1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kherson: Beteja për Portën e Krimesë

9 Shtator 2022

Rajoni Kherson në Ukrainën jugore u pushtua që në ditët e para të pushtimit rus. Kievi tani flet për suksese në një kundërsulm. Rajoni është me rëndësi strategjike për shkak të vendndodhjes së tij.

https://p.dw.com/p/4Gdqu
Ukraine-Konflikt, von Artillerie beschädigte Brücke in Cherson
Fotografi: Sergei Bobylev/ITAR-TASS/IMAGO

Gjithçka filloi me vrima në rrugë. Videot e marra nga celularët më 19 korrik treguan gjurmë të goditjeve me raketa në Urën Antonivski, më e madhja dhe më e rëndësishmja në qytetin Kherson, në Ukrainën jugore, të pushtuar nga trupat ruse. Ushtria ukrainase përdori raketat amerikane HIMARS, të ardhura së fundmi dhe veçanërisht të sakta. Që atëherë, Kievi ka vazhduar të godasë këtë urë 1366 metra të gjatë, duke ndërprerë kështu furnizimin e trupave ruse në bregun e djathtë të lumit më të madh ukrainas: Dnipro. Goditja në atë kohë dhe sulme të tjera të ngjashme shërbyen për përgatitjen e një kundërsulmi, i cili filloi në fund të gushtit.

Ura të tjera dhe depo armësh ruse në zonë bombardohen gjithashtu rregullisht. Në ditët e para të shtatorit, presidenti Volodimir Zelenski njoftoi rimarrjen e disa lokaliteteve. Beteja e Khersonit mund të jetë një nga ngjarjet kryesore luftarake të vjeshtës.

Ujë i freskët për Krimenë

I gjithë rajoni i Khersonit u pushtua plotësisht nga Rusia që në ditët e para të pushtimit. Rezistenca ushtarake ishte e dobët. Kryeqyteti i rajonit, Kherson, i cili më parë kishte një popullsi prej rreth 280.000 banorësh, u pushtua në fillim të marsit. Pamjet amatore treguan se si civilët ukrainas demonstruan atje kundër trupave ruse. Shumica e banorëve janë rusishtfolës. Asnjë rajon tjetër në Ukrainë nuk u pushtua kaq shpejt. Edhe sot nuk dihet se si mund të ketë ndodhur kjo. Kjo është një nga pyetjet e dhimbshme për qeverinë në Kiev.

Shkaterrime ne Cherson
Fotografi: STRINGER/AFP/Getty Images

Me rreth 28.500 kilometra katrorë, rajoni i Khersonit është pothuajse aq i madh sa Belgjika. Peizazhi është i shënuar nga stepat - hapësira të mëdha aq sa mund të shohë syri. Strategjikisht, është ndoshta rajoni më i rëndësishëm në Ukrainën jugore, pasi ka qasje në dy dete: Detin Azov në lindje dhe Detin e Zi në perëndim. Më e rëndësishmja, e vetmja lidhje tokësore me Krimenë kalon përmes rajonit Kherson. Është porta për në gadishullin e aneksuar nga Rusia në 2014. Dhe kjo portë mbeti kryesisht e hapur gjatë pushtimit rus. Nuk u shkatërrua asnjë urë që mund të ndalonte përparimin. Formacionet e mëdha ruse ishin në gjendje të përparonin disa qindra kilometra në veri nga Krimea.

Ndoshta objektivi më i rëndësishëm i Rusisë ishte Kanali i Krimesë së Veriut, i cili fillon në Nova Kaçovka, rreth 80 kilometra në lindje të Khersonit dhe përfundon në Kerch në Krime. Gadishulli vuan nga mungesa e ujit dhe që nga koha sovjetike furnizohej me ujë të freskët nga Dnipro përmes këtij kanali. Pas aneksimit, Ukraina ndaloi rrjedhën e ujit, duke shkaktuar probleme për bujqësinë e Krimesë. Trupat ruse hodhën në erë digën e ndërtuar në vitin 2014 dhe lejuan që uji të rrjedhë përsëri.

