Maas i siguron mbështetje Bushatit
30 Korrik 2018Ministri gjerman i punëve të jashtme Heiko Maas i siguroi homologut të tij shqiptar Ditmir Bushati mbështetje të mëtejshme të Gjermanisë në rrugën drejt BE-së.
"Fati i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për ne prandaj jemi shumë të angazhuar për thellimin e bashkëpunimit", tha Heiko Maas në përfundim të takimit me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati, të hënën, 30.07.2018, në Berlin.
Në qendër të bisedës ishin përpjekjet e Shqipërisë për të filluar negociatat me BE-në vitin e ardhshëm.. Maas kujtoi se kompromisi i arritur në fund të qershorit mes 28 vendeve të BE-së për fillimin e mundshëm të negociatave me Shqipërinë në gjysmën e dytë të vitit 2019 nuk ishte aspak i lehtë.
"Por ne tani kemi një datë dhe do të bëjmë gjithçka është e mundur që kjo datë të jetë data e nisjes", premtoi Maas. Ai apeloi te aktorët politikë në Shqipëri që t'i mbështesin reformat tejet të rëndësishme të vendit.
Në lidhje me këto të fundit, ministri gjerman i punëve të jashtme nuk i kurseu fjalët lëvduese:
"Është e rëndësishme që t'i njohim dhe t'i vlerësojmë arritjet e reformave që kanë qenë një sforcim impresionues që kërkon kurajë dhe forcë realizuese në një mjedis jo fort të favorshëm", tha Maas duke shtuar pak më tej se procesi i Vettingut është një shembull që tregon se si Shqipëria është bërë model për rajonin.
Gjermania më parë qe angazhuar që negociatat me Shqipërinë të çeleshin pas përmbushjes ndër të tjera të dy kushteve kryesore: reforma zgjedhore dhe përmbyllja e procesit të vettingut.
"Mbështetja e Gjermanisë për ne është e pazëvendësueshme për të gjitha fazat e procesit të shtetkonsolidimit demokratik në të cilën ne jemi përfshirë," tha Bushati, i cili dha si shembull asistencën e madhe që ka dhënë Gjermania për mbarëvajtjen e procesit të Vettingut.
Bushati kishte shkuar në Berlin të hënën për të vizituar zyrtarisht homologun e tij gjerman, Heiko Maas, i cili e mori postin në mars 2018 nga kolegu i tij socialdemokrat, Sigmar Gabriel. Kreu i diplomacisë shqiptare shfrytëzoi rastin që ta ftonte homologun e tij gjerman në Tiranë, ku vetëm disa ditë më parë kish qenë për vizitë ministri i shtetit për çështjet europiane Michael Roth. (ASh)