Konflikti në Ukrainë - Rrezikohet takimi i Gjenevës?
15 Prill 2014Gjendja aktuale në Ukrainë ka gjasa të rrezikojë bisedimet katërpalëshe të Gjenevës, ku të enjten do të takohen për herë të parë përfaqësues të Ukrainës dhe Rusisë, Bashkimit Europian e SHBA-së. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov ka kërkuar nga qeveria në Ukrainë që të mos ndërmarrë veprime të dhunshme kundër aktivistëve prorusë në Lindje të vendit. Një procedim i tillë do t'i rrezikonte bisedimet katërpalëshe në Gjenevë, ka thënë Lavrov gjatë një vizite në Pekin. Në qytetin lindor ukrainas, Kramatorsk, separatistët pro-rusë janë tërhequr nga komisariati i policisë në qytet, kjo sipas të dhënave të policisë ukrainase.
Rusia të distancohet nga destabilizimi i Ukrainës
Por para takimit të Gjenevës të planifikuar për të enjten, janë shtuar zërat që kërkojnë nga Rusia çtensionimin e situatës në Lindje të Ukrainës. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen ka kërkuar nga Moska shenja konkrete për mosshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në Ukrainë. Europa pret nga Rusia, që të përpiqet me të gjitha mundësitë, për t'u distancuar nga një përshkallëzim i mëtejshëm i situatës në Ukrainë, tha von der Leyen, para takimit të Ministrave të Mbrojtjes në Luksemburg. Para bisedimeve të Gjenevës kërkohet maturi, ka kërkuar von der Leyen.
Edhe ministri gjerman i Ekonomisë, Sigmar Gabriel është shprehur, se Moska e ka në dorë tani të tregojë se distancohet qartë nga përshkallëzimet e situatës në Ukrainë, duke ndërmarrë edhe hapa konkretë për çtensionimin e gjendjes atje, për t'i lehtësuar bisedimet katërpalëshe që pritet të zhvillohen të enjten (17.04.2014) në Gjenevë. Kështu do të mënjanoheshin edhe sanksionet e ardhshme, tha Gabriel. Askush nuk i do sanksionet, por "Gjermania nuk ka frikë të përballet me intensifikimin e tyre", ka thënë ministri gjerman i Ekonomisë.