1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kinë: Tregtia e jashtme po bie

8 Shtator 2022

Kina gjendet nën presion: Eksportet e ekonomisë së dytë më të madhe në botë janë më të dobëta sesa që pritej, por tregtia me Rusinë po rritet me shpejtësi.

https://p.dw.com/p/4GWZn
China Außenhandel
Fotografi: CHINATOPIX/dpa/picture alliance

Tregtia e jashtme e Kinës ka humbur papritur vrullin e zhvillimit. Në gusht, eksportet e llogaritura në dollarë amerikanë u rritën vetëm me 7,1 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, njoftuan doganat kineze të mërkurën në Pekin. Ekspertët kishin pritur rritje dyshifrore pasi eksportet u rritën me 18 përqind në korrik.

Arsyet që përmenden janë rënia e kërkesës globale për shkak të rritjes së inflacionit dhe çmimeve të energjisë. E u përmendën edhe ndërprerjet e prodhimit në Kinë, për shkak të bllokimeve si rezultat i strategjisë zero-Covid dhe mungesa e energjisë për shkak të nxehtësisë.

Importet rriten shumë pak

Më keq sesa që parashikohej janë zhvilluar edhe importet e ekonomisë së dytë më të madhe në botë, pasi kishte një rritje minimale prej vetëm 0,3 përqind. Në korrik u shënua një rritje e importeve prej 2,3 përqind. Sipas ekspertëve, sfondi i kësaj rritjeje të ngadalshme është disponimi i keq mes konsumatorëve kinezë dhe kriza në tregun e pasurive të paluajtshme në Kinë. Suficiti tregtar ishte gjithashtu nën pritshmëritë, me vetëm 79 miliardë dollarë.

China Außenhandel
Fotografi: DesignIt/Zoonar/picture alliance

Pavarësisht zhvillimit përgjithësisht të dobët të importeve, në Kinë kishte edhe një lajm të mirë për eksportuesit gjermanë. Përkundër krizës dhe problemeve të mëdha, eksportet gjermane në Kinë janë rritur me 4,9 përqind. Ndërsa importet gjermane nga Kina u rritën me 9,6 përqind, thuhet në të dhënat zyrtare të doganës.

"Ngadalësimi më i madh se sa që pritej në rritjen e eksporteve të Kinës është një tjetër shenjë se rimëkëmbja ekonomike e këtij vendi po humbet vrullin - dhe ka nevojë për më shumë mbështetje politike," tha David Qu, kryeekonomist në agjencinë financiare Bloomberg. "Ne presim që tregtia të mbetet nën presion edhe në pjesën tjetër të vitit."

Rritja e biznesit me Rusinë

Tregtia e Kinës me Rusinë, kundër së cilës janë vendosur sanksione ekonomike ndërkombëtare për shkak të agresionit në Ukrainë, vazhdon të rritet fuqishëm. Kina, e cila qëndron politikisht pas presidentit rus Vladimir Putin, importoi 59,3 përqind më shumë nga Rusia në këtë periudhë - kryesisht energji. Në të kundërt, eksportuesit kinezë dërguan 26,5 për qind më shumë mallra në vendin fqinj.

Bashkimi Evropian arriti të rrisë eksportet e tij drejt Kinës me 3,1 përqind. Anasjelltas, Kina eksportoi 11,1 përqind më shumë në BE. Në tregtinë me SHBA-në, nga ana tjetër, si importet ashtu edhe eksportet e Kinës kanë rënë. Eksportet kineze kanë rënë me 3,8 përqind, ndërsa importet nga SHBA kanë rënë me 7,4 përqind.

Ekonomia kineze nën presion

China Deutschland Müllexport
Fotografi: Bilderbox/Chromorange/picture-alliance

Ekonomia kineze edhe më parë ishte nën presion. Në tremujorin e dytë të vitit, rritja në Kinë ishte vetëm 0,4 përqind. Ndërkohë që qeveria kishte vënë si objektiv një rritje prej 5,5 përqind për këtë vit. Por Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret një rritje vjetore prej vetëm 3,3 përqind.

Si pasojë e zhvillimeve zhgënjyese ekonomike, juani kinez ka shënuar rënie të dukshme me 0,36 përqind dhe tani vlenë 6.98 juan për një dollar. Pavarësisht se është në nivelin më të ulët në dy vjetët e fundit, dobësimi i juanit nuk e ka nxitur eksportin kinez.

Rënia e vlerës së monedhës vendore do të thotë se mallrat kineze janë në tregun ndërkombëtar me çmime më të volitëshme. Por "dollari i fortë po ushtron presion mbi importet," tha kryeekonomisti Jones Lang Lasalle, Bruce Pang. Për shkak të këtyre zhvillimeve është shqetësuar edhe kreu politik në Pekin.

Zëvendësministri i Tregtisë Li Fei njoftoi se qeveria do të ndihmojë kompanitë e tregtisë së jashtme për t'u mbrojtur nga rreziqet e kursit të këmbimit.

bc/ul/bea (dpa, rtr)