1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opel Geschichte

Klaus Ulrich25 Shkurt 2009

Debate të ethshme po zhvillohen në përpjekje për të shpëtuar koncernin e automobilëve Opel, që kërcënohet nga falimentimi. Opeli është që më 1929 filial i General-Motors-it, por ai konsiderohet si ndërmarrje gjermane.

https://p.dw.com/p/H0un
Punëtorë të turnit të mëngjesit të fabrikës së Opelit në Bohum nisin punën
Punëtorë të turnit të mëngjesit të fabrikës së Opelit në Bohum nisin punënFotografi: AP

Historia e firmës zë fill në vitet 60-të të shekullit të 19-të: Adam Opeli nisi aktivitetin privat. Në një ish-stallë lopësh në qytetin e tij të lindjes, Ryselshajm pranë Frankfurtit mbi Majn, si mekanik i shkolluar ai nisi të prodhojë makina qepëse. Nga martesa me vajzën e një fabrikanti Opeli siguroi mjetet financiare për ta zgjeruar biznesin e tij. Pesë djemtë e tij më vonë e nxitën atë që të nisë edhe me prodhimin e biçikletave.

Në vitin 1889, tri vjet pas vdekjes së Adam Opel-it, ndërmarrja nën drejtimin e pasardhësve të tij iu përkushtua një dege krejt të re: prodhimit të automobilëve.

Firma u rrit. Edhe gjatë Luftës së Parë Botërore Opel-i vazhdoi të prodhojë automobilë, kryesisht automjete transporti. Prodhimi u desh të ndërpritej pas luftës, sipas udhëzimit të fuqive pushtuese. Në vitin 1927 Opel-i rinisi me prodhimin e kamionëve të vegjël.

Pak para fillimit të krizës ekonomike botërore në fund të viteve 20-të Opeli ishte zhvilluar në prodhuesin më të madh të automobilëve në të gjithë Gjermaninë: 44% e automjeteve të prodhuara në vend ishin prodhim i Opel-it. Në valën e depresionit që po afronte, vëllezërit Wilhelm dhe Friedrich Opel pjesën më të madhe të firmës ia shitën koncernit amerikan të automobilëve, General Motors, deri në vitin 1931 pasoi gëlltitja e plotë. Mbi 33 milionë dollarë, afërsisht 154 milionë marka të rajhut paguan amerikanët për prodhuesin gjerman të automobilëve. Ky ishte një biznes me volum gjigand për kohën. Vëllezërit Opel qëndruan në këshillin mbikqyrës të koncernit. Friedrich drejtonte dhe njëkohësisht kujdesej për ruatjen e emrit Opel dhe të mëvetsisë së konceptimit të modeleve.

Ndonëse gjatë krizës së ekonomisë botërore xhiroja u ul, mbi tre të katërtat e eksporteve të përgjithshme gjermane të automobilëve në vitin 1931 ishin nga prodhimet Opel. Në mesin e viteve 30-të brenda një kohe të shkurtër u shitën mbi 65.000 copë të modelit Opel P4. Deri në fillim të viteve 40-ë, pra edhe pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, amerikanët fitonin fuqishëm me Opel-in, megjithëse me kërkesën e regjimit të nacionalsocialistëve gjithnjë e më shumë prodhimi u përqëndrua në teknikën e armatimeve. General Motors nuk donte të hiqte dorë prej fitimeve të mëdha. Pasi Hitleri i shpalli në dhjetorin e 1941 luftë SHBA-së, sipërmarrja u shpërbë.

Në fund të vitit 1948 General Motors mori sërish përsipër drejtimin e Opel-it, pasi në periudhën e pasluftës qeveria ushtarake amerikane vendoste mbi veprimtarinë e prodhuesit të automobilëve.

Modelet e paraluftës si Opel "Kadett" dhe "Olympia" u prodhuan sërish dhe u zhvilluan më tej, shumë shpejt pasoi modeli "Rekord" dhe më pas gama e prodhimit u kompletua me modelet më të mëdha dhe më të kushtueshme: "Kapitän", "Admiral" dhe "Diplomat".

Deri në vitet 1970-ë zgjati periudha e lulëzimit të Opel-it: sipërmarrja asokohe pas Folksvagenit ishte prodhuesi i dytë gjerman dhe në disa kategori automobilësh madje edhe kryesues i tregut. Me rreth 60.000 punonjës, në vitin 1972 Opeli pati një xhiro vjetore prej 6,5 miliardë markash gjermane.

Pas kësaj nisi tatëpjeta. Veçanërisht në krizën e dytë të naftës, mes viteve 1980-1982 Opel-i vazhoi të kishte humbje. Këto humbje duhej të kompesoheshin përmes masave rigoroze të kursimmit, gjë që çonte në humbjen e cilësisë dhe të prestigjit. Menaxhmenti i Opel-it në të shumtën e rasteve dërgohej nga SHBA-ja dhe vepronte pa pasur shanse, mungesa e politikës ndaj modeleve të reja e përshpejtoi dështimin. 2006 Opel-i kishte në Gjermani në fabrikat e Ryselshajmit, Bohumit, Kajzerslauternit dhe Ajzenahut 27.661 të punësuar, ndërsa dhjetë vjetë më parë numri i të punësuarve kishte qenë 46.000.