Kaminski: Për demokraci të qëndrueshme, modernizim real | Ballkani | DW | 07.11.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kaminski: Për demokraci të qëndrueshme, modernizim real

Platforma e Kujtesës Europiane e Ndërgjegjes e themeluar në vitin 2011 është një nga strukturat më aktive të BE, me rreth 60 shtete anëtare, mes të cilave edhe Shqipëria. Tani kjo platformë bashkëpunon edhe në Shqipëri.

Albanien Cooperation Agreement between Albania and the Platform of European Memory and Conscience (DW/Ani Ruci)

Platformë e re bashkëpunimi për përballjen me të shkuarën në Shqipëri

Zbardhja e krimeve të regjimit komunist po fiton gjithnjë e më shumë terren në Shqipëri si një proces, që lidhet me të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Institucionet qeveritare dhe  shoqëria civile po mbështeten nga struktura të BE të ngritura enkas për të kryer kërkime, studime, dokumentuar të shkuarën, ndërgjegjësuar dhe edukuar brezat e rinj për të parandaluar rikthimin  e regjimeve totalitariane.

Platforma e Kujtesës Europiane dhe Ndërgjegjes, e themeluar në vitin 2011,  ështe një nga strukturat më aktive të BE, me rreth 60 shtete anëtare, mes të cilave edhe Shqipëria. Me moton „Demokracia ka rëndësi", kjo platformë  i drejtohet së ardhmes më shumën se sa të  shkuarës. Qëllim i ngritjes së saj nga BE është „parandalimi i intolerancës, ekstremizmit,  lëvizjeve anti-demokratike dhe i ringjalljes së ҫdo regjimi totalitarian në të ardhmen“. Që ky qëllim të marrë jetë, Platforma mbështet nisma të shtetit dhe organizatave të shoqërisë civile në më shumë se 60 vende të botës.

Në Tiranë, të mërkurën, (6.11.2019), u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Platformës dhe Institutit për Demokraci. Media dhe Kulturë, një organizatë jo qeveritare me aktivitet të spikatur lidhur me kujtesën dhe edukimin e brezit  të ri për ta njohur të shkuarën komuniste dhe krimet e saj. Marrëveshja e Bashkëpunimit ka të bëjë me konkursin " Pyet gjyshërit e tu”, të nisur para 4 vitesh si një dialog mes brezash, që u mundëson brezave të rinj në Shqipëri të kuptojnë  të kaluarën e trazuar të regjimit komunist në formate multi- mediatike. Duke filluar nga ky vit konkursi në Shqipëri do të mbështet edhe nga Platforma.

Albanien Cooperation Agreement between Albania and the Platform of European Memory and Conscience (DW/Ani Ruci)

Presidenti i Platformës së Kujtesës Europiane dhe Ndërgjegjes, Dr. Lukasz Kaminski

Lukasz Kaminski: E shkuata komuniste-burim i problemeve të sotme

Presidenti i Platformës së Kujtesës Europiane dhe Ndërgjegjes, Dr. Lukasz Kaminski, e vlerëson marrëveshjen si një mundësi më shumë për të ndarë përvoja të  ngjashme, që përjetojnë brezat e rinj në vendet ish-komuniste të Europës Qëndrore dhe Lindore. "Synojmë të promovojmë përvojën tonë. Jemi të bindur se të merresh me të shkuarën do të thotë të merresh me të tashmen dhe të ardhmen. Nëse nuk zgjidhim problemet e të shkuarës nuk mund të kemi në vendet që dolën nga regjimi komunist, mes të cilave edhe Shqipëria, demokraci të qëndrueshme dhe modernizim real të vendit,”  thotë Dr. Kaminski ekskluzivisht për DW.

Por Shqipëria ka veҫori në krahasim me vendet ish komuniste të Europës Qëndrore dhe Lindore. "Shqipëria është vendi që vuajti më shumë nën regjimin komunist, një vuajtje që nuk mund të krahasohet me asnjë nga vendet e tjera ish- komuniste. Diktatura e egër, e pashembullt, trysnia, presionet shfaqen në të sotmen, shume probleme të së tashmes  i kanë rrënjët në të shkuarën” thotë për DW, Dr. Kaminski.

Çfarë mund t'i ofrojë Gjermania, Shqipërisë në ballafaqimin me të shkuarën?

Gjermania dhe shoqëria civile e saj mbeten në krye të përpjekjeve në ish-vendet komuniste për të ruajtur kujtesën dhe nxitur ndërgjegjësimin e brezave të rinj. "Gjermania ka shumë për t'i ofruar Shqipërisë dhe vendeve të tjera ish-komuniste në zbardhjen e së shkuarës. Me rëndësi të veҫantë është edukimi publik për të shkuarën, ku Gjermania ka përvojë të pasur për të ndarë, rreth 50 vjeçare, si nga regjimi nazist ashtu edhe ai komunist në ish-Republikën Demokratike Gjermane. Por edhe vendet e tjera kanë përvoja psh. Polonia ka përvoja shumë të mira lidhur me hetimin e krimeve të komunizmit. Në tërësi përvoja e vendeve ish-komuniste ka rëndësi për Shqipërinë,” thotë për DW, Dr. Kaminski.

Albanien Cooperation Agreement between Albania and the Platform of European Memory and Conscience (DW/Ani Ruci)

Jonila Godole, Drejtore Ekzekutive e IDMC

Konkursi „ Pyet gjyshërit e tu" - merr mbështetje ndërkombëtare

Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes IDCM  dhe Platformës për konkursin " Pyet gjyshërit e tu” hap për pjesëmarrësit mundësi të reja, që i shërbejnë ndërgjegjësimit të tyre për të shkuarën. "Konkursi i inicuar  nga IDMC  në vitin 2015 me këtë marrëveshje merr një mbështetje ndërkombëtare. Shpresojmë që edhe vende të tjera, anëtare të Platformës ta marrin nismën e zhvillimit të tij. Fituesit e konkursit me produktet e tyre multi- mediatike do të kryejnë vizita studimore në disa nga vendet më të rëndësishme të vuajtjes të regjimit nazist dhe komunist dhe të kujtesës europiane," thotë për DW, Jonila Godole, Drejtore Ekzekutive e IDMC.

Ajo që po ndodh vitet e fundit në Shqipëri është thyerja e heshtjes për të shkuarën: institucione publike dhe aktorë të shoqërisë civile janë të ndërgjegjësuar që vihet në lojë e ardhmja e vendit, nëse e shkuara mbetet në errësirën e viteve. Shenjat janë të mira. Procesi kërkon kohën e vet ku vullneti politik dhe vetëdija e shoqërisë civile kanë rol parësor.