Ushtare ruse shperndajne ndihma ne Cherson
Fotografi: Russian Defence Ministry/Tass/IMAGO

Në të njëjtën kohë, duke pushtuar Khersonin dhe qytete të tjera të vendosura në rrymën e poshtme të Dnipro-s, ushtria ruse ishte në gjendje të bllokonte rrugën ujore për në Detin e Zi, e rëndësishme për Ukrainën.

Kherson - kryeqyteti i shalqirit

Khersoni është më i njohur për ndërtimin e anijeve. Qyteti u themelua në fund të shekullit të 18-të në atë që ishte atëherë Perandoria Ruse, në grykëderdhjen e Dnipro-s, dhe u quajt Khersones sipas kolonisë së lashtë greke të Krimesë. Cherson ka portin më të vjetër detar në bregun ukrainas të Detit të Zi. Këtu u ndërtuan anijet e para luftarake për Flotën Ruse të Detit të Zi. Që nga koha sovjetike, Khersoni është specializuar për transportuesit civilë të mallrave, duke përfshirë cisternat. Në shkurt 2022, pak ditë para pushtimit rus, kantieri detar njoftoi nënshkrimin e një kontrate për ndërtimin e katër anijeve të mallrave për Holandën.

Kur ukrainasit mendojnë për Kherson-in, gjërat e para që vijnë në mendje nuk janë vetëm varkat, por edhe shalqinjtë dhe domatet. Shalqinjtë Kherson, në veçanti, janë legjendarë. Çdo vit, duke filluar nga gushti, dyqanet ukrainase janë plot me to. Kjo nuk ndodh këtë vit. Në rrjetet sociale, fotot e ushtarëve ukrainas që mbajnë në duar një shalqi janë kthyer në simbol të ripushtimit.

Të moshuar në Kherson dhe ushtarë rusë
Të moshuar në Kherson dhe ushtarë rusëFotografi: ASSOCIATED PRESS/picture alliance

Rajoni i Khersonit është i famshëm për kulturat e frutave dhe perimeve. Sipërfaqja e përgjithshme bujqësore, që arrin rreth dy milionë hektarë, është më e madhja në Ukrainë. Kjo është pothuajse dy herë më e madhe se Holanda. Prandaj, nuk është për t'u habitur që prodhuesi i parë ukrainas i ketchup-it u themelua në vitin 1993 në qytetin e Kaçovka-s: kompania "Tschumak". Konsiderohet si një nga historitë e suksesit të Ukrainës së pavarur. Në faqen e saj të internetit, kompania e themeluar nga dy suedezë shprehet me krenari se ka fushën më të madhe të kastravecit në Evropë. Qyteti i Kaçovka-s u pushtua nga trupat ruse në ditën e parë të luftës. "Tschumak", aktualisht numri dy në tregun ukrainas, ndaloi prodhimin dhe e zhvendosi selinë e tij në Kiev.

Jo ripushtim i shpejtë

Për shkak të vendndodhjes afër Krimesë, Rusia pritet ta mbrojë veçanërisht fort rajonin e pushtuar Kherson dhe veçanërisht kanalin verior të Krimesë. Vëzhguesit në Ukrainë, por edhe në Perëndim, presin një betejë të gjatë dhe supozojnë se ushtria ukrainase nuk do të tentojë një ofensivë frontale. Ukraina nuk ka forca të mjaftueshme për këtë.

Llogarija e Kievit do të ishte më tepër që të dëbonte trupat ruse përmes sulmeve lokale. Krahas disa fshatrave të çliruara, Ukraina mundi të shënonte një sukses shtesë me kundërsulmimin e saj: "referendumi" për bashkimin me Rusinë sipas modelit të Krimesë u shty.