Mjekët të shqetësuar për Assange | Bota | DW | 25.11.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Mjekët të shqetësuar për Assange

Julian Assange, themeluesi i platformës së zbulimit WikiLeaks, është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Më shumë se 60 mjekë flasin për këtë në një letër të hapur. Ata kanë frikë se Assange mund të vdesë së shpejti.

48-vjeçari australian aktualisht ndodhet në një burg të sigurisë së lartë në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ende po lufton kundër një kërkese për ekstradim nga Shtetet e Bashkuara. Seancat e para dëgjimore do të fillojnë në shkurt.

Të dërgohet në klinikën universitare

Në letrën drejtuar Ministrit të Brendshëm Priti Patel, 60 mjekë kërkojnë që Assange të transferohet nga burgu i Belmarshit në juglindje të Londrës në një spital universitar. Assange ka probleme psikike përfshirë depresionin, një sëmundjen të rëndë të supeve dhe probleme dentare. Mjekët e bazojnë vlerësimin e tyre në "raporte tronditëse të dëshmitarëve okularë" në një dalje në publik të Assange-s më 21 tetor në Londër.

Ata gjithashtu i referohen një raporti të Nils Melzer-it, Raportuesit Special të Kombeve të Bashkuara për Torturën, të datës 1 nëntor. Eksperti i pavarur juridik i OKB-së kishte deklaruar se Assange ishte i ekspozuar ndaj "arbitraritetit dhe abuzimit" dhe se kjo mund t'i "kushtojë atij së shpejti jetën e tij".

Bëri publike planet ushtarake

Assange përdori platformën e zbulimit të WikiLeaks, të themeluar prej tij, për të publikuar në vitin 2010 dosje sekrete ushtarake dhe diplomatike për planet e bombardimeve amerikane në Afganistan dhe Irak. Prandaj ai akuzohet në Shtetet e Bashkuara për shkeljen e ligjit kundër spiunazhit.

Për shumë vite, Assange u përball veç kësaj me akuzën e përdhunimit. Por drejtësia suedeze e tërhoqi akuzën një javë më parë. Hetimi i saj për një akuzë për përdhunim të vitit 2010 është ndërprerë, megjithëse ata e konsideruan pretendimin e paditëses si "të besueshme", thanë hetuesit në Stokholm.

Mjekët, të cilët i referohen tani në letrën e tyre të hapur gjendjes së dobët shëndetësore të Assange-s, janë nga vende të ndryshme. Nënshkrues janë mjekë nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Italia, Gjermania, Sri Lanka dhe Polonia.

haz/se (afp, ap)