1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

Bekim Shehu
7 Nëntor 2019

Lëvizja Vetëvendosja është partia fituese e zgjedhjeve parlamentare. Por për krijimin e qeverisë asaj i duhet një partner koalicioni.

https://p.dw.com/p/3SdUs
Kosovo Parlamentswahl 2019 Stimmzettel Auszählung
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/D. Vojinovic

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas një muaji numërimi, rinumërimi të votavenë disa qendra elektorale dhe shqyrtimi procedural, më në fund shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Lëvizja Vetëvendosja doli partia e parë fituese e këtyre zgjedhjeve, por ajo nuk ka mandate të mjaftueshme për ta krijuar e vetme qeverinë.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në një konferencë për media tha, se pjesëmarrja në zgjedhje ishte 44.72%, shifër kjo mjaft e lartë në krahasim me zgjedhjet e shkuara.

"Në bazë të rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë 26.12% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 24.45 %, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 21.16 %, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në koalicion me Partinë Socialdemokrate ka marrë 11.47 %, Lista Serbe 6.74 përqind të votave dhe Nisma Socialdemokrate 4.98  përqind", tha Valdete Daka. Nisma Socialdemokrate në bazë të ligjit elektoral nuk e kaloi pragun prej 5% për t'u përfaqësuar në parlament. Kjo parti tha, se do ta apelojë tërë procesin zgjedhor në Gjykatën Kushtetuese.

Bazuar në numrin e votave të fituara, Lëvizja Vetëvendosje në Parlamentin e Kosovës do të ketë 32 deputetë, LDK-ja 29, PDK-ja, 25 deputetë, koalicioni AAK-PSD, 14, Lista Serbe 10 deputetë, si dhe 10 vende të rezervuara, kanë fituar partitë e minoriteteve.

Sipas KQZ-së, subjektet politike kanë 24 afat orë për të paraqitur ankesat e tyre të mundshme, pastaj, në fund të këtij procesi bëhet certifikimi i zgjedhjeve. Dy partitë e para që morën më së shumti vota, lëvizja Vetëvendosja dhe LDK-së tashmë janë deklaruar për koalicion qeveritar dhe tashmë grupet punuese të të dyja partive janë duke harmonizuar programin qeveritar.

Sidoqoftë, për krijimin e qeverisë së re të Kosovës ende duhet pritur certifikimi i rezultatit tyre. Pas konstituimit të Kuvendit dhe betimit që duhet të bëjnë deputetët e rinj, presidenti i Kosovës i kërkon partisë fituese të zgjedhjeve apo koalicionit paszgjedhor që duhet formuar me partinë fituese, nominimin e kandidatit të saj për kryeministër i cili duhet të marë të paktën 61 vota nga 120 vende në parlament në mënyrë që të mandatohet për krijimin e qeverisë së re. Pakicat kombëtare kanë 20 vende të garantuara në kuvend, ndërsa, në qeverinë e re të paktën një dikaster qeveritar duhet t'i takojë përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.

Sfida e parë që e pret qeverinë e re është përballja në dialog me Serbinë që me ngulm po kërkohet nga faktori ndërkombëtar në mënyrë të veçantë nga SHBA-së. Albin Kurti gjatë fushatës parazgjedhore vazhdimisht ka deklaruar se ai si kryeministër do ta udhëheqë vet dialogun me Serbinë dhe jo Presidenti i Kosovës, dhe ka paralajmëruar rishikimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani në dialogun Kosovë-Serbi.