Kattan: E ardhmja në Lindjen e Mesme nënkupton të ardhme për të gjitha fetë | Shoqëria & Kultura | DW | 20.05.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Kattan: E ardhmja në Lindjen e Mesme nënkupton të ardhme për të gjitha fetë

Papa Françesku shkon në fund të majit në Lindjen e Mesme. Çfarë do të theksojë udhëheqësi i kishës katolike atje?

Assaad Elias Kattan

Assaad Elias Kattan

DW: Zoti Kattan, cilat janë synimet politike, që ndjek kisha katolike me vizitën e Papës në Lindjen e Mesme?

Elias Assad Kattan: Në Vatikan nuk bëhet fjalë për objektiva politike në kuptimin e ngushtë të fjalës dhe mua më duket edhe se forca e Vatikanit qëndron pikërisht në faktin që Vatikani nuk ndjek synime të tilla. Megjithatë vizita me siguri ka një rëndësi politike. Ajo është për mendimin tim në radhë të parë një shenjë paqeje dhe një thirrje për paqe. Pra, paqe në radhë të parë mes izraelitëve dhe palestinezëve pikërisht në një kohë, kur procesi i paqes duket se po rrezikohet. Dhe pastaj paqe midis tri feve monoteiste, judaizmit, krishterimit dhe islamit dhe pikërisht në një vend, që konsiderohet djepi i feve. Dhe unë do të thoja në dritën e trazirave dhe të kryengritjeve në botën arabe, të quajtur Pranvera Arabe, këtë perspektivë madje mund ta zgjerosh dhe të thuash se vizita e Papës është edhe një shenjë, që njerëzit në këtë cep të botës, në Lindjen e Mesme, meritojnë më shumë dinjitet, më shumë drejtësi, si dhe më shumë pjesëmarrjë politike.

Ju thatë se është fjala pjesëmarrje politike, pra për të drejta demokratike. A mendoni se Papa për shembull lidhur me konfliktin sirian do të shprehë më shumë se një formulim shumë të përgjithshëm?

Elias Assad Kattan: Nuk e di. Por unë nuk mund të imagjinoj që Papa do të mund ta anashkalojë këtë temë. Unë kam shpresë të madhe se Papa do të merret me këtë temë dhe do të mund të shohë potencialin pozitiv në këto ndryshime. Sepse përveç temës së islamizmit dhe dhunës, në ndryshimet në botën arabe qëndron edhe mundësia për të arritur më shumë pjesëmarrje në politikë dhe më shumë liri për njerëzit atje.

A u bën përshtypje fjalët e Papës pushtetarëve, për shëmbull kryetarit të shtetit të Sirisë Assad?

Elias Assad Kattan: Mendoj se pushteti politik në botën arabe dhe një Lindjen e Afërme nuk do të impresionohet prej kësaj. Vatikani nuk ka vërtet autoritet direkt politik. Por ajo, që thotë Papa, është megjithatë e rëndësishme. Dhe është fakt, që diktaturat nuk impresionohen, dhe jo vetëm nga fjalët e Papës. Për to nuk ka rëndësi se çfarë mendimi ka bashkësia ndërkombëtare. Por megjithatë: Kjo është ndoshta hera e parë, që një Papë viziton Lindjen e Mesme pas kryengritjeve, pas Pranverës Arabe. Prandaj është e rëndësishme që një Papë të pozicionohet.

Çfarë tradite ka patur para kësaj vizite? Çfarë reagimesh ka patur ndaj vizitave të deritanishme të Papëve në Lindjen e Mesme?

Elias Assad Kattan: Vizitat e fundit të papëve janë zhvilluar në kontekste të tjera. Papa Benedikti erdhi për shkak të Sinodit të ipeshkëve katolikë për Lindjen e Mesme, e cila u zhvillua në Romë. Gjon Pali II vizitoi Damaskun si pelegrin në gjurmët e Apostullit Pal. Papa Françesku mendoj se dëshiron të kujtojë edhe njërin nga paraardhësit e tij, Papën Pali VI dhe patriarkun e atëhershëm ekumenik Athinagoras. Rëndësia e takimit atëherë ishte, se ai çon në kapercimin e paragjykimeve të ndërsjella në mes kishës lindore dhe kishës perëndimore. Dhe kjo është arsyeja pse Françesku dëshiron të takojë patriarkun ekumenik Bartolomeu në Jeruzalem. Unë mendoj se të dy do të dërgojnë një mesazh të vëllazërisë, të cilën unë e lidh me shpresën, se të dyja kishat do afrohen më shumë në të ardhmen. Por kjo vizitë është e lidhur edhe me dëshirën e kishës katolike, për të arritur më shumë mirëkuptim me muslimanët. Por megjithë ndryshimet, vizitat e papëve në Lindjen e Mesme jetojnë prej faktit se hebraizmi, krishtërimi dhe islami kanë lindur në këtë zonë dhe se kjo zonë historikisht edhe gjeografikisht ka një dimension të veçantë spiritual dhe në rradhë të parë një rëndësi simbolike për më shumë se gjysmën e njerëzimit.

A mund të shërbejë kjo bashkëjetës historike me hebrejve, të krishterëve dhe muslimanëve si model?

Elias Assad Kattan: Unë nuk dua të idealizoj imazhin. Dihet se kjo është një zonë me shumë plagë, me nacionalizma të tërbuara, me dhunë, (jo vetëm nga ana e islamistëve), me lëvizje emigracioni, (nga të cilat janë veçanërisht të prekur të krishterët) dhe me britmën për lirinë në revolucionin arab. Lindja e Afërt është një zonë e nxehtë. Por unë mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm, që të mos i konsiderojnë të krishterët, që jetojnë atje, si trup i huaj, surreal. Nga ana tjetër ka përndjekje të të krishterëve. Por nuk duhet të fokusohemi vetëm tek ata, sepse ka edhe myslimanë te moderuar, që përndiqen.

Pra konkluzioni im është, se të ardhme për Lindjen e Afërt ka vetëm atëherë, nëse mendohet për të gjithë njerëzit atje, dhe të krishterët do të kenë një jetë më të mirë, nëse të gjithë njerëzit atje, duke përfshirë hebrejtë, muslimanët dhe agnostikët dhe atesitët, do të mund të kenë një të ardhme më të mirë.

Elias Assaad Kattan është profesor i teologjisë ortodokse në Universitetin e Münsterit dhe anëtar i bordit për studimet e nivelit të ekscelencës për fe dhe politikë.

  • Data 20.05.2014
  • Autor Günther Birckenstock/Angelina Verbica
  • Opinioni Juaj: Na shkruani!
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/1C34W
  • Data 20.05.2014
  • Autor Günther Birckenstock/Angelina Verbica
  • Feedback
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/1C34W