1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: "Showdown" në Gjirin Persik

Udo Bauer
19 Qershor 2019

Askush nuk e do një luftë të re - as SHBA, por as Irani. E megjithatë duket, se një shkallëzim luftarak nuk po mund të ndalet më, mendon Udo Bauer.

https://p.dw.com/p/3KdK1
USS Abraham Lincoln und Marine Corps MV 22 Osprey Flugzeug
Aeroplanmbajtësja amerikane, Abraham Lincoln në rajonin e Detit ArabikFotografi: Imago Images/ZUMA Press/T. K. Labuguen

Gazetat e njohura izraelite, "Maariv"dhe "Jerusalem Post" me gjasë kanë mësuar nga qarqe të OKB-së, se presidenti amerikan, Donald Trump do të takohet të premten me ministrin e Jashtëm, Mike Pompeo, ministrin e Mbrojtjes, Patrick Shanahan dhe disa gjenerale amerikanë. Tema: "Sulmet taktike" ndaj reparteve atomike të Iranit, si reagim ndaj sulmeve kundër anijeve çisternë javën e kaluar në Gjirin e Omanit, hyrja për në Gjirin Persik. Sipas qëndrimit amerikan nuk ka dyshim se, pas tyre qëndron Irani. E me thënë të drejtën - provat që jep Pentagoni nuk të lenë të mendosh ndryshe, megjithëse Irani i hedh poshtë ato.

Armët standarde të Gardave të Revolucionit

Mënyra e ndërtimit dhe armatosja e motobarkave i përgjigjet saktësisht atyre që zotërojnë prej vitesh Gardat e Revolucionit. Minat e instaluara që u përdorën në sulmet ndaj çisternave janë armë standarde të trupës elitare persiane. Provat që SHBA ofron janë më të forta, se të gjitha ato që kanë ofruar në luftën e Irakut. Me sa duket Teherani donte të demonstronte, që trupat e tij janë në gjendje të bllokojnë hyrjen në Gjirin Persik dhe me këtë qasjen tek nafta arabe.

Këtë të fundit Trump nuk do ta lejojë, megjithëse deri tani nuk janë prekur anije çisternë të SHBA. Megjithëse Trump zgjedhësve të tij u ka premtuar, se nuk do të jetë polici i botës, dhe se do të qëndrojë larg nga luftërat në Lindjen e Afërt, Iranin ai do ta verë me shpatulla pas murit. Sepse çdo amerikan do ta miratonte, nëse i tregohej vendi regjimit të mullahëve, po qe se rrezikohet ekonomia botërore nga shpuarje të tilla gjilpëre ose nga sulme më të mëdha në të ardhmen.

Nga ana tjetër zemërimi i qeverisë iraniane mund të kuptohet. Ajo i është përmbajtur, e kjo është verifikuar, të gjitha detyrimeve të marrëveshjes atomike e megjithatë SHBA e anuloi marrëveshjen. Sanksionet ekonomike të vëna nga SHBA janë brutale dhe populli iranian vuan. Por kjo nuk i jep Iranit të drejtën të sillet si pirat në Gji dhe të rikthejë programin atomik. Kjo strategji është e dënuar të dështojë, sepse Teherani është mjaft i izoluar në rajon dhe nga ana ushtarake shumë më i dobët. Nga ana tjetër SHBA duan të dërgojnë edhe 1000 ushtarë të tjerë në rajon.

Bauer Udo Kommentarbild App
Udo Bauer

Një sulm i kufizuar ushtarak i mundur në çdo kohë

Nuk duhet të çuditemi që kur të ngrihemi një ditë në mëngjes në lajme do të dëgjojmë, se janë bombarduar repartet atomike iraniane. Një luftë me përmasa amerikanët nuk do duan ta nisin, por edhe një "goditje e kufizuar" sjell pasoja. E pikërisht këto pasoja të trembin. Ne europianët duhet t'ia bëjmë të qartë botës e veçanërisht Iranit:  Nëse Teherani nuk ndal me provokimet e tij, atëherë një reagim ushtarak do të ishte rrjedhoja e pashmangshme. E në këtë rast Europa do të qëndrojë në krah të SHBA, të partnerëve arabë dhe Izraelit.