1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Izraeli përpiqet të ndërmjetësojë në konfliktin Rusi-Ukrainë

5 Mars 2022

Kryeministri i Izraelit Bennett ka biseduar në Moskë me presidentin Putin dhe më tej vazhdon në Berlin, ku takohet me kancelarin Scholz. Ndërkohë në Gjermani po mbërrijnë gjithnjë e më shumë refugjatë nga Ukraina.

https://p.dw.com/p/484fo
Israel Naftali Bennett Premierminister
Fotografi: Gil Cohen-Magen/AP/picture alliance

Pas një vizite të papritur në Moskë kryeministri i Izraelit Naftali Bennett për konfliktin në Ukrainë do të vazhdojë në Berlin me konsultime me kancelarin Olaf Scholz. Bennett bisedoi në Moskë me presidentin Vladimir Putin. Kremlini, sipas agjencisë së lajmeve Interfax, vuri në dukje se është biseduar për gjendjen në Ukrainë. Por nuk do të jepet njoftim nga Kremlini. Zyra e Bennett e konfirmoi gjithashtu vizitën. Nga qarqet qeveritare në Jeruzalem thuhet, se bisedimet në Moskë kanë zgjatur tri orë.

Bennett është koordinuar me SHBA-në, Gjermaninë dhe Francën dhe ende „është në komunikim të vazhdueshëm me Ukrainën". Sipas njoftimeve në media, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj përpara një jave i ka kërkuar Bennett që të ndërmjetësojë për bisedime mes Rusisë dhe Ukrainës në Izrael. 

Armëpushimi në lindje të Ukrainës ka dështuar

Armëpushimi i dakordësuar mes dypalëve për të siguruar popullsinë civile në dy qytete ukrainase ka dështuar. Administrata e qytetit në Mariupol përmes shërbimit messenger Telegram njoftoi, se evakuimi „është shtyrë për arsye sigurie", sepse trupat ruse vazhdojnë të bombardojnë qytetin dhe rrethinat. Rusia vet njoftoi, se veprimet luftarake kanë vazhduar pas një armëpushimi prej disa orësh. Sipas të dhënave të palës ukrainase rreth 200.000 janë larguar nga Mariupoli dhe rreth 15.000 nga Volnovaha.

Qytetarëve u është bërë thirrje të kthehen sërish nëpër vendstrehimet e mbrojtura dhe të presin informacionet e mëtejshme. Në fakt ishte planifikuar hapja e një korridori humanitar për disa orë. Sipas agjencisë ruse RIA, e cila i referohet Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, asnjë ukrainas nuk i ka përdorur korridoret humanitare në Mariupol und Volnovaha. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov theksoi, se forcat e armatosura ruse godasin vetëm infrastrukturën ushtarake në Ukrainë.

Administrata e qytetit: "Situatë e tmerrshme humanitare"

Porti i rëndësishëm strategjik i Mariupolit, sipas të dhënave të kryebashkiakut Vadym Boitçenko pas sulmeve „të pakontrolluara" që vazhduan prej disa ditëve ndodhet nën „bllokadën" ruse. Zëvendësi i tij Sergej Orlov u shpreh për një situatë humanitare „të tmerrshme" në Mariupol, pasi 450.000 banorët e qytetit mbi 40 orë u ndodhën nën breshërinë e të shtënave. Orlov akuzon forcat ruse për sulme ndaj shkollave dhe spitaleve.

Mariupol me rreth gjysmë milioni banorë shtrihet në brigjet e Detit Azov. Evakuimi i komunikuar i popullsisë u konsiderua si paralajmërim për marrjen e qytetit. Kjo do të mundësonte bashkimin e trupave ruse me njësitë nga Krimeja dhe Donbasi në lindje.

Putin kritikon sanksionet

Presidenti rus Vladimir Putin ka kritikuar ashpër sanksionet perëndimore ndaj vendit të tij. Këto, sipas tij, janë një shpallje lufte. Në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror përpara stjuardesave, që takoi presidenti në aeroportin ndërkombëtar në prag të festës së gruas, Putin e argumentoi invazionin rus në Ukrainë për të disatën herë, se atje duhen mbrojtur interesat e Rusisë dhe të popullsisë rusishtfolëse. Po ashtu ai përsëriti kërkesat e mëparshme, që Ukraina duhet të „demilitarizohet" dhe të „denazifikohet" si dhe të ketë një status neutral.

Gjithnjë e më shumë refugjatë nga Ukraina në Gjermani

Për shkak të sulmeve ruse gjithnjë më shumë ukrainas po kërkojnë strehim në vende të tjera. Edhe në Gjermani po rritet numri i refugjatëve të luftës. Ministria e Brendshme në Berlin njoftoi, se janë regjistruar deri tani gati 27.500 ukrainas. Autoritetet llogarisin me një numër më të madh, sepse nuk ka kontrolle në kufi. Sipas vlerësimit të OKB-së mbi 1,25 milionë vetë janë larguar nga Ukraina, shumica e tyre në drejtim të Polonisë.

Sindikata e policisë në sfondin e fluksit të madh të refugjatëve kërkoi vendosjen e kontrolleve të rregullta në kufijtë me Poloninë dhe Çieinë duke paralajmëruar, se hyrjet e pakontrolluara bartin edhe rrezik. „Askush nuk mendon, që të kthejë njerëzit që vijnë nga kufiri me Poloninë dhe me Çekinë. Por gatishmëria për ndihmë dëmtohet, nëse ne nuk e dimë se kush vjen tek ne", thuhet në një deklaratë të sindikatës së policisë.