1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kneissl: Më shumë angazhim për Ballkanin Perëndimor në BE

30 Gusht 2018

Vendet e Europës Juglindore janë pjesë e Europës në kuptimin politik, ekonomik dhe kulturor, shprehet Karin Kneissl, ministrja e Jashtme austriake në prag të takimit me homologët e saj të BE-së në Vjenë.

https://p.dw.com/p/343Xp
Brüssel EU-Außenminister-Treffen | Karin Kneissl, Österreich
Fotografi: Reuters/F. Lenoir

Ministrja e Jashtme e Austrisë Karin Kneissl ka kërkuar më shumë angazhim të vendeve të BE-së për antarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës. "Ne nuk duhet të lejojmë, që prej mungesës së angazhimit të BE-së të tjerë aktorë të futen në këtë vakuum të krijuar", është shprehur Kneissl për gazetën "Die Welt" në prag të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së të enjten (30.08) në Vjenë.

"Një perspektivë e qartë europiane është garanci për stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik", thotë Kneissl. Vendet e Europës Juglindore janë pjesë e Europës në kuptimin politik, ekonomik dhe kultutror. "Pavarësisht mirëkuptimit lidhur me ngurrimin e disa vendeve anëtare, duhet të mbizotërojë interesi gjeopolitik për një afrim të shpejtë në BE."

Të mërkurën (29.08) ministrat e mbrojtjes të BE-së u takuan në Vjenë. Në mbëmje në program ishin konsultimet për gjendjen në Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet me vendet kandidate për antarësim në BE. Këto konsultime vazhdojnë edhe të enjten.

E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme Federica Mogherini flet të enjten për të ardhmen e misionit të marinës së BE-së "Sophia". Qeveria italiane kërkon, që refugjatët e shpëtuar në Mesdhe para brigjeve të Libisë të mos dërgohen automatikisht në Itali. Ministrat e jashtëm trajtojnë edhe situatën në Siri, në Jemen, Libi dhe në Iran.

Duke iu referuar luftës civile në Siri,lidhur me të cilën kosnultohen gjithashtu në Vjenë ministrat ejashtëm të BE-së, Kneissl tha: "Lufta në Siri po i afrohet fundit. Por atje nuk do të ketë ndonjë armëpushim të madh." Tani është i nevojshëm një "veprim i mençur dhe me maturi" gjatë rindërtimit të vendit. "Në këtë proces duhet të mbahet në konsideratë gjendja në tërësi, edhe sa i përket kthimit të shpejtë të të dëbuarve në vendet fqinje."