Merkel: Duam te punojme per zgjidhje politike
14 Korrik 2005“Po udhëtoj në Kosovë me ndjenjën që ushtarët tanë të stacionuar aty po kryejnë një detyrë të nevojshme dhe ne të gjithë e dimë se sa e tmerrshme ka qenë, kur Evropa dhe Bashkësia Ndërkombëtare nuk janë kujdesur për gjendjen. Ajo çka bëjnë ushtarët tanë aty s'ka alternativë.”
Merkel iu përgjigj kështu pyetjes së Dojçe Veles, lidhur me vizitën e saj në Kosovë, gjatë një takimi të zhvilluar të enjten në Berlin me gazetarë të huaj. Më tej Merkel ka deklaruar, se situata nuk është e tillë që ky mision të zgjasë për dekada të tëra. Ajo tha, se edhe Bundesveri dhe ushtarët e tjerë të stacionuar janë duke pritur një zgjidhje poltike.
“Qëllimi i këtij udhëtimi është që përmes bisedave politike të mësoj, se ç’mundësi zgjidhjeje ekzistojnë dhe që përmes vizitës tek ushtarët t’u bëj të qartë që e konsideroj misionin e tyre të rëndësishëm në aspektin politik dhe që t’u tregoj që ne duam të punojmë në drejtim të zgjidhjes politike,” – ka deklaruar më tej kristiandemokratja gjermane.
Merkel iu shmang pyetjes së Dojçe Veles se se cila është zgjidhja politike që ajo preferon. “Besoj se do të duhet të përpiqemi të gjithë për të gjetur një zgjidhje. Por këtu është vend i papërshtatshëm për të paracaktuar preferencat para negociatave.”
Përveç takimeve me përfaqësues të kontingjentit gjerman të KFOR-it në Prizren, Merkel do të takohet edhe me kryeadministratorin Soeren Jesen Petersen, presidentin, Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Kosumi dhe politikanin serb, Randel Nojkiç, thuhet në një deklaratë të publikuar të enjten nga grupi parlamentar CDU/CSU. Gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë kandidatja e opozitës gjermane për kancelare do të shoqërohet nga eksperti i kristiandemokratëve për Politikën e Jashtme, Fridbert Flyger dhe kristiansociali Kristian Shmidt, që është zëdhënësi i Unionit për Çështjet e Mbrojtjes.