Kosova nga 20 gushti nën masa të rrepta anti-Covid | Ballkani | DW | 20.08.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kosova nga 20 gushti nën masa të rrepta anti-Covid

Qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë dhe kur vijnë nga vendet me rrezik të lartë infektimesh, duhet të kenë test PCR-negativ.

Rritja e madhe e infektimeve me virusin Corona, ku në 24 orët e fundit u shënua rekord i rasteve, shtim i pacientëve nëpër spitale, dhe çdo ditë rritja e numrit të viktimave nga Covid-19, bëri që qeveria e Kosovës nga data 20 gusht të ashpërsojë masat anti-Covid. Tetë përsona humbën jetën dhe mbi  dy mijë raste të infektimeve u shënuan vetëm gjatë  24 orëve të fundit, që në raport me numrin e popullsisë, përbën rritjen më të madhe të infektimeve në rajon.

Qeveria e Kosovës ka reaguar me marrja masave kufizuese. Ajo vendosi që të reduktohen gati të gjitha aktivitetet publike deri në masën e mbylljes totale siҫ janë, klubet e natës dhe ahengjet familjare që në stinën e verës në Kosovë janë të shumta. Përdorimi i maskave bëhet i detyrueshëm në të gjitha ambientet e mbyllura publike. “Teatrot, bibliotekat, orkestrat, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Shifrat e infektimeve në Kosovë ditët e fundit shënuan rritje të madhe, ndërsa, kategoria më e prekur me Covid-19 ka qenë grupmosha 20-29 vjeç. Prej 13 marsit 2020, deri më 19 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 123.098 raste me COVID-19. Mbi 14 mijë raste janë aktive. Deri më tash 2,303 raste kanë përfunduar me fatalitet.

Test PCR

Masa tjetër lidhet me udhëtimet. Të gjithë qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë sipas listës zyrtare të Institutit kombëtar të shëndetësisë publike të Kosovës (IKShPK), duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit.

Qendrat e vaksinimit po punojnë me kapacitet të plotë,  por në masë akoma ka hezitim për vaksinim, ndonëse fushatat informuese nuk mungojnë. Deri tani vetëm 220 mijë persona janë vaksionuar plotësisht që përbën një përqindje të vogël të vaksinimit krahasuar me vendet e rajonit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka apeluar te qytetarët e Kosovës, që të vaksinohen, pasi varianti Delta i Coronavirusit po përhapet me shpejtësi dhe rritjen rapide të rasteve pozitive me këtë virus.

"Delta varianti po vazhdon të përhapet me shpejtësi në Kosovë! Virusi bartet shumë shpejt prej një personi në dhjetëra persona të tjerë me pasoja që në të shumtën e rasteve mund të jenë fatale e që fatkeqësisht preken edhe fëmijët! Rastet pozitive me SARS CoV-2 janë në rritje në mënyrë rapide me variantin Delta i cili është dominant! Masat rigoroze të ndërmarra dhe zbatimi i tyre duhet të bëhet nga çdo qytetar i Republikës. Bashkë me masat tashmë të njohura: bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës, do të arrijnë efektin e vet në uljen e lakores, ju lutemi të besoni se masa më efikase në luftë kundër COVID-19 është VAKSINIMI!”, thuhet në apelin e IKSHPK drejtuar qytetarëve.

Varianti "Delta” i Coronavirusit është shumë më i përhapur sesa variantet e kaluara, thotë mikrobiologu Lul Raka, prandaj sipas tij, ky variant shumë më i transmetueshëm ka qarkulluar nëpër shumë shtete të Evropës disa javë më herët. "Varianti Delta është më i transmetueshmi deri më sot. Përqendrimi i tij është gati 1000 herë më i lartë në zgavrat e hundës dhe të gojës ku bëhet edhe përhapja më e shpeshtë prej personit në person. Nëse me variantin e vjetër virusin e ke shpërndarë në tre persona me variantin "Delta” mund ta përhapësh deri në gjashtë persona ose edhe më shumë”, tha mikrobiologu Raka. Pranda sipas tij, masat anti-Covid dhe vaksinimi është mënyra e vetme për të ulur numrin e infektimeve që disa nga to po përfundojnë me fatalitet.