Kampi grek Moria u dogj - Ishte zjarrvënie e qëllimshme? | Evropa | DW | 09.09.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Kampi grek Moria u dogj - Ishte zjarrvënie e qëllimshme?

Kampi i refugjatëve Moria pas shpërthimit të disa zjarreve është djegur. Flitet për zjarrvënie të organizuar. Organizatat humanitare kritikojnë BE për gjendjen e mjerueshme në kampin më të madh të Europës.

(E akt.) Kampi grek i refugjatëve Moria u dogj. Mbi arsyet e shpërthimit të zjarreve në kampin më të madh grek dhe europian të refugjatëve ka të dhëna kundërshtuese. Disa refugjatë të kampit bënë fjalë se ka pasur zjarrvënie nga banorët vendas, sipas raportimeve të tjera, migrantët e kanë vënë vetë zjarrin. Që të martën forcat e shpëtimit luftonin me zjarret që kishin shpërthyer në një pyll, 25 kilometra larg Morias.

Dyshim për zjarrvënie të organizuar

Të mërkurën, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka thirrur qeverinë në një takim krize në Athinë. Zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas është shprehur, se mendohet për një zjarrvënie të organizuar. Ai konfirmoi po ashtu, se migrantët ishin përpjekur të pengonin zjarrfikësit të shuanin zjarrin. Organizata humanitare "Medico International" bën përgjegjëse Bashkimin Europian për gjendjen në Moria. "BE i ikën prej vitesh përgjegjësisë për njerëzit në kufijtë e saj të jashtëm", tha referentja për migracionin e Medico International,  Ramona Lenz në Frankfurt. "Nuk mund t'i lësh njerëzit të jetojnë prej vitesh në pisllëk, t'u mohosh të drejtat, t'i ekspozosh pa mbrojtje ndaj një pandemie dhe të habitesh, kur ata revoltohen kundër këtyre kushteve të jetesës." BE mund të kishte kontribuar që gjendja të mos shkallëzohej, duke i tërhequr të gjithë të infektuarit nga kampi dhe të krijonte kushte më të mira për refugjatët e mbetur.

Kurse komisioneri i BE për Migracionin, Dimitris Avramopoulos në një intervistë për Deutsche Wellen u shpreh, se kriza e migracionit në Europë vazhdon, prandaj BE duhet patjetër të mbështesë grekët. Sipas tij, autoritetet greke kanë bërë ç'është e mundur që t'u ofrojnë njerëzve të dëshpëruar ndihmë humanitare dhe kujdes mjekësore, tha europarlamentari. 

Pas zjarreve të mëdha që shpërthyen në kampin e refugjatëve, Moria në Greqi, komisionerja e BE për çështjet e brendshme, Ylva Johannson ka premtuar ndihmë të shpejtë të BE. Ajo është në kontakt me autoritetet greke, shkroi Johannson në twitter. BE ka premtuar financimin e transportimit pa vonesë të 400 fëmijëve e të rinjve të pashoqëruar në tokën greke. "Siguria dhe mbrojtja e të gjithë njerëzve në Moria ka prioritet." Johannson ka shkruar se është me mendje tek refugjatët që janë ishull dhe punonjësit e atjeshëm. 

Natën e së mërkurës, kampi i refugjatëve Moria në Greqi është përfshirë gati i gjithi nga zjarret. Në orët e mëngjesit të së mërkurës flakët janë përhapur me shpejtësi të ndihmuara edhe nga era e fortë, 70 km në orë. Që gjatë natës autoritetet filluan me evakuimin e kampit, pas shpërthimit të zjarrit në kontenierët, ku banojnë refugjatët. Të mërkurën në mëngjes nuk pati informacione për të lënduar apo viktima. Sipas radios greke, ERT ndërkohë të gjithë njerëzit janë larguar nga hapësira e kampit, që është duke u djegur i gjithi. Ndihmës në terren dhe organizata humanitare kanë raportuar, se si flakët dhe tymi vështirësonin daljen nga kampi.

Moria është kampi më i madh i refugjatëve në Greqi dhe Europë. Prej vitesh ai është i tejmbushur, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Migracionit në Greqi aty ndodhen 12.600 refugjatë, kur kampi ka një kapacitet vetëm prej 2800 vendesh.

Karantina revolton migrantët

Para shpërthimit të zjarrit ka pasur trazira në kamp mes migrantëve, sepse kampi që prej jave është vendosur në karantinë për shkak të shpërthimit të një rasti të virusit Corona. Të martën u bë e ditur, se numri i të infektuarve ndërkohë është 35 vetë. Si reagim disa migrantë donin të largoheshin nga kampi, për t'u mbrojtur nga infektimi, raportoi agjencia greke e lajmeve, ANA-MPA. Ndërkohë që disa të infektuar dhe persona kontakti kanë refuzuar që të largoheshin nga kampi dhe të dërgoheshin në izolim. Video në rrjetet sociala tregojnë si njerëz të trembur që vijnë vërdallë pa ndihmë, edhe të tjerë që këndojnë "bye, bye Moria!"

Ka pasur njoftime, se pas shpërthimit të zjarrit, banorët e kampit kanë qëlluar forcat e zjarrfikësve me gurë, dhe janë përpjekur t'i pengojnë në shuarjen e zjarreve. Në vend ishin edhe njësi speciale të policisë. Tensione ka pasur gjithmonë në Moria, por për shkak të problematikës së Coronës, situata shpërtheu, citon agjencia gjermane e lajmeve, dpa, Stratos Kytelis, kryetarin e bashkisë së Mytilinisit, kryeqytet i ishullit, që është shprehur për televizionin grek, ERT.

 

 

la/dpa,rtr/ap