshë këtë akuzë dhe thekson se Partia Socialiste dhe ai si kryeministër do ta ҫojnë deri në fund mandatin qeverisës, që u dhanë votuesit në zgjedhjet parlamentare 2017. Në të njëjtën linjë me Kryeministrin Rama është edhe qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara ndaj legjitimitetit të qeverisë.

"Shqipëria ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave, qeveri partnere me SHBA, me të cilën po punojmë mirë dhe ngushtë. Instutucionet e qeverise janë funksionale, janë legjitime. Shqipëria nuk ka problem në marrjen e vendimeve, në miratimin e ligjeve. Dhe unë kam besim se kjo qeveri do ta ҫojë vendin drejt një të ardhmeje europiane, do të jetë në gjendje të vazhdojë të veprojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në zbatimin e reformës në drejtësi, në kryerjen e vettingut, që është i rëndësishëm për t'u dhënë shqiptarëve besimin në administrimin e drejtësisë. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me autoritetet përkatëse, përfaqësuesit e votuar, zyrtarët e qeverisë së Shqipërisë, për të përmbushur këto qëllime dhe objektiva,” tha Palmer në bisedën me gazetarët.

Dialogu Serbi – Kosovë

Pritshmëritë për arrritjen e një marrveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë janë një tjetër temë, ku Palmeri u ndal gjatë bisedës me gazetarët. Ai tha se "ҫështja e kufinjve mund të jetë pjesë e marrveshjes por nuk është elementi kryesor i saj."

”Ajo që është e rëndësishme për SHBA është që ҫfarëdo marrveshje të ketë pronësi vendase, të jetë diҫka që të dyja palët të ndjejnë që mund ta mbështesin, të dyja palët të ndjejnë që mund ta shesin, të dyja palët të besojnë që mbrojnë interesat e tyre thelbësore," tha Palmer.

Ndikimi rus në Ballkan - Shqipëria shënjëstër më e vështirë

Lidhur me ndikimin rus në rajonin e Ballkanit, Palmer foli për synimet e SHBA dhe ato të Rusisë ndaj rajonit dhe theksoi se ato janë "në themel në kundërvënie mes tyre.”

"SHBA duan të shohin një rajon bazuar në transparencë, sundimin e ligjit, bashkëpunimin mes vendeve për një perspektivë europiane. Rusët preferojnë një rajon që është i organizuar mbi bazën e mosbesimit, ҫrregullimeve, fërkimeve, kaosit. Ambiciet ruse janë më egoiste dhe përqëndrohen tek krijimi i një mjedisi që Moska mendon se mund ta kapitalizojë. Kjo është e vërtetë për Shqipërinë, siҫ është tjetërkund në Ballkanin Perëndimor edhe pse Shqipëria është një shënjestër më e vështirë për rusët, sesa vendet që janë pak më të hapura ndaj këtij ndikimi malinj," tha Palmer.

Takimet me autoritetet dhe opozitën

Përmbajtja e takimeve me kryeministrin Rama, Presidentin Meta dhe drejtuesit e opozitës, Basha dhe Kryemadhi, u bë i njohur nga vetë autoritetet e larta, përmes medias sociale. Kryemnistri Rama përmes një postimi në Twitter e cilësoi takimin, "një bashkëbisedim të frytshëm në një dakortësi të plotë për marrdhëniet bilaterale, integrimin europian të Shqipërisë, dialogun Kosovë - Serbi dhe situatën politike në vend." Presidenti Meta e vlerësoi takimin me Palmer si "të hapur dhe miqësor, për Europën, situatën e vështirë politike në vend dhe rrugëdaljet për të ecur përpara". Lideri opozitës Basha e quajti "një takim konstruktiv lidhur me pandëshkueshmërinë, krimin, korrupsionin dhe krizën politike në  Shqipëri."