1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KQZ: Nuk certifikohen listat zgjedhore të VV, Nismës, AAK-së

Bekim Shehu
23 Janar 2021

Tre subjektet politike, të cilave KQZ nuk iu certifikoi listat e kandidatëve për deputetë, kanë të drejtë ankimi. 47 persona kandidatë për deputetë kanë problem me ligjin dhe nuk mund të garojnë në zgjedhje.

https://p.dw.com/p/3oKLk
Kosovo Präsident Vjosa Osmani
Fotografi: Bekim Shehu/DW

Pas një mbledhjeje maratonike me shumë debate dhe tensione, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i certifikoi listat zgjedhore me emrat për deputetë të subjekteve politike, Vetëvendosje, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit. Kjo për faktin që në listat e këtyre partive politike figuronin akoma emra që kanë probleme me ligjin, apo janë të dënuar me formë të shkallës së prerë në tri vitet e fundit.

E drejta e ankimit brenda 24 orësh

Megjithatë subjektet politike, Vetëvendosja, Nisma dhe AAK, kanë të drejtë ankese edhe në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatën Supreme. "Subjektet politike dhe kandidatët që vlerësojnë se pa të drejtë nuk janë certifikuar, kanë të drejtë ankese në afat prej 24 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, tha kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.

Valdete Daka
Valdete DakaFotografi: DW

Më i zëshmi brenda KQZ-së ishte përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, i cili tha se ”përpjekja për të ndaluar parti dhe kandidatë të caktuar të dalin në garën e 14 shkurtit, po duket qartë, dhe kjo ka të bëjë me emrin e Albin Kurtit”, që është kryetar i VV dhe bartës i listës që garon për postin e kryeministrit.

Vetëvendosja reagon ashpër

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, KGJK kishte kthyer një përgjigje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku tha se "janë 47 kandidatë nga rreth 1.080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”. Si të tillë, këta persona nuk mund të garojnë në zgjedhje, sepse, në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin u rrëzua qeveria e Avdullah Hotit, thuhet të gjithë personat që në tri vitet e fundit janë të dënuar për vepër penale me vendim gjykate të shkallës së prerë, nuk mund të garojnë në zgjedhje.

Lëvizja Vetëvendosja reagoi ashpër kundër vendimit të KQZ-së që nuk certifikoi listën me kandidatët e tyre duke e hedhur të gjithë fajin mbi kryetarën e KQZ-së Valdete Daka, duke e akuzuar atë, se po punon për partitë kundërshtare të Vetëvendosjes. "Valdete Daka po vepron nën presion dhe e kontrolluar prej partive të PLAN-it, që dëshirojnë ta ndalin çkapjen e shtetit. Aq i madh është kontrolli që po ushtrohet mbi Valdete Dakën dhe përmes saj mbi KQZ-në, sa që për herë të parë kryetarja e KQZ nuk e miratoi rekomandimin nga Zyra për Certifikimin e Subjekteve Politike, por e rrëzoi atë. Zyra për Certifikimin e Subjekteve Politike kishte bërë rekomandimin që listat e të gjithë subjekteve të votoheshin ashtu siç ishin, në pako, mirëpo KQZ-ja mori vendimin antiinstitucional dhe kërkoi që listat të votoheshin një nga një. Kuptohet, synimi i vetëm i këtij vendimi ishte rrëzimi i listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Kosovo Wahlen | Wahlzentrum in Pristina
Pamje ilustrueseFotografi: Reuters/F. Goga

DNV: Jo presione KQZ-së

Një rrjet i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DNV) që vazhdimisht që nga paslufta monitoron proceset gjyqësore, e ka dënuar gjuhën e ashpër të përdorur kundër kryetarës së KQZ-së, duke u bërë thirrje partive politike që ta lënë KQZ-në të bëjë punën e vet. "DNV i rikujton të gjitha institucioneve të vendit si dhe partive politike se KQZ është institucion i pavarur dhe kolegjial, vendimet e së cilit merren me shumicë të votave të përfaqësuesve të partive politike. DNV nënvizon rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit të këtij institucioni dhe bën thirrje që të hiqet dorë nga tentativat për ndërhyrje apo ushtrim të presionit ndaj punës së KQZ-së”, thuhet në reagimin e DNV-së.

Deri tash Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi listat me kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Listës Srpska. Periudha e ankesave nga partitë që nuk ju certifikuan listat është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar, në mënyrë që më 2 shkurt të bëhet e mundur tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve. Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 14 shkurt, në KQZ kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Nuk është paraqitur asnjë kandidat i pavarur.