Opozita bjelloruse: ″26 vite makth duhet të marrin fund!″ | Bota | DW | 17.08.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Opozita bjelloruse: "26 vite makth duhet të marrin fund!"

Qindra mijëra vetë kërkuan në "Marshimin e Lirisë" në Minsk dorëheqjen e presidentit bjellorus, Aleksander Lukashenko. Kandidatja e opozitës, Tichanovskaja gati për të drejtuar vendin e të organizojë zgjedhje të lira.

Ishte një nga demonstratat më të mëdha të organizuara nga opozita. që nga pavarësia e vendit në vitin 1991. Më shumë se 100.000 vetë u grumbulluan në kryeqytetin Minsk të dielën. Edhe në qytete të tjera njerëzit dolën në rrugë të protestonin. Ata duan që presidenti që qeveris prej 26 vitesh Bjellorusinë të largohet. "Ne duam një vend pa Lukashenko" dëgjoheshin thirrjet e shumë demonstruesve. "Ik!", "Vrasës!" dhe "Liri për të burgosurit politikë" ishin thirrjet e tjera. Në kolonën e demonstruesve marshonin disa grupe që mbanin flamujt e opozitës me shirita të bardhë e të kuq deri në 100 metra të gjatë. Ky flamur i nxjerrë nga përdorimi nga Lukashenko konsiderohet si simbol i opozitës së vendit europianolindor.

Si shenjë e protestave paqësore shumë përkrahës të opozitës mbanin veshje të bardha, lule dhe tullumbace. Tek mbështetësit e "Marshit të Lirisë" renditen edhe gazetarë të njohur të televizionit shtetëror, studiues, njerëz të biznesit e diplomatë të lartë.

"Bjellorusi e re"

Protestuesit iu përgjigjën thirrjes së kandidates opozitare të arratisur në Lituani, Svetlana Tichanovskaja, për protesta në fundjavë në të gjithë vendin. Ajo bëri të ditur themelimin e një komiteti që do të përgatisë ndërrimin e qeverisë në Bjellorusi. Në një mesazh me video nga Lituania, Tichanovskaja ka bërë të ditur, se është gati të drejtojë vendin dhe se do të krijojë kuadrin ligjor për zgjedhje të lira e të ndershme. Pas zgjedhjeve, Tichanovskaja u largua nga vendi, sipas të dhënave të ekipit të saj pas kërcënimeve. Bashkëshorti i saj opozitar ndodhet në Bjellorusi në burgim.

Maria Kolesnikova, një nga drejtueset e opozitës në Minsk tha para demonstruesve, se "26 vite makth duhet të marrin fund". Kolesnikova kishte punuar ngushtë me kandidaten e opozitës gjatë fushatës zgjedhore. Në mbrëmjen e së dielës u grumbulluan në Minsk sërish disa mijëra vetë që protestuan kundër Lukashenkos. "Ne besojmë, se po ngrihet një Bjellorusi e re", thotë një demonstruese. Të tjerë shprehen, se nuk duan më të dëgjojnë gënjeshtrat e Lukashenkos dhe diktaturën.

Pavarësisht protestave masive në vend, presidenti Lukashenko lufton të qëndrojë në post. Ai u përpoq në një kundërdemonstratë të mobilizojë përkrahësit e tij. Punonjësit e administratës shtetërore u sollën me autobusë nga i gjithë vendi në kryeqytetin Minsk. Me rreth 10.000 vetë, Lukashenko grumbulloi shumë më pak njerëz në rrugë. "Më shumë se 80% e votave nuk mund të gënjejnë", tha Lukashenko para demonstruesve duke iu referuar zgjedhjeve të së dielës javën e kaluar. Ai theksoi, se nuk do t'ia "dorëzojë" vendin opozitës.

Belarus Pro-Lukaschenko Demo in Minsk

Përkrahës të Lukashenkos dolën më 16 gusht në mbështetje të presidentit

 

 

la/qu/wa (afp, rtr, dpa)