1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Negociatat për Sirinë- çështje imazhi

Kerstin Knipp6 Prill 2015

Në Moskë fillojnë negociatat mes regjimit të Assadit dhe disa grupeve opozitare. Pritje të mëdha nuk ka. Por qeveria ruse do t'i shfrytëzojë ato për të përmirësuar imazhin.

https://p.dw.com/p/1F39o
Lawrow
Fotografi: Reuters

Një zgjidhje e konfliktit në Siri është shumë pak e besueshme, por palët do të bisedojnë me njëra-tjetrën. Shpresohet se ndoshta mund të arrihen përparime, të paktën në çështjet humanitare. Ky do të ishte një rezultat i mirë, në kohën kur konflikti në Siri po futet mbase edhe në fazën vendimtare.

Kështu të paktën llogarit regjimi i Assadit. Përfaqësuesit e tij i kanë liruar nga burgu, në prag të negociatave disa anëtarë të grupeve xhihadiste. Ata e kanë futur Sirinë në një nivel kaq të lartë të dhunës, sa që edhe bashkësia ndërkombëtare një ditë do të detyrohet të ndërhyjë kundër tyre - dhe me ndihmën e regjimit të Assadit. Kjo do t'ia siguronte Assadit mbetjen në pushtet.

Në fakt, duket që kjo llogari po realizohet. Organizata terroriste "Shteti Islamik" ka bërë kaq shumë krime të rënda, sa që shumë shtete perëndimore, pas shumë vitesh distance me regjimin e Assadit, sërish kanë filluar të afrohen me të. Ai ju duket tani më pak i rrezikshëm dhe më i parashikueshëm se xhihadistët. Ministri i Jashtëm amerikan John Kerry ka kumtuar se dhuna masive e xhihadistëve të IS, i ka detyruar të rifillojnë bisedimet me Assadin. "Në një moment ne duhet të veprojmë", tha Kerry, nga mesi i marsit në një intervistë televizive.

Tek partnerët arabë, të koalicionit kundër Assadit, kjo deklaratë nuk ka zgjuar ndonjë entuziazëm. Ata edhe më tej mendojnë se një pjesë e xhihadistëve mund të jenë partnerë seriozë. "SHBA angazhohen për negociata me Assadin. Njëkohësisht refuzojnë të njohin rolin e grupeve të cilat i kanë vlerësuar si ekstremiste. Ndonëse këto grupe përbëjnë një pjesë të madhe të angazhimeve të opozitës", shkruan gazeta e financuar nga Arabia Saudite, Al-sharq al-Awsat.

Humbjet e opozitës

Në konflikt me Assadin ka humbur në peshë edhe opozita sekulare. Grupet e këtilla politike nuk luajnë më gati asnjë rol në vend apo në botën e jashtme. Opozita në Siri është nën presion të madh të regjimit të Assadit. Kryetari i lëvizjes opozitare "Ndërtimi i shtetit sirian", Louay Hussein, në nëntor të vitit të kaluar është arrestuar dhe është liruar në shkurt. Hussein do të duhej të jetë pjesë e negociatave në Moskë. Por regjimi ia ka ndaluar daljen nga vendi.

Në anën tjetër, në Moskë do të udhëtojë kryetari i majtistëve nga "Komiteti Kombëtar Koordinues për Kthim Demokratik", Hassan Abdel Assim, i cili prej vitesh angazhohet për negociata me regjimin e Assadit.

"Koalicioni Kombëtar" humb besimin

Në negociatat e Moskës nuk do të jenë përfaqësuesit e "Koalicionit Kombëtar të Opozitës Siriane dhe Revolucionare", me shpjegimin se qeveria ruse mban në këtë luftë anën e regjimit të Assadit dhe nuk është një ndërmjetësuese e besueshme.

Por koalicioni ka humbur në muajt e fundit peshë politike. Presidenti i tij, Khaled Khoja, në janar ka deklaruar në një intervistë për gazetën libaneze "Al-Nahar", se koalicioni po përballet me disa sfida, në radhë të parë me dallimet e brendshme. Kjo e vështirëson formulimin e pikave të përbashkëta. E dyta, koalicioni ka një influencë të vogël në zhvillimet e brendshme në Siri. Ndaj e ka shumë vështirë të ndërmarrë iniciativa politike. Ndërkohë koalicioni ka mbetur edhe pa burime financiare. Fondacioni për Shkencë dhe Politikë njofton se koalicioni është dëmtuar edhe nga brenda, për shkak të mosmarrëveshjeve permanente me rastin e ndarjes së posteve. Ndaj koalicioni ka rënë në sy për zhvillimet negative.

Rusia po përpiqet të rikthejë imazhin

Rusia angazhohet më së shumti që të rikthejë imazhin e humbur ndërkombëtar, për shkak të angazhimit në luftën e Ukrainës, por edhe në Siri. Negociatat në Moskë kanë për qëllim t'i sinjalizojnë botës perëndimore se pa Rusinë nuk mund të zgjidhen problemet e mëdha. Pra as konflikti në Siri, i cili është futur në vitin e pestë dhe deri tani ka kushtuar me humbjen e jetës së gati 250.000 personave.