1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jacques Chirac ndërron jetë

Andreas Noll
26 Shtator 2019

Me kancelarin Schröder, ai kundërshtoi Shtetet e Bashkuara në luftën e Irakut, ai dështoi me kushtetutën evropiane dhe u dënua nga drejtësia. Tani ish-presidenti Zhak Chirac vdiq në moshën 86 vjeç.

https://p.dw.com/p/3QI1H
Jacques Chirac Ehemaliger Präsident Frankreich
Fotografi: Getty Images/AFP/M. Bureau

Në fund, ai dilte rrallë në publik. Njeriu, të cilin kundërshtarët politikë dhe mbështetësit e quanin "buldozeri" u godit pas një hemoragjie cerebrale - fizikisht dhe mendërisht. Vetëm nga gruaja e tij Bernadette, shoqja e tij besnike e kohëve studentore, mësonin francezët herë pas here lajme, nga apartamenti i tij luksoz në bregun e majtë të lumit Seine. Tani familja njoftoi vdekjen e 86-vjeçarit.

Për më shumë se 40 vjet, Zhak René Chirac ka qenë në qendër të vëmendjes politike. Karriera e tij filloi në vitin 1962. Pas diplomimit në dy shkollat e larta elitare Po dhe ENA, 30-vjeçari nisi punë si bashkëpunëtor i Kryeministrit Pompidou. Nën udhëheqjen e tij, Chiracu mori disa vjet më vonë, postet e para ministrore, për t'u ngritur pastaj nën Presidentin Valery Giscard d'Estaing për dy vjet në postin e Kryeministrit.

Përpjekjen e tij të parë për të marrë postin më të lartë shtetëror konservatori ambicioz e bëri në moshën 49 vjeç - dhe dështoi: në vitin 1981 dhe 1988 ai iu desh të pranonte humbjen përballë socialistit François Mitterrand.

President në përpjekjen e tretë

Atdheun e tij politik, Chirac-u, që lindi në Paris më 29 nëntor 1932, e gjeti në qytetin rural Corrèze, gjë që u përshtat me preferencën e tij për birrë dhe gjellë tradicionale. Por baza e pushtetit të tij ishte kryeqyteti. Këtu i kreu ai studimet, këtu themeloi në vitet 1970 me "Rassemblement pour la République" (RPR) lëvizjen e vet goliste, dhe këtu u zgjodh kryetar bashkie në vitin 1977.

Paris Clinton Chirac Kohl Friedensabkommen Bosnien 1995
Fotografi: Reuters/C. Platiau

Në Paris u ngjit Chiracu dhe po në Paris u fundos ylli i tij. Që me vendimet e para të presidencës së tij ai shkaktoi rezistencë të ashpër. Në fushatën elektorale, Chirac kishte njoftuar se do të shëronte "ndarjen e shoqërisë franceze"; por sapo hyri në Pallatin Elysée, ai e ngriti popullin kundër tij. Planet e qeverisë së tij për reforma gjithëpërfshirëse sociale çuan në konflikte serioze sociale, dhe Chiracu, si gjithmonë në presidencën e tij, filloi të tërhiqet.

Në kryeqytet, ai përjetoi pas përfundimit të karrierës së tij politike edhe poshtërimin e tij më të rëndë. Në vitin 2011, kur ai e pati humbur imunitetin e tij si President, një gjykatë në Paris e dënoi dy vjet dënim me kusht për "përvetësim, shkelje të besimit dhe favorizim të paligjshëm".

Procesi i parë penal në historinë e Republikës kundër një ish-Presidenti ishte një larje juridike hesapesh me epokën 18 vjeçare të Chiracut si kryetar i bashkisë së Parisit.

Jo-ja e tij për luftën e Irakut pati mbështetjen e popullit

Chiracu ishte më i suksesshëm në politikën e jashtme sesa në politikën e brendshme. Por edhe këtu presidenca e tij filloi me acarime: shtetet fqinje, por edhe shumë aleatë protestuan kundër testeve të reja bërthamore në Mururoa Atoll. Që Chiracu nuk u konsultua më parë me partnerët e tij gjermanë, këtë Helmut Kohli ia mori për keq Presidentit të ri.

Deutschland Frankreich Jaques Chirac Gerhard Schröder
Fotografi: AP

Edhe pasardhësi socialdemokrat i Kohl-it, Gerhard Schröder fillimisht ndihej jo rehat me neogolistin, përpara se si udhëheqës të frontit të luftës kundër Irakut, të kalonin në një bashkëpunim të ngushtë dhe të kundërshtonin Presidentin amerikan George W. Bush. Në vitin 2003 Chiracu ishte në kulmin e popullaritetit të tij. Fitoren e tij të re në zgjedhjet presidenciale - disa muaj më parë - ai megjithatë ia dedikonte, mbi të gjitha, faktit që një ekstremist i krahut të djathtë, Jean-Marie Le Pen mbërriti papritur deri në zgjedhjet e balotazhit.

Por edhe në mandatin e tij të dytë, Chirac-un në mënyrë të përsëritur e braktisi instinkti i tij i politikës së pushtetit, përndryshe shumë i theksuar. Megjithëse kushtetuta franceze nuk e detyronte atë ta bënte këtë, presidenti proevropian i sigurtë për fitoren urdhëroi të mbahet një referendum për projektin e një kushtetute evropiane, të cilën përkrahësit e humbën rëndë në maj 2005.

Jacques Chirac  Präsident Frankreich und Angela Merkel 2007
Fotografi: Reuters/K. Pfaffenbach

Një dorëheqje e presidentit do të kishte qenë me vend, por Chiracu qëndroi dhe përjetoi dy vitet e fundit të mandatit të tij, në të cilin ndodhën edhe trazirat e rënda të periferive, pa e gjetur forcën për një rifillim politik.

Chiracu u imponon ndryshim francezëve

Kur pasardhësi i tij Nicolas Sarkozy hyri në Pallatin Elysée në 2007, këndvështrimi i francezëve për ish-presidentin ndryshoi edhe një herë. Të mërzitur nga Sarkozia hiperaktiv dhe i fiksuar pas parave, shumë njerëz dëshironin të rikthehej dashamirësi fin i artit aziatik, i cili, me afërsinë e tij me njerëzit dhe mënyrën gazmore të komunikimit, u kishte hyrë në zemër francezëve.

Pas dymbëdhjetë vjetësh në presidencë, Chiraci i la popullit të tij një mal me reforma sociale të pazgjidhura, por edhe vendime të rëndësishme. Heqja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe krijimi i një ushtrie të fuqishme për misione bëjnë pjesë këtu, si edhe vendimi për të ndaluar mbajtjen e shamisë së kokës në shkollat ​​dhe universitetet shtetërore.