Ja si mendojnë të fuqishmit për Angela Merkelin | Gjermania | DW | 20.09.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Ja si mendojnë të fuqishmit për Angela Merkelin

Pas 16 vjetësh në pushtet ditët e Angela Merkelit si kancelare gjermane po i afrohen fundit. Në këto gjashtëmbëdhjetë vjet bota ka përballuar shumë kriza.

Kur u betua, në nëntor të vitit 2005, Merkel vështirë se mund ta ketë ditur se sa do t'i formësonin krizat dhe ngjarje të ndryshme veprimet e saj politike.

Tony Blair, kryeministër i Britanisë së Madhe, 1997 – 2007, thotë "ajo është një zgjidhëse problemesh. Është menaxhere e çdo situate”.

Kurse George W. Bush, president i SHBA 2001-2009, thotë "ajo është një njeri shumë i matur dhe i sjellshëm. Angela Merkel është një udhëheqëse, jo një pasuese”.

Merkel di të dëgjojë dhe është e vetëpërmbajtur

Gjithnjë e më tepër, Angela Merkel u përball me situata që kërkonin aftësi negociuese të nivelit të lartë. Për shembull: kriza financiare e vitit 2008. Pas problemeve me euron në Greqi, vend anëtar i BE-së, Merkel u detyrua të gjejë një kompromis midis interesave gjermane dhe europiane. Gjatë krizës në Ukrainë, Merkel dhe ish-presidenti francez, Francois Hollande bashkuan forcat për të ulur Moskën dhe Kievin në tryezën e bisedimeve.

Vereidigung Bundeskanzlerin Merkel 2005

Angela Merkel gjatë betimit si kancelare në nëntor të vitit 2005

Dimitri Medvedev, president i Rusisë, 2008 - 2012, thotë "sipas mendimit tim, ajo zotëron një tipar të veçantë që është i mirë për një negociator dhe për politikanët në përgjithësi. Së pari, ajo di të dëgjojë. E dyta: ajo është e vetëpërmbajtur”.

Merkel ndryshon mendje lidhur me multikulturalizmin

Kur bëhet fjalë për luftën në Siri, Merkel ishte e pafuqishme. Por kur miliona refugjatë arritën në Evropë si rezultat i kësaj lufte, ajo u dha mbrojtje shumë prej tyre në Gjermani.

"Motoja jonë për këtë situatë duhet të jetë: Ne kemi arritur shumë, prandaj mund t'ia dalim mbanë!” - tha Merkel asokohe, kur të gjithë po mbyllnin kufijtë e vendeve të tyre për të parandaluar hyrjen e emigrantëve.

Edhe pse e dinte se po rrezikonte ajo bëri hapin e guximshëm. "Deklarata ‘Ne mund t'ia dalim mbanë - Wir schaffen das" ishte një kthesë vërtet e jashtëzakonshme politike. Merkel doli në kundërshtim me atë që kishte thënë në vitet e mëparshme, duke vënë në pikëpyetje idenë e saj mbi multikulturalizmin, për mundësinë e një shoqërie multikulturore. Më e rëndësishmja, ajo e zhyti politikën europiane të migrimit në kaos." - thotë Niall Ferguson, historian pranë Stanford University

Më pas vijuan zërat në rritje të populistëve dhe nacionalizmit. Në vitin 2016, Mbretëria e Bashkuar vendosi të largohej nga Bashkimi Europian. Menjëherë pas kësaj, presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, i vuri në provë marrëdhëniet transatlantike. Reputacioni i Merkelit si mbrojtëse e vlerave liberale u rrit.

Masa drastike për të kontrolluar pandeminë

Por kundërshtarët më të ashpër të Angela Merkel ishin të padukshëm. Ajo vendosi masa drastike për të kontrolluar pandeminë e koronavirusit. Në luftën kundër ndryshimit të klimës, megjithatë, Kancelarja shpesh veproi "me gjysmë zemre”.

Epoka "Merkel” po merr fund. Me të po largohet nga skena ndërkombëtare një politikane, e cila preferoi të negociojë në vend që të debatojë me kundërshtarët politikë. Ajo mbështeti bashkëpunimin dhe jo qëndrimet kundërshtuese.