1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
HistoriEuropë

35 vjet më parë Revolucioni i Kadifenjtë në Çeki e Sllovaki

Daniel Scheschkewitz
24 Nëntor 2024

Më 24 nëntor 1989 arritën kulmin demonstratat masive në Pragë. Ndryshimi pa dhunë i sistemeve në Çekosllovaki hyri në histori me emrin Revolucioni i Kadifenjtë.

https://p.dw.com/p/KYuB
Pamje nga tribuna që tregon turmën e madhe të protestuesve të mbledhur në Sheshin Venceslas në Pragë
Protestues të mbledhur në Sheshin Venceslas, Pragë, gjatë Revolucionit të Kadifenjtë më 21 nëntor 1989, me pjesëmarrjen e rreth 200,000 njerëzve.Fotografi: Peter Dejong/AP/picture alliance

Me përjashtim të disa ndërhyrjeve të dhunshme të policisë, ndryshimi i sistemit politik në Çeki dhe Sllovaki (asokohe Çekosllovaki) kaloi paqësisht. Partia Komuniste nuk kishte më fuqi t'i kundërvihej me forcë të gjithë shoqërisë. Demonstratat e 17 nëntorit 1989 në Pragë shënuan fillimin e revolucionit pa dhunë. Studentët çekosllovakë u mblodhën për të përkujtuar Jan Opletal, një student i vrarë nga nazistët në vitin 1939. Por për shkak të rënies së Murit të Berlinit një javë më parë, kjo ceremoni përkujtimore u kthye në një demonstratë masive politike. Policia ndërhyri me forcë dhe përdori shkopinj gome kundër protestuesve. Bilanci: 600 të plagosur. 

Olga Havlova duke dëgjuar të shoqin Vaclav Havel dhe të vëllanë Ivan Havel, në lëvizjen qytetare për të drejtat e njeriut "Karta 77".
Olga Havlova duke dëgjuar të shoqin Vaclav Havel dhe të vëllanë Ivan Havel, në lëvizjen qytetare për të drejtat e njeriut "Karta 77".Fotografi: AP

Thirrja për grevë dhe bashkimi i qytetarëve

Të nesërmen, studentët bënë thirrje për një grevë pa afat. Kryeministri komunist i pjesës çeke të republikës, Frantisek Pitra, u përpoq të qetësonte situatën përmes një fjalimi televiziv: "Të nderuar qytetarë, po ju drejtohem si kryetar i qeverisë së Republikës Çeke. Para dy vjetësh ne filluam rrugën e transformimeve dhe të demokratizimit. Kuptohet që ky nuk është një proces i shpejtë. Ai lidhet me kërkime, me diskutime dhe me këmbim mendimesh."

Protestave filluan t'u bashkohen gjithnjë e më shumë qytetarë – mes tyre edhe shkrimtari Vaclav Havel, i cili për shkak të pjesëmarrjes në lëvizjen qytetare për të drejtat e njeriut, Karta 77, kishte kaluar pesë vjet në burg.

Më 24 nëntor në Pragë u zhvillua një demonstratë masive, gjatë së cilës turma thërriste emrin e Havelit, ndërsa reformatori komunist Alexander Dubcek dhe aktivistë të tjerë të Pranverës së Pragës kërkuan dorëheqjen e të gjithë Byrosë Politike, gjë e cila ndodhi pak pas kësaj.

Vaclav Havel, i veshur me frak, dhe bashkëshortja e tij Dagmar Havlova ecin mbi tapetin e kuq gjatë Festivalit të Filmit në Karlsbad më 7 korrik 2007. Në sfond, njerëz që presin pas një gardhi sigurie.
Vaclav Havel, ish-president dhe dramaturg çek, së bashku me bashkëshorten e tij Dagmar Havlova, gjatë pjesëmarrjes në Festivalin e Filmit në Karlsbad më 7 korrik 2007.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Motoja e Revolucionit të Kadifenjtë

"Drejtësia dhe dashuria duhet të fitojnë përballë gënjeshtrave dhe urrejtjes" – këto fjalë të Havelit u bënë motoja qendrore e revolucionit. Megjithatë, udhëheqja komuniste nuk ishte ende gati të hiqte dorë plotësisht nga pushteti. Pas një greve të përgjithshme dhe protestave masive në mbarë vendin, më 5 dhjetor u hoq teli me gjemba në kufirin me Austrinë. Më 10 dhjetor u krijua një qeveri e unitetit kombëtar, me shumicë jo-komuniste. Dinamika e transformimeve nuk mund të ndalej më.

Ky artikull u përkthye nga gjermanishtja dhe u botua për herë të parë në shqip, më 17 nëntor 2009